Haga, pre e politikës së ruajtjes së ekuilibrave, por krimet e Netanjahut nuk mund të kenë baraspeshë
Nga Bakir Oweida*, Arab News
A është bërë Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) bashkëpunëtore në padrejtësi, duke e barazuar “autorin” me “viktimën?” Kjo pyetje lindi natyrshëm që në momentin kur prokurori i ICC Karim Khan, njoftoi të hënën se kishte aplikuar për të marrë të pandehur për krime lufte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre udhëheqës të tjerë Hamasit, Ismail Haniyeh, Yahya Sinwar dhe Mohammed Deif.
Ky vendim ngre shumë pikëpyetje, të cilat nuk kanë gjasa të marrin një përgjigje unanime. Reagimet e menjëhershme dhe emocionale nga mbështetësit nga të dyja palët, ishin më se të parashikueshme. Alarmi i tyre nuk buron domosdoshmërisht nga frika e arrestimeve të mundshme dhe përballjes së tyre me drejtësinë ndërkombëtare.
Për ata që janë të përfshirë në këtë luftë, veprimet e institucioneve ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, janë ndoshta shqetësimi i tyre më i vogël. Fokusi i tyre kryesor është lufta e vazhdueshme që po shkatërron vendin dhe njerëzit e saj, duke i shkaktuar një barrë jashtëzakonisht të rëndë civilëve nga të dyja palët.
Nga ana tjetër, nuk është as befasues dhe as i ri fakti që etiketat si “viktimë” dhe “autor”, të shkëmbehen midis Hamasit apo fraksioneve të tjera palestineze dhe përfaqësuesve izraelitë. Dinamika të tilla janë të zakonshme në të gjitha konfliktet dhe luftërat, ku gjithmonë ka viktima dhe xhelatë, të vdekur dhe vrasës. Debati se kush kualifikohet si viktimë apo autor, do të mbetet i pazgjidhur për sa kohë të shpërthejnë luftërat dhe konfliktet. Njerëzit e pafajshëm do të vazhdojnë të vuajnë dhe të vdesin pa ndonjë faj të bërë nga ana e tyre. Në këtë kontekst, është e kuptueshme që mbështetësit e Hamasit nga të gjitha sferat e jetës do të tuboheshin kundër akuzave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Njëkohësisht, pritet që qeveria e Benjamin Netanyahut të reagojë ashpër ndaj akuzave kundër tij dhe ministrit të tij të Mbrojtjes.
Por ajo që bie në sy është përfshirja në këtë padi e presidentit izraelit Isaac Herzog, pavarësisht rolit të tij kryesisht ceremonial në shtetin e Izraelit. Krizat kanë një mënyrë për të bashkuar izraelitët dhe komunitetet hebraike në mbarë botën, duke përforcuar solidaritetin e tyre pavarësisht dallimeve të brendshme.
Ky model ka qenë i qëndrueshëm në krizat e kaluara, vazhdon tani, dhe do të vazhdojë sa herë që izraelitët përballen me kërcënime ekzistenciale, siç është sulmi i paprecedentë i 7 tetorit 2023. Përtej akuzës së thjeshtë se një gjykatë ndërkombëtare të themeluar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht ata që janë përfshirë në krime lufte e ka barazuar Hamasin me Izraelin – akuzë që të dyja palët e kanë refuzuar me forcë – ka një aspekt akoma më domethënës dhe më vendimtar që historia e ka dokumentuar, dhe të cilin asnjëra palë nuk mund ta injorojë lehtësisht, edhe nëse nuk do të ndodh vetë gjykimi i këtyre krimeve.
Në fakt, krahu i djathtë në Izrael, veçanërisht fraksioni Likud i Netanyahut, do të përpiqet të pastrojë rekordet e tij politike nga të metat më të rëndësishme. E njëjta gjë vlen edhe për liderët e Hamasit të shënjestruar nga akuzat e ICC-së, edhe nëse ata besojnë – dhe në një masë të madhe me të drejtë – se janë të sigurt nga mundësia e arrestimit dhe dorëzimit tek kjo gjykatë. Megjithatë, për liderët e Hamasit, nuk është e lehtë si në terren ashtu edhe në politikë, që ta shkarkojnë lehtësisht veten nga përgjegjësia për vuajtjet e shkaktuara nga politikat e tyre. Tragjeditë nuk filluan me sulmin e vitit të kaluar dhe as nuk ka gjasa që të përfundojnë këtu.
Në fund të fundit, gjykimi i publikut mbi udhëheqësit politikë nga të dyja palët është i afërt, dhe do të jetë më i rëndësishmi.
*Bakir Oweida, gazetar i vjetër palestinez