0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Si po e manipulon teknologjia perceptimin tonë për kohën

Më të lexuarat

Studimi – A ju duket se ky vit ka kaluar pa u vënë re dhe se koha ka fluturuar shpejt? Studiuesit kanë zbuluar se është i gjithë efekti i teknologjisë që po na ndryshon matësin trupor të kohës.

Ju duket e pabesueshme? Është e vërtetë se koha duket sikur po kalon çdo vit e më shpejt, por në fakt është teknologjia ajo që po e përshpejton perceptimin tonë për kohën, thotë një kërkues.

Smartfonët, tabletët dhe pajisjet e tjera e kanë stërvitur trurin tonë të përpunojë më shumë informacion, duke na “mashtruar” që të besojmë se koha po kalon më shpejt nga realiteti, sipas një studimi të fundit.

“Kam zbuluar disa tregues që ndërveprojnë me teknologjinë dhe shoqëritë teknocentrike dhe që kanë rritur një lloj mbajtje të ritmit brenda nesh”, thotë doktor Aoife McLoughlin, kërkues nga Universiteti James Cook në një intervistë së fundmi.

“Ndërsa mund të na ndihmojë të punojmë më shpejt, mund ta na vërë në më shumë presion kohe”, thotë ai.

Studimi analizoi individët që janë gjithnjë të lidhur me teknologjinë dhe ata që e kanë përdorur atë rrallë, dhe krahasoi se si secili e perceptonte kalimin e kohës.

Zbulimet treguan se ata që nguliteshin përpara ekranit, e mbivlerësonin sasinë e kohës që mendonin se kishte kaluar, krahasuar me ata që rrallë përdornin internetin, postonin apo pëlqenin ndonjë gjë online.

Gjithashtu, individët që përdornin teknologjinë rregullisht, ishin më të stresuar pasi kishin vazhdimisht ndjesinë se koha po u mbaronte.

Edhe thjesht leximi i një reklame, i bënte subjektet e studimit të perceptonin se koha po kalonte më shpejt, krahasuar me grupin tjetër që lexuan një monolog nga një libër i printuar.

“Është njëlloj sikur të jemi duke imituar teknologjinë dhe të duam të bëhemi më të shpejtë dhe më eficentë”, tha McLoughlin.

“Ngjan sikur ka diçka te teknologjia në vetvete që na bën të shtojmë matësin e kohës brenda nesh”. Zbulimet provojnë atë që ne e njohim prej një kohe të gjatë: duhet të ndalojmë dhe të shijojmë jetën reale.

“Në mënyrë që të ndalet koha nga nxitimi i madh, siç e perceptojmë ne, duhet të shkëputemi nga interneti çdo javë për të ngadalësuar matësit tanë të brendshëm të kohës”, thotë studimi.

Shkëputja nga interneti ngjan si një zgjidhje e lehtë, por McLoughlin do ta çojë studimin një hap më tej për të parë nëse ky fenomen do të ketë pasoja afatgjata pozitive ose negative në jetën tonë.

Kërkimi tjetër ka treguar se përdorimi i teknologjisë na mundëson ta përpunojmë informacionin me më shumë efikasitet dhe në fakt na ka bërë më të shpejtë në përmbushjen e detyrave, duke na ndihmuar të kursejmë kohë.

Studimi nga Universiteti i Torontos zbuloi se njerëzit që luanin video-lojëra me aksion si për shembull Call of Duty, apo Assassin’s Creed duket se mësonin më shpejt një aftësi të re sensormotorike se sa ata që nuk luajnë lojëra.

Një aftësi e re sensormotorike, si për shembull, të mësuarit e ngarjes së një biçiklete apo të shtypurit në tastierë, shpesh kërkon një lloj të ri koordinimi mes shikimit dhe lëvizjes motorike. Me aftësi të tilla, një individ përgjithësisht lëviz nga një performancë prej fillestari, karakterizuar nga shkalla e ulët e koordinimit, në performancën prej eksperti, që karakterizohet nga koordinimi i shkallës së lartë.

“Si rezultat i mësimit të suksesshëm sensormotorik, dikush i bën këto detyra me më shumë eficencë dhe ndoshta edhe pa menduar rreth tyre”, thanë kërkuesit.

Si perceptohet koha në mendje?

Njerëzit shpesh raportojnë se koha ngjan se ngadalësohet në situatat ku vihet jeta në rrezik. Po ashtu, edhe dëgjimi i recitimeve të preferuara duket se e ngadalëson kohën. Kjo mund të ndodhë kur ne e shijojmë këndimin e Kur’anit aq shumë, saqë e dëgjojmë me kujdes duke u përhumbur në të.

Vëmendja më e madhe na çon në perceptimin se ka kaluar një interval kohor më i gjatë. Fakti që ne besojmë me intuitë se koha fluturon kur argëtohemi, mund të ketë të bëjë më shumë me faktin se si duket koha kur nuk argëtohemi.

Mërzia e tërheq vëmendjen tonë te kalimi i kohës që na jep ndjesinë se po ngadalësohet. Iluzioni i orës së ndalur ndodh kur shohim një orë analoge dhe akrepi i sekondave ngjan sikur qëndron për më gjatë sesa një sekondë përpara se të lëvizë.

Ç’ka ndodh në të vërtetë është fakti se sytë tanë lëvizin nga një pikë në një tjetër, duke e bërë perceptimin tonë për kohën, më të shtrirë.

Kur gjërat ndodhin shumë afër në kohë, truri ynë i bashkon ato në një çast të vetëm në të tashmen. Përpjekja për të shtypur apo për të zgjatur reagimin tonë emocional, duket se ndryshon perceptimin tonë për kohën.

Psikologët kanë zbuluar se njerëzit që përpiqen të rregullojnë emocionet e tyre, e shohin kohën si më të ngadaltë.

Burimi: Daily Mail

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit