Transmetohet nga Enes ibn Malik (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Nuk ka besuar askush prej jush derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.” (Buhariu, Muslimi)
KOMENT:
Fjala “Nuk ka besuar askush prej jush”, do të thotë se nuk i plotësohet besimi askujt prej jush. Pra, këtu mohohet përkryerja dhe plotësimi i besimit dhe jo besimi vet, duke e quajtur tjetrin kafir, sepse me këtë vepër njeriu nuk del nga feja. Prandaj hadithi vjen në formën e këshillës.
Fjala iman (besim) gjuhësisht do të thotë: pranim që e bën të patjetërsueshëm nënshtrimin. Sipas Ehli Sunetit imani nënkupton besimin me zemër, i cili shoqërohet patjetër edhe me nënshtrimin ndaj këtij besimi, pra imani është iman atëherë kur bëhet me zemër, shqiptohet me gjuhë dhe zbatohen kërkesat e tij me gjymtyrë.
Thotë profeti (alejhi selam): “Imani është shtatëdhjetë e disa degë. Më e larta prej tyre është fjala “La ilahe il-Allah”, më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga; edhe turpi është pjesë e imanit.”
Dega më e lartë: “dëshmia se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin përveç Allahut”, kjo është vepër e gjuhës.
Dega më e ulët: largimi i pengesës nga rruga. Kjo është vepër e gjymtyrëve.
Turpi është vepër e zemrës.
Fjala “për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete”, pra të dojë për vëllanë e tij besimtar prej gjërave të mira, largimin e të këqijave, mbrojtjen e nderit dhe gjëra të tjera, të cilat i do edhe për veten e tij. Kjo gjë është obligim. E mos të ketë hased. Hasedi është kur njeriu shpreson që dikujt t’i largohen begatitë që i ka dhënë Allahu.
Profeti (alejhi selam) ka thënë në një hadith: “Kush dëshiron të largohet nga Zjarri dhe të hyjë në Xhenet, le t’i vijë vdekja duke besuar Allahun dhe Ditën e Ahiretit, si dhe të sillet me njerëzit ashtu siç dëshiron që të tjerët të sillen me të.” (Muslimi)
“Komentar i dyzet haditheve të Imam Neveviut” – Shejh Uthejmin