8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Si ishte Oksidenti i varfër nën hijen e tregtisë botërore të muslimanëve, fakte nga autorja gjermane

Më të lexuarat

Jemi në vitin 973. Përgjatë bregut perëndimor të Francës një luftanije kalon kepin Gris-Nez dhe drejtohet nga verilindja. Pasi ka bërë të njëjtën gjë edhe në Bordeaux dhe Rouen, ajo do të shkarkojë në Utrecht dhe Slesvig ngarkesën e saj të çmuar, të përbërë kryesisht prej vajit të Andaluzisë si dhe prej shapit për regije të Kastijës, fiq të Malagës, piper e ballamar. Kjo anije mbart po ashtu edhe Sidi Ibrahim ibn Ahmed et-Tartushin, kreun e ambasadës së kalifit el-Hakam II të Kordovës.

Kjo ambasadë, në fakt, duhej të mbërrinte në Saksë, në Oborrin e “Hutos”, perandorit të famshëm romak të Oksidentit. Pasi qe kthyer nga Roma, ku kishte marrë pjesë në ceremoninë e dasmës së të birit me Theofanon, të bijën e perandorit grek Romanit II si dhe në ceremonitë e lodhshme të kurorëzimit të tyre, sundimtari i Perandorisë së Shenjtë romake Otoni I i Madh, mbërrin në Kuedlinburg në Harz. Pushtuesi i Lech, ripërtëritësi i perandorisë së Oksidentit ishte në kulmin e fuqisë dhe lavdisë së tij. Emisarë sllavë e të tjerë nga Danimarka, Polonia, Bohemia, disa të dërguar nga Greqia, Bullgaria, Hungaria dhe Italia kishin rendur në kështjellën perandorake të Kuedlinburgut për t’i bërë nderime sovranit më të madh të Oksidentit.

Në fillim të prillit, perandori do ta zhvendoste Oborrin e tij në Merseburg. Dhe pikërisht aty, delegacioni i “Prijësit të Besimtarëve”, i nisur nga Spanja dhe i kryesuar nga Ibrahim ibn Ahmed et-Tartushi, do të vinte të nderonte princin e parë të Krishterimit.

Perandori Oton I do t’u rezervonte një pritje të ngrohtë miqve të tij arabë duke pranuar dhuratat e tyre, më të çmuarat që kish marrë ndonjëherë. Kjo pritje e delegacionit arab do të ishte një nga aktet e fundit zyrtare të perandorit. Disa ditë më vonë pasi ambasada, nga ana e saj e ngarkuar me dhurata princërore, ishte ndarë prej tij, sovrani i madh do të mbyllte sytë në Memleben.

Diplomatët maurë u kthyen në atdheun e tyre në rrugë tokësore. Rruga e kthimit e çoi et-Tartushin nëpër Soest, Paderbon dhe Fulda e deri në Mayence. Dhe pikërisht këtu, diçka do t’i kujtonte me shumë emocion vendin e tij. Në këtë “qytet të Frankonisë, në brigjet e një lumi të quajtur Ren”, një tregtar i dha në dorë dy dirhemë. I mrekulluar, ai vështroi shkronjat kufike. Lexoi emrin e atij që e kishte shtypur monedhën dhe datën e prodhimit: 301 dhe 302 pas Hixhrës! Dhe s’ka asnjë dyshim. Ai mbante në duar disa monedha ari të Samarkandës, të prodhuara gjashtëdhjetë vjet më parë! “Këto monedha duhet ta kenë prejardhjen nga samanidi Nasr ibn Ahmed”, u shpreh ai. Por çudia e tij nuk mbaronte me kaq.

“Ai do të mahnitej me gjetjen në Mayence, në skajin e Oksidentit, të disa erëzave, që mund të gjenden vetëm në skajin më të largët të Orientit dhe konkretisht të piperit, xhenxhefllit, rrënjëve të karafilit, rrënjë të kostus dhe të galanga.”

Dhe habia e tij do të kishte arritur kulmin sikur të kishte mundur të shihte listën e ushqimeve, që frati përgjegjës i qilarit në manastirin e Corbie në Sommë – pra në fund të botës -kishte zakon të blinte për kuzhinën e tij në qytetin ipeshkvënor të Cambrai-t, rreth shtatëdhjetë kilometra larg. Dhe ja çfarë do të kishte lexuar et-Tartushi në këtë listë:

  • 600 livra dyllë
  • 120 livra piper
  • 120 livra kumin (Fara aromatike të një bime ombrellore me të njëjtin emër, shën. përk.)
  • 70 livra xhenxhefil
  • 10 livra rrënjë karafili
  • 15 livra kanellë
  • 10 livra temjan
  • 10 livra mastiks
  • 3 livra mirrë
  • 10 livra kostus (Erëz aziatike, me veti shëruese, e përftuar nga rrënja e një bime të lartë dhe e njohur në botanikë me emrin Saussurea lappa, që sot përdoret rrallë në Perëndim. shën. përk.)
  • 10 livra galanga (Bimë e familjes së xhenxhefilit. (shën. përk.)
  • 10 livra raven
  • 10 livra precrum
  • 10 livra gjethe sherbele
  • 10 livra kërpudha
  • 10 livra pomicar
  • 10 livra stiraks (Balsam dhe rrëshirë që prodhohen nga një shkurre ekzotike me të njëjtin emër. (shën. përk.)
  • 5 livra cotzumber
  • 3 livra opperment
  • 3 livra gjak-dragoi (Rrëshirë e kuqe, që nxirret nga fryti i një lloji të veçantë të palmës së gjinisë rotang e që përdoret si mjet për ndalimin e gjakut. (shën. përk.)
  • 3 livra indium
  • 2 livra trumzë

 

Deri tek sherbela, përfshirë edhe atë, artikuj si bimët mjekësore dhe aromatike para se të magazinoheshin në sasi të mëdha në bodrumet e manastirëve, duhej të përshkonin një rrugë të gjatë “prej skajit më të largët të Orientit deri në skajin tjetër të Oksidentit”; përdorimi i përditshëm i këtyre ushqimeve përbënte tashmë një nevojë aq të domosdoshme, sa jo vetëm që kleri i kishave të shumta çoroditej kur u mbarohej furnizimi me këto produkte nga Arabia, por edhe murgjit vetë s’mund të uleshin në tavolinë pa praninë e këtyre artikujve aq të çmuar.

E në fakt, më vonë do t’u duhej të hiqnin dorë për një kohë të gjatë prej këtyre të mirave kaq të çmuara të Orientit!

Lista e Corbie daton në kohën e merovingasve. Ajo është hartuar rreth treqind vjet para udhëtimit të Tartushit. Dhe gjatë këtyre treqind vjetëve shumë ujë kishte rrjedhur në shtretërit e Renit dhe Sommës. Gjatë kësaj kohe, bota jonë kishte përjetuar shumë shndërrime, ndoshta më të mëdha se ato që kishin sjellë zhvendosjet e fiseve gjermanike të zbritura nga Veriu për të pushtuar Imperium Romanum, e më të mëdha se ato të shkaktuara nga rrëzimi i të plotfuqishmes Perandori e Shenjtë romake, të themeluar mbi unionin mesdhetar.

Por, mos ndoshta pushtimet e gjermanëve kanë shkaktuar transformime vendimtare? Apo mos vallë janë popujt e Veriut ata që kanë përmbysur rendin e vjetër dhe shkatërruar unitetin e qytetërimit të lashtë? Jo, sepse duke u bërë pjesë e gjërave ekzistente ata vetëm se u bënë vazhduesit e tyre. Mos vallë uniteti fetar ishte tronditur nga rrëzimi i Imperiumit të vjetër dhe forca e re udhëheqëse në Perandorinë e Orientit? A ishte cënuar uniteti ekonomik mesdhetar?

Krejt e kundërta. Tregtia e Orientit, që asokohe, duke kaluar nëpër Ostia, hapej në metropolin romak dhe portin e Marsejës, ishte në kulmin e lulëzimit të saj dhe kishte shtrirje shumë më të gjerë se dikur: përtej Alpeve dhe përmes Gaulesë, arrinte Cambrai-n dhe zemrën e Gjermanisë. Pa dyshim, tani nuk ishte më Roma ajo që bënte ligjin, por Bizanti. Dhe sigurisht, bota e vjetër ishte tashmë e lodhur dhe e kalbur përbrenda. Por nga jashtë ajo kishte mbetur e paprekur.

Uniteti i saj do të shkatërrohej kur, nga Arabia e Jugut, pushtimi arab, i nxitur dhe disiplinuar nga Profeti Muhamed, përgjatë brigjeve të Mesdheut e deri në Atlantik do të zaptonte me vendosmëri lindjen, jugun dhe perëndimin e gjirit të Mesdheut, duke i dhënë njëherësh goditjen përfundimtare bllokut të qytetërimit të lashtë.

