4.8 C
Pristina
Saturday, January 25, 2025

Si ta ndiejmë veten kudo si në ‘shtëpinë tonë’

Më të lexuarat

Është e domosdoshme që të ketë një opinion të duhur filozofik dhe qëndrim moral në mënyrë që të përballojë problemet politike dhe ekonomike të tjetërsimit dhe shpronësimit që ne shohim se janë duke shkuar në mënyrë të shfrenuar në botën e sotme.

 

– Nga Ibrahim Kalin –

Filozofi gjerman Martin Heidegger në librin e tij me titull «Konceptet themelore të metafizikës», një libër i përbërë nga shënimet e leksioneve që ka dhënë në vitet 1929-30, citon një aforizëm nga Georg Philipp Friedrich Freiherr von Hardenberg, i njohur ky me pseudonimin Novalis, në lidhje me kuptimin e filozofisë: “Filozofia është me të vërtetë mall për atdhe, është dëshira e njeriut për ndjerë veten kudo si në shtëpinë e tij”. Heidegger nga njëra anë e përshkruan si «romantike» këtë aforizëm të Novalisit, kurse nga ana tjetër jeton me këtë aforizëm dhe e merr atë si një pikënisje për konceptimin e tij të reflektimit filozofik. Veçoria kryesore e filozofisë është «duam që kudo të jemi në shtëpi» Heidegger shton: “Filozofia mund të jetë një dëshirë e tillë në qoftë se ne që filozofojmë nuk jeni kudo në shtëpi. Të jesh kudo në shtëpi, do të thotë të jesh tani dhe gjithmonë brenda tërësisë. Të qënurit “brenda tërësisë” dhe karakteristikën e saj tërësore ne e emërtojmë botë.

Humbja e kësaj tërësie ka qenë një lajtmotiv i njeriut modern për ndërtimin e vetvetes. Mall për atdheun vjen nga kjo humbje dhe na nxit për të kërkuar shtëpinë tonë – vendi ku ne të ndihemi përsëri të plotë dhe të gjithë. Në moshën e «Mendjeve të pastreha», sipas shprehjes së Peter Berger-së, njeriut i duhet të kërkojë një strehë në pikëpamjen e mundësisë irrituese që ne kurrë nuk mund ta gjejmë atë. Pikërisht ashtu siç raportohet të ketë thënë mendimtari mysliman Bajazid Bastami, i cili ka jetuar në shekullin e nëntë, dhe siç shkruhet në këto rreshta: “ju nuk mund ta gjeni të vërtetën duke e kërkuar atë, por ata që e kanë gjetur atë janë ata që vazhdojnë të jenë në kërkim të saj”.

Në një moshë të shpirtrave të zhbirë dhe mendjeve të pastrehë, aludimi i Heidegger-it në lidhjen mes të reflektimit filozofik dhe kërkimin e vendit tonë në botë ofron një pasqyrë të rëndësishme në atë që ai e quan «kufizueshmëri» dhe «individualizim». Ndërveprimi ynë me ‘botën’ është i bazuar në faktin se ne jemi qenie të fundme që mund të kapim domethënien e Dasein si qenie të fundme, individuale dhe të vetmuara.

Edhe filozofët myslimanë e kanë parë botën si një vend, në të cilin ne vazhdojmë të kërkojmë për të zbuluar të vërtetën me synimin për të realizuar veten tonë. Por, përcaktimi i tyre për filozofinë ka një pasqyrë shtesë në kuptimin e gjërave dhe marrëdhënieve të tyre me ne njerëzit. Sipas përkufizimit klasik që është dhënë që nga al-Kindi dhe al-Farabi e deri tek Mulla Sadra, filozofia është të dish të vërtetën e gjërave ashtu siç janë, për qeniet njerëzore aq sa kjo të jetë e mundshme, dhe të veprosh në përputhje me rrethanat. Ky përkufizim supozon se ekziston një gjë e tillë, pra realiteti i gjërave, dhe si qenie e fundme njerëzore ne mund të përpiqemi për ta ditur atë. Por duke e ditur se si një aktivitet mendor ‘të dish’ nuk është e mjaftueshme; njeriu duhet të veprojë sipas asaj që e di, d.m.th. në përputhje me realitetin e gjërave. Duke e marrë realitetin në kuptimin më të gjerë të fjalës kjo do të thotë, ndër të tjera se realiteti duhet marrë seriozisht dhe duhet trajtuar me kujdes dhe respekt. Ne nuk jemi pronarët dhe zotëruesit e botës; ne mund të jemi vetëm kujdestarët e përgjegjshëm dhe bashkëbiseduesit e mençur të saj.

Vetëm se këtu duhet pasur kujdes në diçka. E vërteta e përcaktuar nga filozofët myslimanë është më e madhe se sa mund përfshijë bota brenda. Kjo është e vërteta që njeriu kërkon të zbulojë, jo thjesht vetëm botën në vetvete. Kjo është e vërteta që na shërben neve si terren, strehë dhe në shtëpi. Të qenurit në këtë botë, në vetvete nuk na jep ndonjë privilegj në kërkimin tonë për të vërtetën. Ajo duhet të jetë e shoqëruar me një kuptim të botës, që shkon përtej kufizimeve të saj mendore dhe fizike.

Kjo është ajo ku filozofia, si një ushtrim shpirtëror na nxjerr në një udhëtim që na mundëson të dëshmojmë vendin tonë në botë dhe çfarë shtrihet përtej saj. Qëllimi përfundimtar i reflektimit filozofik është të kapërcejë ekzistencën tonë individuale brenda «horizontit të qenies», siç e quan atë Mulla Sadra. Kjo është ajo ku filozofia formale maturohet në dituri hyjnore (Sofizëm, Hikmet) dhe na prit drejt horizonteve të reja intelektuale dhe shpirtërore. Ky është një udhëtim, ku ne zbulojmë dhe ri-zbulojnë kuptimin e ekzistencës dhe vendin tonë brenda saj. Është ky udhëtim, që na jep strehën tonë dhe vendin e duhur në këtë botë. Kjo është se si ne vijmë në horizontin e të ekzistuarit në mënyrë që kudo “të jemi në shtëpinë tonë.”

Vetëm se kjo nuk sugjeron në asnjë mënyrë një filozofi të ikjes nga realiteti, ku ne të bëjmë një sy qorr e një vesh të shurdhët ndaj padrejtësive dhe shfrytëzimit në botë. Përkundrazi, është e domosdoshme që të ketë një opinion të duhur filozofik dhe qëndrim moral në mënyrë që të përballojë problemet politike dhe ekonomike të tjetërsimit dhe shpronësimit që ne shohim se janë duke shkuar në mënyrë të shfrenuar në botën e sotme. Realitetet e vështira politike nuk duhet të jenë një justifikim për të na penguar në rrugën tonë në kërkim të të vërtetës. Kjo është e mundur vetëm kur ne të kemi përvetësuar kuptimin e vërtetë të reflektimit filozofik si urtësi dhe përsosje shpirtërore. Qëllimi i të pyeturit filozofik është që të zgjojë përbrenda nesh këtë vetëdije. Qëllimi i tij përfundimtar është që të na bëjë ne njerëzit, qenie më të mira. Nëse do të perifrazonim sërish Sadra-n, duke u bërë një person më i mirë do të thotë kapërcimi i vetes tonë dhe lidhja me një parim më të lartë, që nuk mund të monopolizohet dhe të manipulohet nga një vetë-mashtrues dhe egoja arrogante. Në shtëpinë tonë mund të jemi kudo nëse decentralizohet egoja komanduese dhe zbulohet realiteti më i madh, ku ne jemi vetëm një pjesë e tij.

 

Autor:Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar Hüseyni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit