1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Si të dalloni një lider karizmatik me integritet?

Më të lexuarat

Cili është ndryshimi mes njerëzve me një jetë dhe arritje mesatare dhe atyre që bëjnë pjesë në 10% e njerëzve më të suksesshëm?

Mendoni se është talenti?
Mendoni se është puna?
Mendoni se janë prindërit?
Mendoni se janë kushtet ku dhe si janë rritur?

 

Me këto pyetje nuk dua të them se vendi ku kemi lindur apo ambjenti ku jemi rritur nuk ndikon, sepse ndryshimi apo mundësitë mes dikujt që ka lindur në Angli, Norvegji, apo në Shqipërinë është shumë i madh.
Por ajo që dua të them është që, pavarësisht kushteve ku dikush ka lindur, ku është rritur, apo pa marrë parasysh sa i talentuar është në një fushë të caktuar, ai mund të jetë shumë i suksesshëm.
Për të arritur suksesin, më shumë se talenti apo njohuritë në një X fushë, ju ndihmon fakti se si dhe sa mund të influenconi të tjerët.
Shumë njerëz të suksesshëm, qofshin ata këngëtarë, njerëz biznesi, politikanë, nuk kanë lindur në familje të pasura, kanë pasur një jetë shumë të vështirë, nuk janë ndoshta as më të bukurit, por ata gjithësesi bëjnë pjesë në grupin e njerëzve karizmatik dhe shumë të suksesshëm.
Ndoshta me disa prej tyre, kur kanë qenë fëmijë, kanë abuzuar si seksualisht, fizikisht apo mendërisht, por ata nuk e konsiderojnë veten viktima. Ata janë lidhur me bërthamën e tyre të brendshme të pastër, kanë gjetur karizmën e brendshme dhe kanë ndryshuar fatin e tyre.

Po, ne fatin mund ta ndryshojmë!

Kur flasim se si të influencojmë të tjerët, nuk e kam fjalën për detyrim apo sjellje arrogante, sepse ka njerëz të cilët mund të ndjekin trajnime pa fund, mund të kenë edhe coach-at më të mirë në Botë, por gjithësesi kanë një autoritet prej diktatori. Karizma është diçka komplet tjetër.

Personi karizmatik motivon. Ai di si të stimulojë të tjerët që të bëjnë punë shumë të vështira, di si të veprojë që ekipi të bashkëpunojë për të njëjtin qëllim, di si t’i drejtojë ata drejt rezultateve, duke ruajtur energjinë pozitive dhe frymën e bashkëpunimit.
Një lider karizmatik nuk ngarkon ekipin me aq shumë detyra sa ata të arrijnë deri tek ‘burnout’, rraskapitje totale, as nuk i detyron klientët me mënyra të ndryshme që të nënshkruajnë kontrata apo të blejnë produktet apo shërbimet që ai dhe kompania e tij ofrojnë, por karizma, sjellja, integriteti, i tërheq njerëzit drejt atij ose asaj kompanie.

Njerëzit apo liderat karizmatikë dinë gjithashtu si të inspirojnë. Kjo gjë nuk ndodh rastësisht, sepse suksesi nuk është rastësi. Ata përçojnë energji pozitive ngjitëse, por për të shpërndarë një energji të tillë, ata e fillojnë ditën, çdo ditë duke marrë vendime të mira.
Këta persona janë të vetëdijshëm për gabimet apo mungesat e tyre. Gjatë udhëtimit të jetës, gjatë rrugës drejt suksesit punojnë me qëllim për të ndryshuar ato gjëra që ata i pengojnë.

Po çfarë dhe si mund të mësojmë nga këta persona?

Sot dua t’ju them që ju edhe tani influenconi të tjerët. Për t’u afruar sa më shumë me grupin që i përkasin 10%, fillimisht është e nevojshme që të kuptoni se çfarë bëni tani. Sa herë që i jepni dorën dikujt, automatikisht ngacmoni modelin që keni të rrënjosur brenda vetes, model i cili është krijuar për shumë arsye. Sa herë që bëni pyetje, sa herë flisni apo dëgjoni dikë, ju tregoni qartë modelet sociale të sjelljes që keni brenda vetes.
Shpesh tek dikush mjafton një shikim, qëndrimi i trupit, pozicioni i kokës, tonaliteti i zërit. Me të gjitha këto ju shprehni gjendjen tuaj emocionale, nga e cila varet se si e bëni bashkëfolësin të ndihet. Kjo gjë ndikon tek ajo se sa bashkëfolësi është i gatshëm të bashkëpunojë me ju, t’ju ndjekë apo t’ju besojë.

Ndoshta dikush ia arrin që me disa njerëz të fshehë ndjenjat e tij të brendshme, por kjo taktikë nuk funksionon gjithmonë dhe jo me të gjithë.

Njerëzit e parë, të cilët influencojnë tek ne, janë prindërit. Fëmijët thithin çdo lloj informacioni nga prindërit dhe nga njerëzit, të cilët kujdesen për ta, apo me të cilët kalojnë kohën. Prindërit lexojnë libra, por fëmija nuk e merr informacionin vetëm me fjalë, por edhe me lëvizjet e trupit, shikimin, tonalitetin e zërit. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme që si prindër t’i kushtojmë shumë vëmendje, sepse fëmijët brenda familjes formojnë bazat e karakterit të tyre. Kur arrijnë në moshën e adoleshencës ata fillojnë të filtrojnë informacionet e marra brenda familjes dhe fillojnë të ndryshojnë, ndryshim që shpesh brenda familjes krijon konflikte. Këtu është momenti kur ata riformatojnë hartën e tyre. Në këto vite ata fillojnë të shtrojnë rrugën drejt 10%.

Po nëse kjo gjë nuk ndodh në atë moshë, mundet që dikush të ndryshojë fatin apo drejtimin e tij në jetë?
Po, çdo moment kushdo mund të fillojë të punojë për të qenë një person karizmatik dhe me integritet. Ne, në mënyrë të vetëdijshme mund të ndryshojmë sjelljen, mund të krijojmë zakone të reja, mund të ndryshojmë rutinat ditore në disa fusha të jetës, gjithmonë me qëllimin për të arritur ato çfarë nga jeta dëshirojmë.

Me këto ndryshime ndërpresim modelet dhe mendimet atutomatike.

Njeriu ka disa modele të sjelljes, si dhe modele mendimesh automatike.

Sipas Roberto Cialdinit, një nga këto modele është aprovimi social.

Aprovimi social, do të thotë që ne bëjmë atë gjë që bën shumica, sepse si qenie njerëzore ne nuk mund të jetojmë të veçuar.

Ne mësojmë brenda familjes si dhe nga shoqëria ku jetojmë rregulla të ndryshme, shpesh edhe të pashkruara. Në fund të fundit, janë këto gjëra që mbajnë një shoqëri në këmbë dhe kjo gjë na jep siguri.
Një shembull ideal është moda. Nëse dikush vishet me rroba që kanë qenë në modë para 10 apo 15 vjetësh, mendoni se ka më shumë influencë se dikush që ndjek të renë? A ka vend për manipulime?
Sigurisht që po.
Por, pavarësisht se ne jemi të vetëdijshmëm për këtë informacion, vetëm vetëdijësimi nuk na mbron.

Kemi edhe disa modele të tjera sjelljesh apo mendimesh automatike.

Mungesa apo pamjaftueshmëria. Kjo metodë përdoret nga shumë kompani, sepse diçka e rrallë, apo me një sasi të vogël është më e kërkuar.

Autoritetet dhe personat me influencë. Çdo shoqëri ka autoritete me funksione të ndryshme, të cilët ndihmojnë që ajo shoqëri, ai shtet të funksionojë. Kemi mësues, mjekë, kemi policinë, gjyqtarët, drejtues kompanish, udhëheqës, e të tjerë persona me influencë. Ne jemi mësuar që të mbështetemi tek personat që janë kompetentë apo përgjegjës për atë X fushë. Shpesh nuk bëjmë pyetje, por thjesht u besojmë, prandaj është shumë e rëndësishme që çdo person në profesionin e tij të punojë me integritet dhe brenda etikave morale, sepse askush nuk bëhet një person me autoritet, apo person i respektuar duke ngritur zërin. Ne këta persona i respektojmë automatikisht sapo shikojmë uniformën që kanë, titullin që mbajnë, dokumentat që tregojnë.

Gjithësesi, simbolet apo titujt që dikush mban, janë thjesht simbole apo uniforma. Kur për diçka dyshoni, është mirë që të pyesni veten:

a) Ky person është i vërtetë, vepron me integritet?
b) Ky person është i përshtatshëm, apo informacioni që ky person më ofron, është informacioni i duhur?

Asocimi. Zakonisht ne e lidhim një perosn apo diçka me një eksperiencë personale, qoftë kjo e mirë apo e keqe, pa analizuar gjatë. Pyetja që mund t’i bëni vetes në këto raste është:
Kjo gjë apo ky mendim qëndron?

Konsistenca. Një nga problemet më të shpeshta që ndeshim me zhvillimin personal është ajo që njerëzit insistojnë dhe kapen pas mendimeve, zakoneve dhe ritualeve të tyre, pavarësisht se ato ata i dëmtojnë. Disa i mbrojnë me fanatizëm disa ide dhe mendime të tyre, sidomos ato gjëra për të cilat ata janë shumë krenarë, gjë që tregon se në përgjithësi kemi tendencën e të qenit jo shumë mendjehapur. Nëse dikush ka investuar vite apo gjithë jetën që të ushqejë dhe të përforcojë atë ide, mendim, besim, do vazhdojë të insistojë edhe kur ka prova që vërtetojnë të kundërtën.

Me të drejtë mund të pyesni se si ju vetë mund të ndryshoni, të përmirësoheni, apo si mund të dalloni njerëzit karizamtikë, por pa integritet?
Në këtë shkrim kam përmendur vetëm disa pika kryesore.
Për më shumë mund të ndiqni programet e plota që unë ofroj, ku me studentët dhe pjesëmarrësit e trajnimeve ndaj se si këto sjellje, veprime, zakone, ndryshime pozitive, t’i ktheni në kompetenca të pavetëdijshme.  /BM/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit