9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Si na solli Islami një botë të re më të shkëlqyer

Më të lexuarat

 

Ne të gjithë e dimë që me mijëra artikuj familjarë janë shpikur, zbuluar apo krijuar nga zgjuarsia e skocezëve. Televizioni, penicilina, radari dhe së fundmi delja Dolli janë disa prej tyre. Por sa nga ne e dinë që kafja, ora, parfumet, stilografi, instrumentet kirurgjike, pasta e dhëmbëve, kimia, bimët mjekësore, planifikimi i qytetit, vaksinimi deri edhe boshti me gunga, e kanë origjinën e tyre në botën muslimane ndërmjet shekujve 7 dhe 17? Shumë prej nesh në Perëndim janë të pavetëdijshëm për kontributin e pamasë të dhënë nga dijetarët islamë ne jetën tonë kulturore dhe shoqërore. Në një përpjekje për të hedhur dritë në këtë “kohë të artë” dhe shumë të gjatë inovacionesh shkencore, Selim Hasani, kryetar i Fondacionit për Shkencë, Teknologji dhe Civilizim dhe professor emeritus në Universitetin e Mançesterit ka krijuar një ekspozitë interactive e quajtur “1001 Shpikje”, e cila u hap kohët e fundit në Qendrën Shkencore Gllasgou.

Grekët, Romakët, Kinezët dhe Babilonasit kanë gjithashtu pretendimet e tyre për krijime të pabesueshme, por thelbi i profesor Hasanit është se kontributi i botës islame është lënë manash. “Sikur të mos kishin qenë shpikjet muslimane, nuk do të kishim pasur Renesansën, as edhe civilizimin e sotëm. Librat historikë perëndimorë përpiqen të kërcejnë nga kohët antike greke tek Njutoni dhe Ajnshtajni, kështu që kemi një boshllëk të madh dije, i cili nevojitet të mbushet në interes të kohezionit social dhe kulturor, por edhe për paqen botërore.

Ky boshllëk mijëvjeçar është një paqëndrueshmëri në histori, jo një konspiracion, thotë ai. Megjithatë ai beson se ka ardhur koha për njohjen dhe falënderimet. “Sepse ne jemi përpjekur ta shohim Islamin si armikun e Perëndimit, si një kulturë, shoqëri dhe sistem besimi alienë; ne jemi përpjekur ta injorojmë apo ta fshijmë rëndësinë e tij të madhe për historinë tonë”. Kjo ekspozitë ka të njëjtin mesazh për jo-muslimanët dhe muslimanët. “Në erën e pas 11 shtatorit ka pasur një tension të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare,” thotë prof. Selim Hasani. “Unë dua që jo-muslimanët t’i njohin më mirë fqinjët e tyre, por gjithashtu ka edhe një mesazh për muslimanët e rinj në Britani: të njohin kontributin e stërgjyshërve. Këta njerëz e kanë shprehur fetarinë e tyre nëpërmjet kontributeve bamirëse për shoqërine dhe njerëzimin.

Professor Robert Hillenbrand, drejtor i Qendrës për Studime të Përparuara të Botës Arabe, me qendër në Universitetin e Edinburgut, gjithashtu beson se kjo ekspozitë është e kohës. “Bota Arabe është një nga katër lojtarët e mëdhenj globalë, së bashku me Rusinë, Kinën dhe Japoninë, thotë ai. Studentët skocezë vazhdojnë të zgjedhin Frengjishten si gjuhë të huaj, por kush mendoni ju se po e çon përpara planetin në këto 100 vjet? Jo Francezët.”
Më poshtë po rendisim 10 shpikjet për të cilat duhet të falënderojmë botën muslimane:

Camera obscura

– Dhoma e errët: megjithëse grekët kanë shkruar traktate mbi optikën do të ishte matematikani i shek. 9-të Al Kindiu, që do të hidhte i pari themelet e studimeve moderne, duke diskutuar sesi rrezet e dritës ecin në vijë të drejtë dhe sesi ndikohen nga largësia dhe këndi ivështrimit. Dhoma e errët u ndërtua nga Ibn Hejtemi ne shek. e 10 dhe libri i tij “Libri i optikës” vazhdon të citohet nga profesorët e ndryshëm edhe pas 1,000 vjetëve. Përgjatë praktikës së tij eksperimentale ai përdori termin Bejt el-Muthlim, i cili u përkthye në latinisht si camera obscura-dhoma e errët. “Libri i Optikës” u përkthye në latinisht nga shkollari i shquar mesjetar Gerardi i Kremonës dhe pati një impact të thellë tek mendimtarët e shek. 13 Roxher Bejkon dhe Vitelo, e deri në punët e fundit të Leonardo da Vinçit.

Kafeja

Më tepër se 1200 vjet më parë legjenda na tregon se si u zbulua kafeja nga një arabo-etiopian bari dhish, kur ai vërejti se dhitë e tij gjallëroheshin pasi ushqeheshin me një lloj kokrre. Ai provoi duke i zierë ato dhe kështu u bë e njohur më pas si el-Kahava. Ishte një tregtar turk ai që e solli i pari kafenë në Britani më 1650.

Orët

Më 1206 ishte inxhinieri mekanik el-Xhazari, i cili punonte për Urtugët, mbretët e Dijarbekirit në Turqi, të cilit iu ngarkua të shkruante një libër për inxhinierinë mekanike. Aty përshkruhen 50 aparate mekanike, duke përfshirë orën e parë astronomike me ujë, një robot humanoid I programueshëm dhe boshtin me gunga.

Furça dhe pasta e dhëmbëve
Na përshkruhet në shek. 6 se Profeti Muhamed besonte se fryma e keqe dhe mbetjet ushqimore në gojë ishin antihigjenike, dhe se ai i pastronte dhëmbët e tij me një degë misvaku të hollë përpara çdo falje. Ndonëse kinezët mund të kenë ndonjë pretendim për një version të furçes së dhëmbëve të shek. 16, misvaku vazhdon të përdoret edhe sot, – një kompani farmaceutike zviceriane ka zbuluar prej kohësh aftësitë e tij kundra bakterieve.

Parfumet

Në enciklopedinë e shek. 10 el-Tasrif, mjeku dhe kirurgu el-Zahraui përfshin një kapitull që i përkushtohet “kozmetikës” dhe përpunimit të parfumeve dhe lëndëve parfumuese, të përdredhura dhe të presuara në forma të posaçme- ashtu si sot parfumet roll-on.

Bibliotekat

Megjithëse Grekët dhe Romakët kishin ndërtesa të veçanta për dorëshkrimet e mbledhura rrotë, ato nuk huazonin libra. Muslimanët filluan të prodhonin libra në shek. 8, sepse ata e dinin se si bëhej letra dhe u inkurajuan të regjistronin të gjithë eksperimentet e tyre. Kalifi abasid Memuni i paguante përkthyesit sipas peshës së librit, që ata përkthenin nga greqishtja në arabisht dhe kjo solli krijimin e një sasie shumë të madhe librash. Bibliotekat e xhamive quheshin dar el-kutub, ose shtëpitë e librit.

Kimia

Shumë dijetarë ia kanë dhënë titullin baba i kimisë Xhabir ibn Hajanit, ose në latinisht Xherber i lindur më 722, djali i një farmacisti nga Iraku. Përdorimi i metodës eksperimentale në kimi shihet edhe sot e kësaj dite si një veprim që pati ndikim të madh në shkencat.

Stilografi

Përpara se penat të zhvilloheshin në ato që ne njohim sot përdoreshin instrumente të tjera shkrimi, kalemi ose pena e kallamit. Kjo lloj pene gjeti përdorim të gjerë në vendet e Gjirit Arabik dhe çdo lloj stili shkrimi kërkonte nga një penë të ndryshme kallami e prerë me një kënd të caktuar. Kaligrafët zakonisht përdornin bojërat e bëra nga vetë ata dhe që i mbanin secret recetat e prodhimit. Shkrimet më të mirënjohura të arabishtes janë kufiku dhe naskhi. Kaligrafia përdoret edhe sot për të shkruar libra Kurani.

Instrumentet kirurgjike

Në enciklopedinë e tij që u përmend më sipër, Zahraui ka paraqitur një koleksion prej më tepër se 200 veglash kirurgjike. Skicimi i tyre ishte aq i saktë saqë ato kanë pësuar pak ndryshime në këto 1,000 vjet dhe ishin këto ilustrime që çuan në themelimin e kirurgjisë në Evropë.

Posta dhe letrat

Në shek. 14 në Indi korrierët ia dërgonin mesazhet e tyre sulltanit musliman në Delhi. Një njeri, i cili mbante një shkop me zile bakri në majë vraponte me shpejtësi me aq sa kishte mundësi në një largësi sa një e treta e miljes (rreth 630m) dhe tjetri kur dëgjonte zhurmën e zilkave bëhej gati të merrte postën. Kjo punë kërkonte që mesazhi të udhëtonte 5 ditë nga çdo cep i Indisë për në kryeqytet.

Kejt Devajn është gazetare e “The Herald” e përditshme e mirënjohur britanike.

Marrë nga: Roald Hysa

http://aldohysa.blogspot.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit