Nga: Doktor. Mustafa Ebu Sead
Si të sillemi me fjalën “jo” të fëmijës sonë?
Vëllezër dhe motra, selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu…
Me lejen e Allahut, në kuadrin e bindjes së fëmijës tonë, do flasim për një tjetër çështje shumë të rëndësishme, që përkon ngushtë me procesin e bindjes së fëmijës. Sot do trajtojmë temën: “Si të sillemi pozitivisht me fjalën “jo”, apo me sjelljen negative të dalë nga fëmija ynë? A është fjala “jo” që thotë fëmija kur i kërkojmë diçka, një fjalë që duhet të na mërzisë?”
Me lejen e Zotit në këtë trajtesë do u përgjigjemi këtyre pyetjeve dhe të tjerave të ngjashme me to.
Në fakt fjala “jo” është fjala, që gjen përdorimin më të madh tek fëmija, sidomos nga viti i parë deri tek viti i tretë i jetës së tij.
Shkaku kryesor i kësaj qëndron në faktin, se fëmija shikon që nëna dhe babai i tij e përdorin shumë fjalën “jo” kur komunikojnë me fëmijën në këtë periudhë të hershme të fëmijërisë së tij.
Dihet se është karakteristikë e fëmijëve që të imitojnë shumë. Gjithashtu ata janë shumë të zgjuar në përdorimin e armëve të të tjerëve.
Shtatë vitet e para të jetës së fëmijës konsiderohen vitet e aktrimit. Gjatë këtyre viteve fëmija aktron dhe imiton çfarë ngjet brenda vatrës familjare.
Pra pyetjes se përse fjala “jo” përdoret me tepri tek fëmijë e vegjël, i përgjigjemi:
Kjo ndodh sepse kjo është fjala, që ai e dëgjon më shpesh nga goja e prindit, mamasë apo babait. Kjo është fjala më e përdorur dhe më e shprehur nga nënat dhe baballarët.
Kjo fjalë bën pjesë në urdhrat tekanjozë, këtë radhë të dhënë në trajtë mohore: “Mos-jo”, si për shembull: “Mos e prek këtë! Mos ha! Mos pi! Jo këtë e jo atë!”
Për shkak të përdorimit të shumtë të fjalës “jo” nga ana e të rriturve në raportet e tyre me fëmijët, është shumë e natyrshme, që automatikisht fjala “jo” të jetë fjala që përdoret më së shumti nga fëmijët tanë në periudhën e hershme të fëmijërisë së tyre.
Po kështu, ashtu siç ti e përdor fjalën “jo” si një armë kundër fëmijës tënd, njëlloj fëmija yt e përdor atë si një armë kundër teje. Prandaj shumë prindër që e përdorin shpesh fjalën “jo”, “Mos prek, mos e ngri zërin, jo këtë e jo atë!”, të mos u vijë e habitshme, që fëmijët e moshës së mitur t’u kthehen me “jo” të prerë, në një formë të tillë që nuk pranon dialog dhe as bindje. Pra nëse prindi i thotë: “Hajde këtu!”, ai përgjigjet “jo”, “Hajde të hash ushqim!”, ai përgjigjet “jo”, “Nxiri rrobat!”, ai përgjigjet “jo” e kështu me radhë. Kështu fëmija kundërvihet në vazhdimësi me një “jo” të thatë, të pa shoqëruar me asnjë shpjegim.
Lind pyetja: Përse fëmija përgjigjet me këtë “jo” të prerë?
Përgjigja është: Kjo vjen, ngaqë edhe ti si prind nuk përdor direktivat dhe urdhrat e arsyetuara me fëmijën tënd, por ti njëlloj si fëmija përdor urdhrat mohues tekanjozë “Mos bëj, ha, pi, vish, dil, hyr!”, pa i arsyetuar ato. Ashtu sikurse ti jep urdhra tekanjoze të thata, po ashtu, automatikisht, reagimi i fëmijës tënd do të jetë me fjalën “jo” të thatë, duke mos pranuar dialog dhe duke mos hequr dorë nga e tija.
Gjithashtu lidhur me trajtimin e “jo-së” së fëmijës, lypset që ne vetë t’i vendosim kufi mundësisë së përdorimit të fjalës “jo”, duke kufizuar direktivat që i japin fëmijës mundësi të përgjigjet me “jo”, duke bërë kujdes nga pyetjet e shkurtra, të cilave fëmija mund t`u përgjigjet me një “po” ose “jo” të prerë.
Pra hapi i parë për ta larguar fëmijën tënd nga fjala “jo”, nga përdorimi i fjalës “jo” mohuese, është që t’ia shmangësh atij pyetjet, që mund të marrin përgjigje me “jo” të prerë, si për shembull të mos i thuash: A do të hash?, pasi kësaj ai mund t’i përgjigjet me “jo” të prerë.
Për ta larguar fëmijën tënd nga përdorimi i fjalës “jo” mohuese, duhet ta pyesësh atë në formën: “Kur do t’i bësh detyrat, para se të hash apo pasi të hash?”. Në këtë formë ti i jep atij një direktivë, të cilës ai nuk mund t’i përgjigjet më një “jo” të prerë, por mund t’i përgjigjet me “Para se të ha, ose pasi të ha.” Kjo është një nga metodat, përmes të cilës mund ta largosh fëmijën nga fjala “jo” negative, pasi siç do ta shohim ka raste kur “jo-ja” vjen me kuptim pozitiv apo pohor, rast në të cilin fëmija duhet nxitur që të thotë “jo”. Këtë do ta shohim në vijim.
Tani le të shikojmë sesi mund të punojmë me problematikën e parapritës. Para se të flasim për rrugët e kurimit, le të flasim për rrugët e mbrojtjes nga problemi.
Metodat që mundësojnë shmangien e efekteve negative të fjalës “jo” të fëmijës, janë pesë:
E para: Studioje personalitetin, apo siç i thonë në mënyrë popullore brumin e fëmijës tënd. Duke qenë në kontakt dhe fërkim të vazhdueshëm me fëmijën tënd, duke i vërejtur sjelljet e tij, duke hulumtuar dëshirat e tij dhe kuptuar nevojat e tij, do arrish të posedosh treguesit faktik të fjalës “jo” të fëmijës, do arrish të veçosh rastet kur fjala “jo” ka kuptim pohor, nga ato raste kur “jo” nënkupton një vendim të prerë të fëmijës.
Ajo që më del detyrë mua si prind, është që të përpiqem të hulumtoj dhe kuptoj faktin se: Kur fëmija im e thotë fjalën “jo”, mos ndoshta po e thotë atë, sepse kërkon që unë ta përkëdhel, sepse ka nevojë që unë ta përqafoj, sepse ka nevojë që unë të bisedoj me të? Kësisoj, unë arrij tek një arsyetim shumë i rëndësishëm në kurimin e problematikës së fjalës “jo” të fëmijës. Arrij në faktin se fëmija im nuk e thotë fjalën “jo” duke dashur të refuzojë atë që i them unë, por e thotë atë sepse ai ka nevojë ta përqafojë, t’i jap interes, ta puth, apo të bisedoj me të. Fëmija është i gatshëm që të bëjë atë që i them, por me fjalën “jo” ai do që unë ta përkëdhel.
Kemi për shembull fëmijën që refuzon të zgjohet në mëngjes, apo që refuzon të veshë rrobat. Ti mundohesh me bërtitje, kërcënim dhe me çdo formë dhe ai nuk të bindet.
Por nëse fëmija yt refuzon të zgjohet nga gjumi dhe ti me buzëqeshje i thua: “Unë e di se ti do që unë të të përkëdhel, e di se ti do që unë të të puth, e di se ti do që unë të të përqafoj” dhe pas kësaj e përkëdhel, e puth apo e përqafon, ke për të parë se ai përnjëherë do të ngrihet nga shtrati dhe do të jetë në kulmin e aktivitetit.
Si ndodhi kjo? Kjo ndodhi sepse unë nuk e paraqita çështjen të formës diskutuese: A do zgjohesh apo jo? Nuk hyra në negociata me të, nuk po diskutoj me të nëse do zgjohet apo jo, sepse zgjimi nga gjumi për të shkuar në shkollë nuk është çështje që pranon të diskutohet. Kësisoj, unë e anulova diskutimin mbi këtë parim dhe e barta diskutimin tek një çështje tjetër, duke i thënë: “Unë e di se ti bën kështu, sepse do që unë të të përkëdhel”. Kështu unë e qetësova fëmijën, iu binda nevojës së tij shpirtërore dhe ai më përgjigjet ashtu siç unë iu përgjigja.
Pra hapi i parë për të mënjanuar fjalën “jo” negative, është që unë si prind të arrij të kuptoj nevojën e fëmijës. Unë e di se fëmija im e thotë fjalën “jo” për shkak të një nevoje shpirtërore që kërkon prej meje. Roli im si edukator është që të kuroj simptomat, shenjat e sjelljes, përmes depërtimit tek origjina e sjelljes së tij, që në fakt shtysën apo shkakun e ka në nevoja shpirtërore. Çdo sjellje ka një shtysë. Çdo sjellje, me të cilën sillet njeriu, është shprehi e përpjekjes së ngopjes së një nevoje shpirtërore me shtysë të thellë brenda tij. Pra hapi i parë është të ngopësh nevojat shpirtërore që ka fëmija yt. Kupto shtysat e sjelljes së fëmijës.
Hapi i dytë mbrojtës është, që para se t’ia thuash fëmijës fjalën “jo”, sigurohu se ti po ia thua atë për ta ndaluar nga një veprim, i cili përbën rrezik për fëmijën, ose konsiderohet vërtet çështje negative.
Kuptimi i kësaj është që të hetojmë, nëse fjala “jo” të cilën ne ia themi shpesh fëmijëve tanë përgjatë raporteve tona me ta, është me vend t’i thuhet fëmijëve shpesh dhe vend e pa vend apo jo. Duhet të sigurohem, se fjalën “jo” të cilën po ia them fëmijës, po ia them vetëm për një veprim që përbën pasojë serioze për të.
Për t’u sqaruar këtë që thamë më sipër, le të sjellim shembullin kur unë i them fëmijës tim: “Ulu, mos lëviz! Nuk dua asnjë të më shqetësojë”! Para se t’i jap fëmijës këto direktiva mohuese, më duhet të shoh se cili është burimi i thënies së këtyre shprehjeve, egoja ime apo shqetësimi im për fëmijën. Kështu, në shembullin në fjalë, kur shikoj përse i thashë këto urdhra mohues, gjej se ato janë urdhra tekanjozë dhe konstatoj se po them atë që them për arsye se unë po shqetësohem nga fëmija në ndjekjen e një programi të preferuar, etj. Fjala ime negative “mos” këtu nuk ka asnjë sens, nuk ka asnjë kuptim për fëmijën. Gjuha e situatës së fëmijës të thotë: “Përse po më pengon? Pse s’po më lë të lirë babi im? Pse të iki nga vendi ku ndodhem”? Përgjigja e vërtetë është, se ti si prind po tregohesh egoist, po e bën këtë për arsye të thata personale, ndërsa fëmija yt në fakt nuk po bën ndonjë shkelje. Ky është mesazhi që vjen tek mendja e fëmijës tënd.
Në krahun tjetër kur i them fëmijës: “Mos luaj me shkrepëse, sepse kjo përbën rrezik për ty, mund edhe të digjesh. Mos luaj me thikë, sepse thika të dëmton, mund të të presë etj”, kemi një “jo” apo një urdhër negativ, mbi një gjë që realisht përbën rrezik.
Nëse unë hulumtoj në fjalorin dhe raportet e mia ditore me fëmijën tim, mbi fjalën “jo” të cilën unë ia drejtoj atij, sepse fëmija rrezikohet të përplaset me pasoja vërtet serioze, këto raste do t’i gjejmë aq të pakta, saqë mund të numërohen me gishtat e dorës.
Pra në të shumtën e rasteve ne ia themi fëmijës sonë fjalën “jo” me shtysa që nuk janë të mirëqena të thuhen, sidomos për të mirën e fëmijës. Këto shtysa në fakt vijnë nga egoizmi i babait ose nënës, n ë rastet kur ndërhyrja e fëmijës i vë në siklet teksa ata për shembull flasin në telefon, shohin ndonjë program të preferuar televiziv, etj. Prandaj nëse unë e mënjanoj problemin në fjalë, duke e përdorur gjithmonë e më pak fjalën “jo” në jetën time dhe në raportet e mia me fëmijën, në këtë formë unë kam filluar ta largoj fëmijën tim nga fjala “jo” negative.
Kuptimi i kësaj që thamë është, që prindi duhet t’ia thotë fëmijës fjalën “jo”, vetëm kur ajo e mbron fëmijën nga një rrezik faktik, që ka të bëjë me shëndetin apo diçka tjetër serioze.
Hapi i tretë për të shmangur këtë problem është, që t’i shmangim pyetjet e drejtpërdrejta ndaj fëmijës. Me pyetje të drejtpërdrejta synojmë pyetjet, të cilave fëmija mund t`u përgjigjet me një “jo” të prerë.
Kështu për shembull kur ti si prind do që t’i japësh fëmijës tënd një lëng frutash, që ta shmangësh “jo-në” e prerë të tij, atëherë pyete fëmijën: “Sa lugë sheqer do që t’i fus lëngut të frutave?”, në vend që ta pyesësh: “A do lëng?” Në këtë formë unë kam bërë të mundur, që të mos diskutoj me fëmijën mbi çështjen e pirjes së lëngut të frutave dhe kjo sepse unë kam shmangur pyetjen e drejtpërdrejtë: “Do pish lëng frutash apo jo?” Unë e bëj këtë, sepse kam bindjen e padiskutueshme, se lëngu i frutave të freskëta ka dobitë e tij, falë energjisë që ka, përbërësve të saj të nevojshme për zhvillimin e fëmijës, etj. Nisur nga këtu, unë nuk e vë në diskutim çështjen e pirjes së lëngut të frutave, pasi e di se kjo i bën mirë shëndetit të fëmijës dhe për faktin se unë e di, që çështja e pirjes së lëngut të frutave nuk pranon të diskutohet. Por unë e orientoj në tjetër gjë vëmendjen e fëmijës, duke i thënë: “Sa lugë sheqer do që t’i fus lëngut të frutave, një apo dy, apo e do pa sheqer fare?” Në këtë formë unë i parapri fëmijës tim, duke i dhënë atij zgjedhje dytësore. Nuk i jap atij mundësi zgjedhje në çështjen parësore, pasi atë unë insistoj që fëmija im në rastin konkret ta pijë lëngun e frutave, nisur nga dobitë e çmuara që kjo gjë parësore përbën për fëmijën tim.
Përndryshe, nëse ti do e vesh atë të zgjedhë në çështjen parësore, si në rastin e pirjes së lëngut të frutave, duke i thënë: A do pish lëng frutash?, fëmijës mund të përgjigjet “jo”. Çështja parësore merr miratimin e fëmijës, kur ti e shpërqendron atë në çështjen dytësore, duke i lënë atij të kuptojë, se ti po e merr në konsideratë preferencën e tij përmes pyetjeve të tilla si: “Sa lugë sheqer do?” “A e do lëngun e frutave në një gotë me ngjyra apo në një gotë të bardhë?” Pra gjëja parësore nuk paraqitet për negociatë, por fëmijën e pyet për gjëra dytësore, për shembull me një figurë që fëmija e ka për zemër, apo gota pa figurë, gota me ngjyra apo gota e bardhë, e kështu me radhë.
Duke vepruar kështu unë i parapriva fëmijës tim dhe largova nga ai mundësinë që të thotë “jo”. Kjo formë paraprite konsiderohet nga parapritat më pozitive në raportet dhe ndërveprimin e prindit me fëmijën e tij.
Po në këtë kontekst, kur unë dua që fëmija të pijë ose qumësht ose lëng frutash, i them atij: A do qumësht apo lëng frutash? Në këtë rast ai do bëj njërën nga zgjedhjet që unë vetë dëshiroj dhe ajo që unë po bëj është që thjesht po e vë fëmijën të zgjedhë midis dy lëngjeve dhe atij nuk i mbetet tjetër veçse të pijë njërin prej tyre. Në këtë formë unë arrij të eliminoj mundësinë e përgjigjes negative të fëmijës, që ai mund ta jepte nëse do t’i bëheshin pyetjet: A do qumësht?, ose: A do lëng frutash?, pyetje të cilave ai mund t’u përgjigjej me “jo” të thatë.
Le të japim një rast tjetër, për shembull kur duam që ta vëmë në gjumë. I themi: “Tani ka ardhur koha e gjumit, hajde bëjmë gara kush shkon më para te krevati, unë apo ti”! I them këtë në vend që t’i them: “Do biesh të flesh?” Pra duhet që unë t’i paraprij përgjigjes së tij negative.
Përmes këtyre metodave unë si prind e shmang në praktikë përgjigjen negative të fëmijës, duke vendosur një parapritë, lidhur me mundësinë e përdorimit të fjalës “jo” negative nga fëmijës tim.
Hapi i katërt i parapritës, imunitetit apo vaksinës kundrejt fjalës “jo” negative të fëmijës, është, që unë si prind të përdor terma alternativë kundrejt fjalës “jo”, të përdor sa të mundem shprehje të tjera në vend të fjalës “jo”, për shembull në vend të “Mos bëj!”, të përdor “Ndalo, prit!”. Për shembull kur ta shohësh fëmijën tënd, që loz me një aparat elektronik që mund ta dëmtojë, mos i thuaj: “Mos loz me të!”, por thuaj: “Ndalo, prit!” Kjo është e dobishme për fëmijën, pasi për të fjala “mos” nuk ka ndonjë kuptim praktik, kurse fjala “ndalo, prit” përbën për të një kuptim që ai e kupton. Intuita ndërvepron më mirë me fjalët “ndalo, prit, largohu, lëre etj”, sesa me fjalët “jo, mos”. Fjalët që përmendëm janë fjalë që mund ta zëvendësojnë pozitivisht fjalën “jo” apo “mos”. Kjo që thamë hyn në rregullin e përdorimit të termave dhe shprehjeve alternative apo zëvendësuese të fjalëve “jo, mos”.
Hapi i pestë është, që t’i mundësosh fëmijës një alternativë pozitive, një mundësi zgjedhje të dobishme. Kjo është rruga më e mirë për të ndryshuar sjelljen e papranueshme të fëmijës, që realizohet duke i paraqitur atij një mundësi zgjedhje.
Ky hap është shumë më i mirë se hapi i mëparshëm i ofrimit të shprehjeve të tjera në vend të shprehjeve negative “jo” dhe “mos”. Kështu, në vend që t’i thuash fëmijës tënd: “Jo, mos!”, apo “Ndalo, prit!”, thuaji atij: “Bëj kështu e kështu!” Për shembull në vend që fëmijës që është shumë i lëvizshëm t’i thuash: “Mos më rri nëpër këmbë!”, i thuaj: “Loz me lodrat e tua!”, ose “Rri këtu anash meje!”, pra i jap atij alternativë apo mundësi pozitive, duke e shpërqendruar vëmendjen e tij nga sjellja që nuk më pëlqen, në sjellje që më pëlqen dhe është e pranueshme për mua.
Përmes metodës së dhënies së alternativave apo mundësive pozitive, unë arrij ta shmang urdhërimin me “mos dhe jo” të fëmijës, i cili e fut fëmijën në kundërshtim dhe inat me mua.
Një tjetër shembull që shpjegon këtë hap, është rasti kur në vend që t’i them fëmijës tim: “Mos vrapo!”, “Mos e prish telefonin!” etj; unë i them atij: “Hajde qëndromë pranë!”, “Hajde përqafomë!” etj.
Si të veprojmë drejtë me fjalën “jo” të fëmijës sonë?
Gjenden katër hapa, që na mundësojnë të reagojmë dhe veprojmë drejtë me fjalën “jo” të fëmijës sonë:
Së pari, do arrijmë të veprojmë drejt me fjalën “jo” të fëmijës sonë, duke parë vazhdimisht në aspektet pozitive të fjalës “jo” dhe duke e mbartur atë në spektrin pozitiv. Shih në pozicionimin faktik të fjalës “jo” të fëmijës tënd, që të kuptosh se çfarë standardi apo modeli ka ajo tek fëmija yt, me kuptimin “Çfarë do faktikisht fëmija im, kur thotë fjalën “jo”. Mos ndoshta kur ai thotë “jo”, ai nuk është se e refuzon atë që i thuhet, por ai kërkon insistimin tënd, kërkon që t`i lutesh, kërkon t’i buzëqeshësh, pra përmes refuzimit të tij, ai tërthorazi kërkon diçka tjetër… Në këtë rast mua më duhet të ndërveproj pozitivisht me fjalën “jo”, prandaj kurrsesi nuk duhet t’i bërtas në fytyrë fëmijës që refuzon me “jo”. Këtë e bëj, sepse unë falë intuitës sime kuptoj se me fjalën “jo” fëmija im nuk po refuzon veprimin, por ai kërkon diçka tjetër, kërkon një përfitim dytësor, sikurse një përqafim, një buzëqeshje, një përkëdhelje, kërkon që ta lusësh apo diçka tjetër të këtij konteksti.
Kjo ndodh jo vetëm me fëmijët, por në shumë raste ndodh edhe me të rriturit, që nuk refuzojnë se nuk janë dakord në parim, por e bëjnë këtë për përfitime dytësore, sikurse miku për shembull, të cilit i thuhet: “Ha!”, ai do që të hajë, por pret ta lusësh me fjalët: “Bujrum!”, “Na nderove!”. Miku kështu pret prej teje që ta lusësh, pasi lutja jote përbën një tregues, që i tregon atij se ai për ty është një person i mirëseardhur, kurse nëse ti nuk e lut, ai nënkupton se ai për ty nuk është një person i dëshiruar. Për këtë fakt ai sillet negativisht, me qëllim që të qetësohet se ai për ty është një person i dëshiruar.
Po kështu edhe të vegjlit shpesh e thonë fjalën “jo”, sepse ata duan përkushtim, duan t’i lusësh, duan përqafim apo duan diçka tjetër të kësaj natyre.
Pra ndërveprimi pozitiv me fjalën “jo” të fëmijës, nënkupton të kuptosh se përse ai e thotë “jo-në”. Të kuptosh se ai e tha fjalën “jo”, sepse do këtë e këtë gjë, jo sepse ai është kundra veprimit të sjelljes, me të cilën ne e urdhërojmë. Pra duhet të kuptosh se ai në fakt do që ta bëjë sjelljen që i kërkohet, por ai këtë moment e konsideron shans që të përfitojë edhe gjëra të tjera.
Së dyti, jepi rëndësi më shumë fjalës “po” të fëmijës. Nëse fëmija vëren se sjellja e tij pritet nga ti me buzëqeshje, me lavdërim apo thënë në mënyrë të përmbledhur me pozicionim pozitiv nga ana jote si prind, kjo sjellje përforcohet tek ai.
Kuptimi i kësaj është, që kur fëmija yt të të përgjigjet me “po”, ki kujdes se si sillesh me të. Nëse sa herë që fëmija yt të përgjigjet pozitivisht dhe ta thotë fjalën “po”, e ti sillesh në një formë të tillë që e lavdëron atë, i buzëqesh në fytyrë, e pret mirë, e përqafon, e puth; në këtë formë ti e ke përforcuar tek ai këtë sjellje pozitive, ke konsoliduar tek ai përgjigjen pozitive me fjalën “po”. Kësisoj ai nis të shtojë dhe fortifikojë rrethin e fjalës “po”. Ndërsa nëse fëmija përgjigjet me “po”, por nuk merr në këmbim asgjë, as përqafim, as puthje, as buzëqeshje, dhe asgjë pozitive, tek ai kjo presupozon kuptimin se midis përgjigjes pozitiv me “po” dhe asaj negative me “jo” nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar, madje ai mund ta preferojë fjalën “jo”, pasi ajo e tërheq më tepër vëmendjen e prindit. Prandaj rruga më e mirë e kurimit për sa në fjalë, është që të përforcosh fjalën “po” të fëmijës tënd, duke ditur se ti si prind sa më shumë e zgjeron rrethin dhe hapësirën e fjalës “po” duke e pritur nga fëmija pozitivisht këtë fjalë, aq më tepër ia ngushton rrethin fjalës “jo” në jetën e fëmijës.
E pra lypset ta përforcosh sjelljen pozitive të fëmijës dhe fjalën “po” të tij, përmes lavdërimit dhe sjelljes pozitive me të.
Së treti, mësoje fëmijën tënd të thotë “po”. Bëje atë ta përsëris shpesh fjalën po dhe lavdëroje faktin sesa bukur e thotë ai fjalën “po”. Kërkoi kohë pas kohe të të ngazëllej duke ta thënë fjalën e mrekullueshme “po”, si për shembull duke i thënë: “Fjala “po” është një fjalë e mrekullueshme, që bëhet edhe më e bukur kur del nga goja jote”, “Babi dhe mami gëzohen shumë kur dëgjojnë nga fëmijët e tyre fjalën ‘po’”, “Sa e bukur është kjo fjalë, sa e mrekullueshme, sa bukur tingëllon kur del nga goja jote!”
Herë pas here thuaji fëmijës tënd: “Thuaj ‘po’!”, derisa t’ia përforcosh atë, të mësohet me të, të mburret me të dhe ta ndjej vlerën e madhe të fjalës “po” në jetën e tij dhe në ndërtimin e raporteve me të tjerët.
Së katërti, vëre fëmijën ta thotë fjalën “jo”, duke e vënë të zgjedhë midis dy gjërave, të cilat janë që të dyja të pranueshme. Për shembull thuaji: “Zgjidh vetë çfarë do të veshësh, këtë rrobë apo këtë tjetrën?”, por mos i thuaj: “Vishe këtë”!, sepse në këtë rast është shumë e mundshme që ai të të përgjigjet me “jo”. Ndërsa kur i thua: “Zgjidh njërën nga këto dyja” dhe vijon e i thua: “A e do këtë?” e ai të thotë “jo”, atëherë nxito t’i thuash: “Atëherë merre këtë tjetrën!”
Kësisoj unë i jap fëmijës tim shansin ta thotë fjalën “jo” për diçka që nuk ndikon negativisht tek sjelljet e tij. Në këtë rast, kur e ke vënë atë të zgjedhë midis dy gjërave dhe ai thotë “jo” për diçka dhe “po” për diçka tjetër, në këtë rast duhet që “jo-së” së tij t’i përgjigjesh pozitivisht, me buzëqeshje apo ngjashëm. Duhet të përgjigjesh kësisoj sa herë që ai sillet drejt, sa herë që e përzgjedh fjalën “jo” teksa ajo nuk përbën asnjë dëm për të.
Ku rregull konsiston në faktin se fjala “jo” nuk është gjithmonë negative, por ka raste kur ajo është pozitive.
Çfarë qëndrimi duhet mbajtur me fjalën “jo” negative të fëmijës:
Ajo që duhet të kemi parasysh është, që të bëjmë kujdes e mos të sillemi pozitivisht me fjalën “jo” kur ajo është negative, të mos i buzëqeshim dhe mos ta presim mirë fëmijën kur ai e përdor këtë fjalë.
Ndodh që disa prindër në fillesat e të folurit të fëmijës së tyre kënaqen me çdo fjalë që thotë fëmija, por duhet bërë kujdes që të mos e shprehim kënaqësinë në sytë e fëmijës, të mos paraqesim interes dhe të mos qeshim kur ai sillet negativisht, pasi kjo përbën një nxitje dhe përforcim të sjelljes negative të fëmijës.
Gjithashtu kur fëmija yt sillet me sjellje negative, nuk duhet të zemërohesh me të, pasi zemërimi yt e bën fëmijën të ta marrë një gjë të tillë për pikë të dobët, përmes të cilës fëmija sa herë që mërzitet apo shikon se i është cenuar dinjiteti, ai për hakmarrje sillet negativisht që të të trazojë dhe mërzisë.
Kujto se fjala “jo” është diçka normale tek fëmijët, sidomos tek fëmijët nga mosha një deri tre vjeç, madje ajo është nga domosdoshmëritë e zhvillimit psikologjik të fëmijës dhe shkëputjes drejt pavarësisë dhe mbështetjes në vetvete, përkundrejt mbështetjes tek të tjerët dhe pasimit. Me kalimin e kohës kjo fjalë rrallohet tek fëmija.
Nëse fëmija yt e thotë shpesh “jo-në” negative në tre vitet e tij të para të jetës, lëre ta thotë atë, pasi sa herë që fëmija yt ta thotë ty “jo-në” e prerë, ai do t’ia thotë atë edhe të tjerëve në të ardhmen, sidomos kjo do ketë vlera pozitive kur ai do të ballafaqohet me njerëzit e devijuar, kur t’i thotë “jo” për shembull atij që i zgjat cigaren. Duke qenë se ai e ka pasur për zakon të thotë “jo” do t’i përgjigjet të tillë personi “nuk e dua cigaren”. Pra, “jo-ja” do të vijë edhe me aspekte pozitive, ndaj kur ta pikasim faktin se fjala “jo” e fëmijës është pozitive, duhet që të ndërveprojmë dhe sillemi pozitivisht me fëmijën, ndërsa kur pikasim se ajo është negative, atëherë duhet që të përdorim teknikat e posaçme, që cekëm më herët për ta trajtuar këtë problem të rëndësishëm të fëmijës sonë.
Deri në një trajtesë tjetër u lë në garancinë e Allahut dhe ju përshëndes me përshëndetjen islame “Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu”.
…
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).