Një frymë reaguese nga njeriu i thjeshtë te kompanitë dhe institucionet
Në të gjithë Turqinë, kompani të shumta, institucione publike, universitete dhe vetë qytetarët kanë vendosur të bojkotojnë produktet e markave që mbështesin Izraelin.
Ky vendim edhe pse nuk specifikohet se për cilat produkte bëhet fjalë, erdhi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve brutale izraelite në Rripin e Gaza-s, raporton Anadolia.
Së pari, parlamenti turk njoftoi se nuk do të përdorë më produktet e kompanive që mbështesin agresionin e Izraelit.
“Në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, ne nuk do të përdorim asnjë produkt të kompanive që mbështesin agresionin izraelit”, tha Numan Kurtulmus, kryetar i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. “Tash e tutje nuk do të blejmë asgjë dhe do ta hedhim atë që kemi blerë më parë”.
Më pas, Universiteti i Bosforit (Bogazici) në Stamboll vendosi të pezullojë shitjen e produkteve të markave që mbështesin politikën pushtuese izraelite “derisa Izraeli të tërhiqet nga territoret e pushtuara palestineze”.
Universiteti Teknik Karadeniz (KTU) dhe Universiteti i Trabzonit kanë vendosur gjithashtu të ndalojnë blerjen e produkteve nga markat që mbështesin Izraelin.
“Ne jemi me Palestinën dhe për këtë kemi filluar bojkotin. Objektet tona brenda Universitetit të Trabzonit nuk do të shesin më produkte nga markat e njohura se ofrojnë mbështetje ekonomike për krimet izraelite kundër njerëzimit në Gaza”, thuhet në vendim.
Universiteti Bezmialem i Turqisë ka njoftuar se është pezulluar shitja e markave të njohura për të mbështetur krimet izraelite kundër njerëzimit në Palestinë dhe Gaza në mensat, kafenetë dhe të gjitha ambientet e këtij institucioni arsimor.
Ndërprehet kontrata me vlerë 150 milionë dollarë
Kompania Ordu Enerji AS, e cila operon në kuadër të komunës turke Ordu, ka njoftuar se ka ndërprerë kontratën me një kompani izraelite për investimin në energji në vlerë 150 milionë dollarë. Kryetari i komunës, Mehmet Hilmi Guler, tha se “bojkoti është vullnet kombëtar”.
Në objektet në qytetin Osmaniye është ndalur edhe shitja e produkteve izraelite. Kryebashkiaku Omer Tarhan njoftoi se ata dënojnë fuqishëm sulmet izraelite në Gaza dhe kanë vendosur të bojkotojnë produktet izraelite.
“Izraeli po kryen gjenocid kundër vëllezërve tanë myslimanë në Gaza. Prandaj, në shenjë proteste, hoqëm produktet izraelite nga raftet e objekteve tona”, tha ai.
Bashkitë e tjera, si Hatay, pezulluan shitjen e produkteve izraelite në objektet e tyre më 4 nëntor. /tesheshi.com/