Pasojat do të jenë të pallogaritshme. Ngadhënjimi i Islamit do të përmbyste ekzistencën e një bote, që prej një mijë a më tepër vjetësh ishte e drejtuar kah Orienti. Përballë mësymjes islame, Oksidenti do të ulte perden e hekurt pas së cilës do të mbyllej në mënyrë hermetike për shumë shekuj në vijim. Perandoria e re botërore arabe, do të ngrihej për herë të parë si “Orienti” përballë “Oksidentit”, duke e detyruar këtë të fundit të dorëzohet.

“Askush të mos kuturisë në aventura të rrezikshme në Siri apo Egjipt!”. Ky ishte urdhri i rreptë i dekretuar nga Roma dhe Konstandinopoja. Propaganda e kishte kryer funksionin e saj përçarës. Që të krishterët të mund të vazhdonin pa probleme pelegrinazhin në Varrin e Shenjtë, që kalifi Harun el-Rashid sapo i kishte rikthyer perandorit Karli i Madh me anë të Patriarkut të Jeruzalemit (i cili vazhdonte të kryente lirisht funksionet e tij) çelësat e Qytetit të Shenjtë, prapëseprapë këto nuk penguan të akuzoheshin menjëherë “të pafetë” për përdhosje të po këtij Jeruzalemi, me qëllim që të trembnin të krishterët e mirë dhe t’u hiqnin çdo dëshirë për të udhëtuar. Megjithatë, duke përfshirë edhe Indinë dhe Kinën, Orienti i pamatë ishte i hapur ndaj tregtarëve arabë dhe këta sigurisht nuk e ndjenin nevojën për të tregtuar me Perëndimin. Kuptohet se nuk ishin tregtarët ata që kërkonin t’u afroheshin brigjeve të Evropës jugore, por vetëm piratët.

Portet, nëpërmjet të cilave depërtonin mallrat e ardhura nga Orienti tashmë ishin të shkreta, depot ishin bosh e po ashtu edhe qilarët e Corbie, ku frati kuzhinier nuk vendoste më në tryezë gjë tjetër përveç supës bajate me lakra. Nuk kishte më asnjë tregtar që të ofronte piper, xhenxhefil, uthull apo dhe mëndafsh. Asgjë më nga ato që deri atëherë i kishin dhënë shije jetës. Vetë profesioni i tregtarit kishte pushuar se ekzistuari, sepse nuk kishte më asgjë për të tregtuar. Fshatari e paguante fshatarin me bagëti e drithëra dhe shumë rrallë me monedha argjendi. Sa për arin, ai nuk qarkullonte më në duart e askujt. Tashmë jeta ishte bërë përsëri e varfër dhe e ashpër.

Edhe kishave u duhej të privoheshin nga gjërat thelbësore. Temjani, vera dhe vaji për ndriçim tashmë ishin produkte të pagjindshme. Më vonë do fillonte të përdorej “ersatz”, domethënë dylli i bletëve të egra. Bonifacit i duhej të mjaftohej me ca dhurata modeste të miqve të tij në Romë, të cilët herë pas here i siguronin ca temjan a një grusht kanellë, nganjëherë ca kostus aromatik ose ca balsam të marrë nga ndonjë balsamues arab, artikuj që ndonjë çifut kishte ardhur për t’i shitur në metropolin e krishterë.

E në fakt, vetëm çifutët, qoftë tregtarët me shumicë, apo emisarët e karolingëve, mbanin ende njëfarë lidhjeje mes Orientit musliman dhe Oksidentit të krishterë. S’kishte vend ku ata të mos takonin ndonjë bashkëfetar të gatshëm për t’u ardhur në ndihmë. Për më tepër, siç vëren Ibn Khuradadhbi, që rreth vitit 900 ishte shef i policisë dhe postave të Irakut: “Ata flasin gjuhën romake, persishten, arabishten, frëngjishten, spanjishten dhe sllavishten. Në rrugë tokësore ose detare ata udhëtojnë nga Oksidenti në Orient dhe nga Orienti në Oksident, duke përshkuar Spanjën dhe arritur në Egjipt, nëpërmjet Kretës. Ata transportojnë nga Oksidenti në Orient eunukë, skllevër, djem të rinj, mëndafsh (të Bizantit), peliçe dhe shpata. U hipin anijeve në vendin e frankëve në detin oksidental dhe shkojnë deri në Farama (port në afërsi të vendit ku sot gjendet Port-Said)… Në kthim, ngarkojnë arrë moskat, aloe, kamfor, kanellë e artikujt të tjerë të vendeve të Orientit.”

Mirëpo, për Evropën këto s’ishin veçse ca pika uji në oqean. Njerëzve të thjeshtë nuk ua mbante xhepi t’i blinin këto produkte, të cilat në “tregun e zi” arrinin çmime fantastike. Ja përse Tartushi kishte arsye të çuditej për praninë e erëzave orientale në qytetin e Mayence-s.

Në fakt, asokohe vendet e krishtera gjendeshin në periferi të një tregtie orientale që ishte në kulmin e lulëzimit të saj, e cila përtej detit Kaspik vazhdonte anës Vollgës dhe arrinte Veriun pagan, duke cekur të gjitha brigjet dhe ishujt e Baltikut. Dielli i vendeve nordike na ka rikthyer me mijëra në mos miliona monedha arabe të shekujve IX, X dhe XI, që janë dëshmitare të shkëlqimit botëror të qytetërimit arab dhe të një tregtie, të cilën asnjë paragjykim fetar s’ka mundur ta pengojë. Promovuesit e kësaj tregtie ishin vikingët apo normandët të cilët, nëpërmjet ekspeditave të guximshme zbrisnin nga Norvegjia, Islanda, Suedia e Danimarka për të depërtuar thellë në Orient. Dhe në këtë mënyrë ata do të themelonin një shtet të fuqishëm në të gjitha hapësirat e pamata të Rusisë, e cila emrin e saj ia detyron pikërisht këtyre mjeshtrave të qëmotshëm që quheshin Hros apo Rus.

Duke qenë luftëtarë e tregtarë në të njëjtën kohë, ata themeluan disa komptuare: Novgorod dhe Kiev, duke sjellë deri në Thulë-në e largët stofra, shajak, stoli argjendi, koris (fjalë indiane, guaskë kërmilli që shërbente si monedhë në Indi dhe Afrikën e Zezë), armë, fuzhnje dhe erëza me prejardhje nga provincat arabe. Në këmbim të tyre ato u silinin arabëve qelibar të verdhë, llapë balene, qiriç, dru panje, lëvozhgë mështekne, mjete për gjueti, kësula me peliçe të zezë dhelpre e sasi të mëdha gëzofësh madhështorë. “Na vinin të ngarkuara në gomar peliçe kastori dhe zibelini në sasi aq të mëdha, saqë nuk mund të numëroheshin; gëzof kunadheje, vlera e së cilës ishte e pamundur të llogaritej, gëzof dhelpre të kuqe, mëza ende pa patkoj, peliçe rrëqebulli që ndriçonin dhomën e gjumit – si dita kur degërton errësirën e natës.”

Ndërkohë, i gjendur mes perandorisë së rusëve, perandorisë arabe dhe asaj romake të Orientit, shtrihej shteti asnjëanës i kazarëve. Prej shekujsh ai kishte mbledhur çifutët e dëbuar nga Lindja e Afërme dhe tani mbi këtë popull të përbërë prej çifutësh, të krishterësh, muhamedanësh e paganësh sundonin mbretër me besim hebre. Në detin Kaspik, kryeqyteti i tij, Itil mbikqyrte grykëderdhjen e Vollgës, që kishte një rëndësi parësore për tregtinë e tij, sepse pasuria e pamatë e këtij shteti e kishte burimin pikërisht tek e drejta e tranzitit dhe doganës që ai merrte nga mallrat, pavarësisht se nga vinin.

Që kur perandori Oton Irë kishte ndalur përfundimisht dëmet e hordhive magjare që shkretonin kontinentin, një degëz e tregtisë së fuqishme dhe lulëzuese arabo-nordike kishte arritur më në fund të hapte një rrugë përtej Shtetit të kazarëve dhe atij të normandëve “rusë” deri tek manastiret dhe qytetet e Evropës qendrore. Për arsye se disa rrugë të mëdha tregtare arrinin tashmë deri në Pragë, siç mësojmë nga hebreu Ibrahim ibn Jusuf, i cili në përfundim të një udhëtimi përmes vendeve sllave, kishte arritur në Merseburg te “mbreti i saksonëve, Huto” në të njëjtën kohë me emisarët e el-Hakamit II. “Nga Krakovi, rusët dhe sllavët vijnë në Pragë me disa mallra, ndërsa muhamedanët, hebrejtë dhe turqit u ofrojnë mallra dhe monedha qarkulluese në këmbim të skllevërve, kallajit dhe peliçeve të ndryshme.”

Ka të ngjarë të kenë qenë rusët, apo edhe pragasit, ata që kanë sjellë në Mayence erëzat dhe monedhat e famshme, të cilat në vitin 973 do ta emociononin aq shumë arabin Tartushi, duke i kujtuar vendlindjen e tij në zemër të një vendi të huaj e të largët.

DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke,

Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit