-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Si të përballemi me islamofobinë

Më të lexuarat

Së pari, duhet të dimë se çfarë është islamofobia: ajo është një formë e urrejtjes, intolerancës ndaj muslimanëve dhe fesë islame dhe buron nga dashakeqësia ose injoranca. Islamofobia është gjithashtu edhe një nga format e shprehjes së racizmit, prandaj dhe përballja me islamofobinë duhet parë në kontekstin e betejës kundra racizmit dhe ksenofobisë, që bëhet kudo nëpër botë.

1. Në reagimin ndaj islamofobisë duhet pasur si model shembulli i Profetit Muhamed (alejhi salatu ue selam), në durimin, maturinë, dinjitetin, mos përuljen, optimizmin, ruajtjen e masës dhe mos kalimin në padrejtësi.

2. Bëhu optimist, mos u demoralizo, sepse duhet të dish se sulmet që i bëhen Islamit dhe muslimanëve, nëse marrin përgjigjen dhe reagimin e duhur, kthehen në favor të Islamit dhe muslimanëve, siç po ndodh këto ditë në Zelandën e Re, ku shumë njerëz po njohin dhe pranojnë Islamin.

3. Bëhu i durueshëm, sepse nëpërmjet durimit vjen fitorja, pas vështirësisë vjen lehtësimi, ndaj mos ndërmerr veprime të nxituara dhe reagime emocionale, që bien ndesh me etikën islame dhe shembullin profetik, sesi ai duronte armiqësinë, persekutimet, fyerjet dhe shpifjet e idhujtarëve.

4. Mos u tërhiq dhe mos merr gjithë kohës rolin e viktimës, por mbro me argumente logjike, fetare, shkencore dhe historike të vërtetat e fesë islame. Debato me të mirë me njerëzit dhe qetësisht, sidomos me ata që janë të paditur dhe nuk janë dashakeqës.

5.Mos fyej asnjë dhe mos shaj njeri, duke iniciuar sulme personale ndaj dikujt (ad-hominem), familjes së tij, prejardhjes, fisit apo origjinës dhe përkatësisë së tij fetare apo racore, sepse ofendimet nuk janë kurrë argument dhe të ulin në sytë e Zotit dhe të njerëzve.

6. Mos shaj dhe mos ofendo asnjë fe, asnjë idhull apo mit, që adhurohet dhe respektohet nga njerëzit, sepse Allahu e ka ndaluar këtë gjë në Kuran dhe se kjo mund të bëhet shkak që njerëzit të shajnë vetë Zotin. Por, kjo natyrisht nuk të ndalon aspak të japësh argumente të ftohta për të kritikuar dhe kundërshtuar këto besime të gabuara.

7. Mos mbro gabimet e muslimanëve dhe fajet e tyre, por distancohu nga këto gabime, sepse e vërteta dhe e drejta është qëllimi më i madh në jetën e një besimtari dhe kjo është ajo që kërkon Allahu prej nesh.

8. Sqaro keqkuptimet e njerëzve për Islamin, duke marrë shembuj edhe nga veprimet negative të atyre që motivohen nga besime e ideologji të caktuara, apo sesi ato keqpërdoren dhe keqkuptohen dhe se askush nuk është imun nga gabimet, as muslimanët. Nuk mund të fajësohet makina, sepse është i keq shoferi.

9. Hiq nga shoqëria (friends), apo ndjekja (follow) në rrjetet sociale (FB etj.) të gjithë ata njerëz apo grupe, që janë islamofobë, fyejnë Islamin dhe muslimanët. Nuk ke nevojë të informohesh për vrerin që vjellin ndaj Islamit dhe muslimanëve. Edhe nëse kjo të intereson, këtë mund ta bësh pa qenë fare mik me ta apo ndjekës i tyre, sepse kjo iu rrit atyre shoqërinë dhe shikueshmërinë dhe përmbush synimin e tyre. Për më tepër, ekziston rreziku që të përfshiheni në gjynahun e atyre që Allahu në Kuran, na ndalon të qëndrohet me ta, kur flasin keq për fenë dhe për Zotin.

10. Mos komento në postimet islamofobe, sepse kjo rrit shikueshmërinë e tyre, por bëju atyre report dhe nxit edhe të tjerët t’iu bëjnë report.

11. Krijo grupe miqsh ose komuniko me ta në privat, për t’iu bërë report videove, fotove dhe shkrimeve që fyejnë fenë ose muslimanët. Bëjini report si gjuhë urrejtjeje dhe luftënxitëse ndaj grupimeve fetare.

12. Bisedoni me miqtë tuaj muslimanë ose jo, për rrezikun që paraqet islamofobia. Mos harroni që këtë shqetësim t’ua paraqisni edhe miqve politikanë, nëse keni, dhe intelektualëve dhe ilustrojeni këtë me shembuj konkretë.

13. Bëhuni pjesë e peticioneve të ndryshme online që denoncojnë islamofobinë, që kërkojnë dënimin e saj me ligj, apo dhe nxjerrjen e ligjeve në këtë drejtim.

14. Nxisni hoxhallarët dhe imamët nëpër xhami, që të predikojnë dhe flasin për këtë fenomen të rrezikshëm dhe se si duhet përballuar ai, në përputhje me etikën islame dhe ligjet në fuqi të vendit ku jetojmë.

15. Dërgoni letra ankese në grupe, ndaj institucioneve ligjzbatuese, ndaj AMA-s, qeverisë, etj. Paditini në gjykatë ose prokurori ata individë islamofobë, që nxisin frymën e urrejtjes ndërfetare, duke mbledhur fakte dhe prova për secilin rast.

16. Bëhuni aktivë, ndërmerrni çdo nismë ose bëhuni pjesë e atyre nismave që luftojnë islamofobinë. Kontribuo sa të kesh mundësi dhe mos u bëj pasiv, qoftë edhe me një status, një share, një këshillë apo një report. Të jeni të bindur se çdo vepër e sinqertë që bëni për të mirën dhe besimin tuaj do të shpërblehet.
Mos synoni me atë që bëni, vetëm suksesin, por shpërblimin e Zotit në radhë të parë, sepse suksesi është vetëm në dorën e Tij dhe do të vijë edhe nëse vonon, ndaj mos u tërhiqni dhe mos u demoralizoni asnjëherë.

Këto janë vetëm disa sugjerime në këtë drejtim, por natyrisht që ka edhe më tepër çfarë ne mund të bëjmë për të luftuar islamofobinë, dhe mbi të gjitha, me modelin tonë islam të sjelljes, kudo që jemi.

/ Hoxhë Justinian Topulli /

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit