9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Si Sionizmi e shkatërroi bashkëjetesën shekullore arabo-hebreje

Më të lexuarat

Gjynahet e djeshme dhe të sotme të fuqive evropiane

Nga Yehia Mekawi & Amir Fleischmann, New Arab

Qeveria izraelite dhe shumica e mediave perëndimore, duan që ju të besoni se lufta e Izraelit ndaj Gazës po zhvillohet në emër të qytetërimit perëndimor. Sipas kësaj propagande, Izraeli është në vijën e parë kundër turmave të njerëzve të palarë në Jugun Global, dhe palestinezët janë “barbarët” që duhet të shtypen.

Kjo logjikë raciste dhe koloniale përhapet vazhdimisht për të justifikuar gjenocidin e Izraelit ndaj popullit palestinez si pjesë e projektit kolektiv “civilizues” të Perëndimit. Por jo shumë kohë më parë, Judaizmi ishte i përjashtuar nga i ashtuquajturi qytetërim perëndimor.

Për pjesën më të madhe të historisë, hebrenjtë në Evropë dhe Lindjen e Mesme kanë qenë viktima të imperializmit perëndimor dhe jo agresorë në emër të tij. Nacionalizmi perëndimor, u ndërtua mbi idenë se shtetet përbëhen nga grupe etnike të përcaktuara dhe homogjene. Por kjo nuk është mënyra se si njerëzit kanë jetuar për pjesën më të madhe të ekzistencës sonë. Dhe dëshmi për këtë është historia e gjatë të komuniteteve hebraike në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe më gjerë.

Sigurisht, ekzistonte edhe mundësia e një lloj nacionalizmi tjetër, ai që përfshinte diversitetin etnik. Hebrenjtë socialistë laikë (Bundistët) në Evropë, u përpoqën ta zbatonin këtë alternativë, duke u përpjekur ta vinin në dukje përkatësinë e tyre hebreje në shtetet e reja kombëtare të Evropës Lindore në fillim të shekullit XX.

Krahasuar me këtë grupim, sionistët ishin një ideologji ekstreme që tërhoqi pas vetes një pakicë hebrenjsh ashkenazi. Vetëm vrasja e shumicës së hebrenjve evropianë i dha mundësi Sionizmit të kishte epërsi. Në vend se të mbeteshin në komunitetet ku kishin jetuar për mijëra vite, hebrenjtë ndërtuan shtetin e Izraelit, duke formuar një lloj getoje kombëtare për hebrenjtë nga mbarë bota.

Nuk duhej të ishte kështu. Sepse hebrenjtë dhe arabët kanë një histori të përbashkët, e cila mund të kishte nënkuptuar edhe një të ardhme të përbashkët. Një nga tragjeditë e shekullit XX ishte çrrënjosja e lidhjes arabo-hebreje dhe shkatërrimi i komuniteteve shekullore, nëse mos mijëravjeçare hebraike, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Nga Maroku në Iran, komunitetet hebreje dikur të lulëzuara u shkatërruan. Në një mënyrë a tjetrën, ato ranë viktimë e logjikës së kolonializmit evropian. Ndërsa nacionalizmi evropian solli shkatërrimin e komuniteteve hebreje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, mënyra se si ndodhi kjo ndryshonte në të gjithë rajonin.

Kështu në Algjeri, Republika e Tretë Franceze e përdori dhuratën e dyshimtë të nënshtetësisë franceze – e mohuar për shumicën e muslimanëve algjerianë – për ta përfshirë komunitetin algjerio-hebre në projektin kolonial. Pasi Algjeria fitoi pavarësinë nga Franca, migroi gati e gjithë popullsia hebreje, ku shumica shkoi në Francë dhe jo Izrael.

Në Irak, kopjimi i nacionalizmit evropian çoi në një rritje të sulmeve antisemite nga një grup oficerësh pro-nazistë të quajtur Sheshi i Artë, të cilët u përpoqën t’i rezistonin pushtimit britanik. Izolimi i hebrenjve irakianë që pasoi, arriti kulmin me një pogrom në vitin 1941, Farhood, i cili mori jetën e 180 hebrenjve vendas.

Edhe në manifestimin e tij hebre, Sionizmit, nacionalizmi evropian u tregua armiqësor ndaj komuniteteve hebreje arabe. Sulmet me bomba të viteve 1950-1951 në lagjet hebraike në Bagdad, besohej gjerësisht nga hebrenjtë irakianë se ishin orkestruar nga forcat izraelite me qëllim që të nxisnin zhvendosjen e tyre në Izrael.

Disa vjet më vonë, në Çështjen Lavon të vitit 1954, Izraeli rekrutoi disa hebrenj egjiptianë për të vendosur bomba në objektet hebraike dhe amerikane, me qëllim inkurajimin e migrimit hebre në Izrael dhe për ta minuar regjimin gjithnjë e më anti-perandorak të Naserit.

Në gjyqin që u zhvillua pak kohë më vonë, prokurori i shtetit Fu’ad Al-Digwi denoncoi përpjekjen për të përcarë egjiptianët sipas linjave fetare: “Hebrenjtë e Egjiptit jetojnë mes nesh dhe janë bij të Egjiptit. Egjipti nuk bën dallim mes bijve të tij, qofshin muslimanë, të krishterë apo hebrenj”. Po ai vizion i Egjiptit, rezultoi i papajtueshëm me etnonacionalizmin që mbështeste kolonializmin evropian dhe Sionizmin.

Këto raste, tregojnë dy elementë thelbësorë. Së pari, që antisemitizmi arab është ushqyer nga një grup i caktuar faktorësh strukturorë dhe politikë. Realiteti gjeopolitik në Lindjen e Mesme të pasluftës, është ai i një shteti të fuqishëm me armë bërthamore, që e paraqet veten si pararojë e Judaizmit në botë, duke bombarduar në mënyrë të përsëritur fqinjët, pushtuar territoret e tyre dhe kryer gjenocid kundër një grupi etnik autokton, të varfër dhe të panjohur nga bota si shtet.

Dhe ndërsa aktivistët – përfshirë aleatët hebrenj të Palestinës – theksojnë me të drejtë se Sionizmi nuk përfaqëson Judaizmin, ky argument lihet në errësirë nga vetë shteti sionist, i cili i etiketon shpesh aktivitetet e tij të spastrimit etnik si “judaizim” i territoreve palestineze.

Antisemitizmi arab është i ndryshëm nga antisemitizmi evropian. Ky i fundit është dukshëm më i vjetër dhe ka lindur nga paragjykime të pabazuara racore. Udhëheqja evropiane dhe ajo izraelite, përpiqen ta paraqesin antisemitizmin arab si analog me atë të Evropës, teksa e përdorin mbështetjen e Evropës ndaj Izraelit si një shenjë të shlyerjes së fajit. Për shembull, duke krahasuar me Holokaustin sulmet e 7 tetorit 2023. Por ta bësh një gjë të tillë, do të thotë të shpërfillësh me cinizëm pushtimin e Palestinës që imponon rezistencën e popullit të saj, si dhe të mohosh urrejtjen e madhe që çoi në gjenocidin e hebrenjve në Evropë. Barazimi i të dyve rasteve u grabit pafajësinë viktimave të Shoah dhe mohon të drejtën e palestinezëve për t’i rezistuar shtypjes.

Së dyti, antisemitizmi arab nuk është vetëm pasojë e formimit të shtetit të Izraelit, por ka qenë një element themelor i vetë lëvizjes sioniste. Evropa ndihmoi ndërtimin e shtetit sionist përmes Deklaratës së Balfour-it, por krijoi njëkohësisht edhe kushtet për plotësimin e kërkesave të tij përmes persekutimit të pamëshirshëm të hebrenjve evropianë.

Për të mbështetur më tej pretendimin sionist, se vetëm një shtet hebre mund të mbronte të ardhmen e Judaizmit, vetë sionistët e hershëm u përpoqën të stimulonin një atmosferë frike rreth komuniteteve hebreje të Lindjes së Mesme, edhe në rastet kur nuk ekzistonte asnjë arsye për këtë.

Prandaj, antisemitizmi arab ishte aspak i nevojshëm për të justifikuar krijimin e shtetit të Izraelit, i cili më pas u përdor për të mbrojtur shpronësimin dhe vrasjen e komuniteteve palestineze. Ironia është se eksodi i hebrenjve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore ishte rezultat i Sionizmit, por gjithashtu i nevojshëm për të krijuar popullsinë me shumicë hebreje për Izraelin, pa të cilin projektit sionist mund t’i mungonte fuqia për të rezistuar.

Hebrenjtë arabë që erdhën në Izrael e bënë këtë si refugjatë dhe kolonizues. Dhe kjo nuk është kontradiktore. Zbatimi i qasjes koloniale në Izrael nuk është një çështje e dënimi moral. Ai bazohet tek shpronësimi dhe eliminimi i vazhdueshëm i banorëve vendas për të mirën e kolonëve.

Përtej humbjes së madhe të jetëve njerëzore që ka shkaktuar, tragjedia e Sionizmit ka qenë shkatërrimi i solidaritetit të natyrshëm midis dy grupeve që dikur i rezistuan imperializmit evropian. Fakte të solidaritetit arabo-hebre janë parë tek mënyra se si komunitetet arabe, muslimanë dhe hebrenj, u bashkuan për t’i rezistuar sundimit kolonial.

Kur Franca e regjimit të Vishisë, ua hoqi pronën hebrenjve algjerianë dhe u ofroi fitime të papritura muslimanëve algjerianë, asnjë arab nuk e pranoi ofertën, ndryshe nga kolonët francezë. Ndërkohë komunitetet muslimane në Libi siguruan strehim, ndihmë dhe punësim për hebrenjtë e persekutuar nga Italia fashiste. Dhe hebrenjtë libianë në Kirenaika luftuan përkrah muslimanëve, duke i rezistuar kolonializmit italian.

Rëndësia e hebrenjve për lëvizjet arabe për pavarësi ishte e përhapur dhe domethënëse. Por pastaj u harrua shpejt dhe u hodh poshtë, me gjasë sepse kjo histori e kërcënonte projektin sionist në lulëzim dhe traditën shekullore perandorake evropiane. Nacionalizmi është një shpikje e kohëve të fundit.

Nga India në Evropën Lindore dhe natyrisht në Palestinë, përpjekjet për homogjenitet etnik kanë krijuar një botë të mbushur me konflikte. Dhe kjo ka nënkuptuar shfarosjen e e njerëzve, por edhe fshirjen e një historie të pasur e të përbashkët. Humbja e kësaj historie duhet vajtuar.

Megjithatë ajo na jep edhe një arsye për të pasur shpresë. Çdo lëvizje drejt një paqeje të qëndrueshme në Palestinë dhe Izrael, do të kërkojë një ristrukturim themelor të qasjes nacionaliste që e ka motivuar gjithmonë Sionizmin. Kjo qasje ka qenë historikisht shkatërruese për komunitetet muslimane dhe hebreje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore.

Por sot janë palestinezët ata që po mbajnë peshën kryesore të këtij shkatërrimi. Një e ardhme e përbashkët për të gjithë popujt në Palestinë, do të jetë e mundur vetëm pasi të marrin drejtësinë që u është mohuar.

Shënim: Yehia Mekaw, studiues i politikave ndaj fesë dhe migracionit në Evropën Perëndimore në Universitetin e Lirë të Brukselit (ULB).

Amir Fleischmann, kandidat për doktoraturë në Universitetin e Michiganit, merret me kërkime mbi demokracinë, pabarazinë dhe politikat anti-oligarkike.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit