4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Si e presin gjermanët te ardhmen pas 25 vitesh?

Më të lexuarat

Pas shumë zhgënjimesh në vitin 2012 shumë shpresa lidhen tani me vitin 2013. Politika dhe ekonomia janë në kërkim të vizioneve mundësisht më të besueshme për të ardhmen. Cilat janë tendencat e zhvillimit pas 25 vjetësh?

As në vitin 2037 njeriu nuk do të arrijë të shkojë duke fluturuar në punë apo t’i marrë perimet nga Marsi. Ndryshimet thelbësore do të konsistojnë tek një lidhje edhe më e thellë në rrjet. Frikërat e sotme nga abuzimi me të dhënat apo survejimi, si dhe avantazhet që sjell shkëmimi i të dhënave do ta ndryshojnë dhe përmirësojnë rrënjësisht jetën. Puna, koha e lirë dhe familja do të harmonizohen më lehtësisht. Të jetosh i shëndetshëm do të jetë e vetëkuptueshme. Por sidoqoftë bota e punës për njerëzit në Gjermani zhvillohet me orientim më të fortë drejt konkurrencës, shteti social do të tkurret edhe më shumë dhe hendeku mes të varfërve dhe të pasurve do të bëhet më i dukshëm dhe më i prekshëm se deri më sot.
Birgit Gebhardt është serioze, se pritjet saj për çerek shekullin e ardhshëm jane shumë realiste. Argumentimi i saj është: “Njerëzit do të mbeten ata që janë sa u përket dëshirave dhe nevojave të tyre.” Ndërkohë që tendencat e teknikës, që kanë nisur të njihen qysh sot, do të vazhdojnë të orientohen më tej tek njerëzit dhe tek avantazhet, që ata kërkojnë.

Birgit Gebhardt ka drejtuar si drejtore ekzekutive për vite me radhë zyrën në Hamburg “Trendbüro” për Tendencat e Zhvillimit shoqëror. Kjo zyrë u themelua 20 vjet më parë nën drejtimin e sociologut Matthias Horx dhe ekspertit të shkencave të komunikimit prof. Peter Wippermann duke u kthyer në sipërmarrjen kryesuese për ndryshimet shoqërore në Gjermani.
Parashikimet e “Trendbüro” bazoheshin vazhdimisht tek të dhënat ekzistuese të ministrive dhe shoqatave. Studimet thelloheshin edhe më tej dhe skenarët e së ardhmes të zhvilluara prej këtyre të dhënave në shumicën e rasteve janë bërë realitet. Birgit Gebhardt ka ndjekur të njëjtën rrugë për lirbin e saj “2037 – E përditshmja jonë në të ardhmen”. Dy autorë kanë hulumtuar faktet, dhe Gebhardt me porosi të fondacionit Körber projektoi, se si mund të jetë jeta në Gjermani për 25 vjet.

Jeta dhe e përditshmja në vitin 2037
Shërbime publike të reja dhe me çmim të arësyeshëm do t’i ndhmojnë njerëzit gjatë blerjes, në përkujdesin për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara në familje. Robotët do të lehtësojnë përkujdesin për të moshuarit duke marrë përsipër ngritjen e sendeve të rënda, duke kontrolluar vlerat shëndetësore dhe duke njoftuar mjekun në rast emergjence. Marrja e psikofarmave për të rritur aftësinë për rendimente, apo për të përmirësuar gjendjen shpirtërore do të jetë më e vetëkuptueshme nga sa është sot. Sa i përket pronës do të ketë një kthesë të dukshme vlerash: Të ndash në vend që të posedosh. Të ndërrosh në vend që të blesh. Si rjedhojë ajo që sot ende kërkon shumë para, në të ardhmen do të jetë e mundur të paguhet.

Qytetet do të vazhdojnë të jenë vendbanimet e preferuara. Makina elektrike të drejtuara nga kompjuteri do të mundësojnë qarkullimin në qendrat urbane. Nëpër pallate do të prodhohet energji, por edhe perime. Kopështet e ngritura vertikalisht do të influencojnë për një klimë më të mirë. Institucionet publike do të rënohen edhe më tej, ose – kryesisht ato në sektorin e kulturës – do të sponsorizohen tërësisht nga ndërmarrjet.

Gjithnjë e më shumë njerëz banojnë në “Gated areas”, në lagje të izoluara me mure dhe të mbrojtura me roje. Në këto lagje njerëzit mbrohen prej “të humburve të shoqërisë”, pra ndaj të papunëve të pakualifikuar dhe ndaj migrantëve, numri i të cilëve do të jetë rritur në përmasa dramatike. Konfliktet sociale si pasojë e dështimit të integrimit do të jenë tema dominuese politike.

Për këtë arësye janë përhapur format e fqinjësisë si p.sh. banimi i disa brezave me njëri-tjetrin. Kartëvizitat elektronike do të lehtësojnë njohjen me njëri-tjetrin. Në smartphone, tablet apo përmes syzeve speciale realiteti do të plotësohet me udhëzime mobile: Scanera me programe njohëse do të tregojnë se ku dhe me çfarë çmimi mund të blesh produkte të caktuara. “Mjedisi i shndërruar në një magazinë blerjeje”, fantazon Birgit Gebhard. Mallrat do të prodhohen gjithnjë e më shumë në përputhje me kërkesën duke u prodhuar në mënyrë shumë më individuale. Konsumatori do të shndërrohet në producent.

Punë, ekonomi dhe politikë në një çerek shekulli
Ky skenar i projektuar nga studiuesja e projektimit te se ardhmes Birgit Gebhardt për vitin 2037 ka si pikënisje vazhdimin e ekzistencës së sistemit bazë kapitalist. Mundësitë digjitale megjithatë sjellin më shumë konkurrencë. Në mbarë botën sipërmarrësit 24 orë vendosin në internet për zgjidhjen e detyrave të nxjerra në tender – duke aplikuar menjëherë pas kësaj për projektin pasues. “Ecuria e kësaj do të jetë si në një ‘Inner Cloud'”, projekton Birgit Gebhardt. I punësuari klasik në të ardhmen do të jetë një përjashtim absolut.

Shumë punë njëherazi për të qenë i siguruar nga ana financiare do të jetë në të ardhmen pjesë e së përditshmes për shumë njerëz. Kjo do të thotë: të mësosh vazhdimisht për këtë dhe të shfrytëzosh ofertat e konsulencës. Puna deri në moshë të thyer do të jetë e vetëkuptueshme dhe e pranuar në përgjithësi. Përvoja profesionale do të humbasë gjithnjë e më shumë kuptimin për shkak të akumilimit të dijes në sipërmarrjet e futura në rrjet. Do të kërkohen gjeneralistë, njerëz të gjithahnshëm, që janë të integruar mirë në rrjet dhe mund të mendojnë në mënyrë analitike – e i gjithë sistemi arsimor duhet të jetë i përgatitur për këtë zhvillim.
Në kompensim të kësaj sistemi ekonomik duhet të kujdeset, që të mundësojë kohën e pushimit dhe periudhat e shkëputjes. Në konkurrencën për punonjës të kualifikuar në qendër të vëmendjes do të jenë pikërisht këto përparësi dhe jo rritjet rregullisht të rrogave.
Jeta profesionale me atë private shkrihen midis tyre. Biografia e punës do të karakterizohet më fort prej çështjes së kuptimit të aktivitetit profesional. Strukturat shtetërore do tëndryshojnë duke iu përshtatur kërkesave ekonomike: Strukturën e sotme federale në Gjermani autorja e skenarit të së ardhmes 2037 nuk sheh si të përhershme. Detyrimi për kursime mbetet, e kësisoj shumë sektorë të jetës do të rregullohen në mënyrë të centralizuar.

Shanse për optimistët
“Unë në fakt nuk dua të jetoj në një botë të tillë, thonë shumë njerëz”, pohon Birgit Gebhardt. Kudo, ku ajo e ka prezantuar vizionin e saj të së ardhmes, auditori është përfshirë nga të dridhurat, tregon ajo. Lexuesit e saj i trëmben rritjes së egoncentrizmit, vetmisë dhe vrazhdësisë. Gebhardt sidoqoftë mendon, se shumica janë shprehur më shumë pozitivisht se sa negativisht: “Synimi im ka qenë të tregojë shanset.” Ajo gëzohet për dekadat e ardhëshme. Nuk duhet të kemi frikë për të provuar të renë, sepse në këtë mënyrë s’kemi çfarë t’i trembemi, beson ajo. Gjermania do të ndryshojë, por dashuria do të mbetet: “Ajo do të bëhet më teknike dhe do t’i lihet më pak rastësisë, por romantika nuk do të zhduket.” Një shpresë kjo./DW

 

*Artikulli paraqet thjesht një mënyrë se si gjermanët në bazë të analizimit të së kaluarës, së tashmes dhe në bazë të planeve të tyre dhe trendeve globale e projektojnë të se si dëshirojnë ose si e mendojnë se mund të jenë gjërat pas 25 vitesh.

Ky artikull nuk paraqet as metodologjinë se si punon redaksia kohaislame.com dhe as qëndrimet e saj. E kemi nxjerrë artikullin në faqe vetëm për të shërbyer lexuesin tonë se si dikush planifikon dhe se si qëndrimet politike dhe ekonomike në të ardhmen do të tenton t’i merr konform këtyre pritjeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit