3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Si të menaxhojmë fetarisht virusin Korona?

Më të lexuarat

Pyetje: Si të përballemi dhe si ta menaxhojmë rrezikun e virusit Korona fetarisht në këto momente, kur ai po përhapet edhe më shumë jashtë dhe brenda vendit tonë, kur shikojmë se njerëzit janë të frikësuar?

Përgjigje: Nëse do të flasim nga ana e fesë, fillimisht duhet të kemi parasysh tekstet fetare nga ku besimtari formon konceptet e tij fetarisht. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) në një hadith thotë: “Kurohuni o robër të Allahut, se Ai që zbriti sëmundjen zbriti dhe ilaçin.” Transmetuan Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Fillimisht hadithi e nxit besimtarin të kërkojë zgjidhje, duke u kuruar sepse gjithmonë ka një zgjidhje. Andaj në rastin konkret muslimani duhet të ndjekë të gjitha udhëzimet përkatëse, që lidhen me parandalimin e virusit fillimisht ose me kurimin e tij për të gjetur shërim.

Në të njëjtën kohë hadithi na tregon, se njeriu nuk duhet t’i humbë shpresat, por të shfrytëzojë të gjitha hapësirat e mundshme për t’u përballur me sprovën. Kjo do të thotë, se besimtari nuk duhet të jetë pjesë e panikut, por të shfaqë natyrë optimiste, duke shpresuar se Allahu do ta mbrojë ose do ta shërojë. Por edhe në rastin më të keq besimtari e di shumë mirë, që çdo gjë nuk ndodh pa caktimin dhe urtësinë e Allahut dhe kjo e shtyn atë, që të ruajë qetësinë, por dhe të këshillojë të tjerët për të njëtën gjë. Në një hadith profetik tregohet, se Aishja e pyet Profetin (alejhis-salatu ues-selam) rreth epidemisë së Murtajës dhe ai i thotë: “Murtajën e çon Allahu si dënim për kë të dojë dhe mëshirë për besimtarët, andaj kushdo që preket nga Murtaja të qëndrojë në vendin e tij (i izoluar) duke bërë durim, duke e ditur se asgjë nuk e dëmton veç asaj që Allahu ka shkruar për të, e ai do të ketë shpërblimin e shehidit (dëshmorit që vdes në rrugë të Zotit).” Transmetoi Buhariu.

Nga ana tjetër, një armë tepër e fortë për sa thamë më sipër është edhe duaja, lutja e vazhdueshme që bën besimtari, që Allahu ta ruajë ose ta shërojë nga çdo sëmundje. Nuk mund të gjejmë zgjidhje për një sprovë, që na e çon Zoti pa Zotin. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) edhe pse nuk u përball me epidemi në jetën e tij ai i lutej Allahut vazhdimisht ta ruante nga sëmundjet ngjitëse, epidemitë dhe nga sëmundjet e këqija. Gjithashtu kërkimi falje, istigfari ku besimtari thotë: “Estagfirullahe ve etubu ilejhi” është një armë shumë e fortë për t’u përballur me sprovat dhe sëmundjet. Allahu në Kuran thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.” Surja el-Enfal 33.

Po ashtu, në raste dhe momente të vështira Profeti (alejhis-salatu ues-selam) i mbështetej Allahut nëpërmjet këtyre fjalëve: “Hasbijallahu ue ni’mel uekil”, që do të thotë: Më mjafton Allahu, sa mbrojtës i mirë është Ai!”

Këtu nuk lemë pa përmendur falënderimin, shukrin, për të qenë mirënjohës ndaj të gjithave mirësive dhe begative që Zoti na ka dhënë si dhe lavdërimin dhe madhërimin e Tij në formë të vazhdueshme, gjë e cila ka qenë pjesë e pandashme e jetës profetike të Muhamedit (alejhis-slatu ues-selam), pa lënë mënjanë Teuhidin, dëshminë për njëshmërinë e Allahut të Madhërishëm. Këto kuptime që përmendëm i përfshin lutja ku thuhet: “Subhanellah, uel-hamdu lil-lah, ue la ilahe il-llahu vall-llahu ekber, Allahu ekber ue lil-lahil-hamd.”

Gjithashtu besimtari duhet të lidhet më shumë me Zotin nëpërmjet adhurimeve të ndryshme vullnetare duke përfshirë edhe sadakanë, dhënien lëmoshë për nevojtarët me nijetin e ruatjes ose shërimit, sepse kjo jo vetëm që është përmendur në hadithe profetike, por është ruajtur si traditë brez pas brezi që nga koha e sahabëve e deri më sot. Së fundmi këshillojmë këndimin e Kuranit me nijetin e ruajtjes nga sëmundjet dhe me nijetin e rukjes për të gjetur shërim, sepse Kurani është mrekulli më vete, jo vetëm për udhëzimin dhe orientimin e njerëzve për në rrugën e drejtë, por edhe për shërimin e zemrës nga veset negative dhe shërimin e trupit nga sëmundjet fizike.

Në formë të përmbledhur besimtari duhet të bëjë këto gjëra fetarisht:

1- Të ndjekë udhëzimet përkatëse për parandalimin, frenimin dhe mospërhapjen e virusit.

2- Nëse dikush është prekur nga virusi, të izolohet dhe të mjekohet.

3- Të çojë në mendje gjithnjë se çdo gjë ndodh me caktimin dhe urtësinë e Zotit.

4- Mos të kalojë në panik, as mos të përhapë panik tek të tjerët.

5- Të ruajë qetësinë, të jetë i durueshëm dhe të këshillojë veten dhe të tjerët për çka u tha më sipër e çfarë do të vijojë.

6- T’i mbështet Allahut totalisht, të shpresojë prej Tij, se do ta ruajë ose do ta shërojë, duke mos lënë mënjanë lutjen: “Hasbijall-llahu ue ni’mel uekil”

7- Të kërkojë falje, pra të bëjë istigfar sa më shumë me fjalët: “Estagfirullahe ue etubu ilejhi.”

8- T’i lutet Allahut me përgjërime dhe me sinqeritet, që ta ruajë e ta shërojë dhe mos të harrojë të tjerët në lutjet e tij.

9- Ta falënderojë Allahun për mirësitë dhe dhuntitë e panumërta që i ka dhënë, duke përfshirë falënderimin për besimin, jetën, forcën, shëndetin, etj.

10- Ta përmendë Allahun shumë, mëngjes e mbrëmje duke e madhëruar dhe e lavdëruar Atë me fjalët si: Subhanellah, Allahu ekber, la ilahe il-lalla-llahu, etj ose në formë të përmbledhur me lutjen që kemi përmendur më sipër.

11- Të shtojë sa të ketë mundësi adhurimet vullnetare si namazi, agjërimi etj.

12- Të japë sadaka duke u munduar të gjejë nevojtarë e hallexhinj, që kanë nevojë për gjëra jetike, qofshin ato ushqime për të varfërit, ose ilaçe për të sëmurët, që Allahu ta ruajë dhe këtë për sprovën që i ka rënë.

12- Të lexojë sa më shumë Kuran, e nëse është e mundur të bëjë hatme, sepse fjala e Allahut, Kurani e qetëson shpirtin, e forcon zemrën, fut shpresën, është shkak për parandalim ose shërim nga sëmundjet fizike, nëse lexohet me nijetin e rukjes dhe të lidh më shumë me Krijuesin.

13- Të largohet sa më shumë nga gjynahet, sidomos gjynahet e mëdha dhe zullumet, padrejtësitë.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit