-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Si të pendohem?! – Hoxhë Bekir

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Përshëndetjet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhammedin dhe familjen e tij.

Njeriu, qoftë edhe besimtar shembullor, mund të gabojë. Për këtë shkak ekziston pendimi ndaj Zotit Madhështor, pendim, i cili nuk ka nevojë për ndërmjetësim të dikujt, por mjafton zemra e pastër. Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Çdo bir i Ademit gabon, ndërsa më i miri prej gabimtarëve është ai, i cili pendohet.” (Ahmedi, hadithi është autentik).

Pra, për të qenë ndër njerëzit më të mirë në këtë dhe në botën tjetër, jemi të obliguar me pendim ndaj Zotit të Vetëm.

Ebu Seid el-Hudriu, radijallahu anhu, thotë:

“Ju sot po bëni disa vepra, të cilat në sytë e juaj duken më të holla se qimja, kurse ne në kohën e Pejgamberiti, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, konsideronim si mëkate të mëdha”. (Buhariu).

Këto fjalë të këtij as-habi të nderuar na sqarojnë rrezikun e gjendjes sonë, këto ditë kur kemi filluar t’i konsiderojmë mëkatet të imta dhe nuk e shohim rrezikun e veprimit të tyre, edhe pse mëkatet që i bëjmë mund të jenë të mëdha, madje disa prej nesh nga pakujdesia bëjmë mëkat as duke mos e hetuar.

Të ndiesh keqardhje për gabimin e bërë është kushti më i rëndësishëm i pendimit.

Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Të ndiesh keqardhje (për mëkatin e bërë) është pendim.” (Ahmedi, hadithi është autentik).

Kështu mund ta humbim një rast të volitshëm për pendim. Gjithashtu, konsiderimi i mëkateve të vogla bën që mëkatari të adaptohet në mëkate dhe të mos ketë kujdes a bën mëkate ose jo, edhe pse Allahu i Madhëruar na ka ofruar rast për pendim dhe kërkim faljeje, siç thotë Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem:

“Pronari i të majtës (meleku që i shkruan mëkatet) ngrenë lapsin e tij gjashtë orë nga myslimani mëkatar, nëse pendohet dhe kërkon falje për këtë (mëkat), e lëshon, përndryshe ia shkruan një mëkat”. (Taberaniu, hadithi është hasen).

Për këtë shkak, në rast se myslimani bën mëkat, nuk guxon të dëshpërohet, por e ka për detyrë ta pranojë mëkatin ndërmjet tij dhe Zotit, të pendohet dhe ta dijë se “zvogëlimi” i mëkatit nuk i bën dobi, as që e zvogëlon krimin, përkundrazi- e shton dhe e zmadhon atë, ngase kjo është nënçmim i ndalesave të Allahut.

Rruga e vërtetë është pendimi, që myslimani të përfitojë nga gjerësia e mëshirës së Allahut dhe të ecë rrugës së vërtetë, në ç’mënyrë do ta shpëtojë veten nga dënimi i Allahut.

Duhet ditur se pendimi i sinqertë është obligim i çdo myslimani.

Allahu, tebareke ve teala, thotë:

“O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…” (Et-Tahrim: 8).

“Ata që nuk pendohen, janë mizorë”. (El-Huxhurat: 11).

Muhammedi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“O njerëz, pendohuni te Allahu, sepse unë pendohem njëqind herë në ditë!” (Muslimi).

Të gjithë dijetarët islamikë pajtohen në atë, se pendimi është i obliguar dhe i domosdoshëm.

Nëse do të pendohesh sinqerisht duhet ti kesh parasysh këto gjëra:

Një: Mos e nënçmo mëkatin. Mos shiko se çfarë mëkati bën por shiko se kujt i bën mëkat.

Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Keni kujdes mëkatet e vogla, sepse shembulli i mëkateve të vogla është sikur shembulli i një populli që kishte zbritur në një luginë dhe vjen një njeri me një degë, vjen tjetri po ashtu me një degë, derisa tubuan aq drunj, saqë poqën bukën. Nëse dikush bën mëkate të vogla (pandërprerë), ata e shkatërrojnë atë.” (Ahmedi, hadithi është autentik).

Dy: mos e llogarit mëkatin asgjë pse të tjerët e bëjnë.

Tre: Duhet patë kujdes të mos bëjmë mëkate haptazi dhe të mos u tregojmë njerëzve mëkatet që i kemi bërë në të kaluarën.

Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“I gjithë ummeti është i falur, përveç atyre që i bëjnë mëkatet haptazi”. (Buhariu dhe Muslimi).

Katër: Mos e vono pendimin.

Askush nuk e di se kur mund t’i vjen vdekja. Ajo mund të jetë më afër se sa mendon, mund të vjen papritur, kurse pendimi nuk pranohet gjatë gargaritjes së vdekjes, kur vjen shpirti në fyt.

Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Allahu i Lartësuar pranon pendimin e robit derisa ai nuk gargaritë (para vdekjes).” (Ahmedi, hadithi është hasen).

Pesë: Mos vazhdo në të bërit mëkate.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

“…Edhe ata, të cilët kur bëjnë ndonjë të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre-e kush i fal mëkatet përveç Allahut?-dhe që duke e ditur, nuk vazhdojnë atë që kanë punuar.” (Ali Imran: 135).

Gjashtë: Mos u mashtro me të mira në këtë botë, edhe pse ti akoma vazhdon të bësh mëkate.

Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Kur të shohësh se Allahu i jep një robi (të vet) prej kësaj bote atë që e do, kurse ai akoma bën mëkate, dije se kjo është shkallëzim drejt shkatërrimit të tij nga Allahu”. (Ahmedi, hadithi është autentik).

Shtatë: Mos e humb shpresën nga mëshira e Allahut, sepse Ai thotë:

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni bërë gabim ndaj vehtes, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi. Dhe kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë më kush t’ju ndihmojë.” (Ez-Zumer: 53-54).

Ajo që më së tepërmi nxit në pendim është se pendimi i sinqertë, përveç që i fshin mëkatet, ai edhe i shndërron mëkatet në shpërblime.

Allahu, azze ve xhel-le, thotë:

“S’ka dyshim se veprat e mira i fshijnë të këqijat”. (Hud: 114).

Muhammedi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“…Pas të keqes bëje një të mirë, e cila e fshin të keqen…”. (Tirmidhiu, hadithi është autentik).

Allahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Përveç atij që është penduar, ka besuar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është Falësi (i mëkateve), Mëshiruesi.” (El-Furkan: 70).

Kujtoje faktin se Allahu, azze ve xhel-le, është i Fisnik, Falës, më i Mëshirshëm ndaj robërve të Vet sesa nëna për fëmijën e saj. Për këtë shkak duhet drejtuar Allahut me pendim dhe duke kërkuar falje, sepse Allahu nuk largohet prej robit që shpreson Mëshirën e Tij, e cila kaplon çdo gjë.

Gjithashtu po e përmend përsëri se pendimin nuk duhet vonuar.

“Shembulli i atij që e vonon pendimin është sikur shembulli i atij që ka nevojë ta presë një dru, mirëpo e sheh drurin e madh dhe të fortë, i cili nuk mund të pritet lehtë, dhe thotë: “Do të vij vitin e ardhshëm”, kurse nuk e din se sa më tepër kohë kalon, druri bëhet aq më i fortë dhe rrënjët e tij futen edhe më thellë në tokë, kurse ai sa më shumë dobësohet (për shkak se fillon të plaket). Ai dobësohet e druri forcohet. A thua do ta presë ndonjëherë?”

Dhe për në fund, Allahu, subhanehu ve teala, në hadith kudsij thotë:

“Atij që më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah, atij që më afrohet një krah, i afrohem një pash dhe atij që më afrohet me ecje, i afrohem me shpejtësi.” (Muslimi).

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit