4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Si e gjeta lumturinë!

Më të lexuarat

Nga: Nga: Amina Emetullah

Si e gjeta lumturinë!

Udhëtimi i një motre gjermane drejt Islamit
 
Jam lindur në vitin 1969 dhe jam rritur në Hanover, një qytet i madh në Gjermani, si një e krishterë protestante, vetëm se prindërit e mi ishin të krishterë. Të gjithë jetën kam besuar në Zot, por pa qenë kurrë shumë fetare. Kur lutesha, gjithmonë i lutesha Zotit dhe jo Jezusit. Nuk kam shkuar kurrë për t’u lutur në kishë, sepse sipas mendimit tim, kjo gjë nuk ishte e nevojshme dhe mund të bëhej edhe në shtëpi për të qenë më afër me Zotin.
 
Në moshën 22 vjeçare u martova me një katolik dhe na lindën tre fëmijë të mrekullueshëm, të cilët i mësova se Zoti është gjithmonë pranë nesh dhe na mbron me engjëjt e tij. Por martesa ime, shumë shpejt filloi të bëhej jo e lumtur, im shoq ndryshoi shumë dhe kurrë nuk fliste me mua për problemet e tij. Kështu që dalëngadalë kjo martesë filloi të prishej dhe unë ndjeva se po humbisja jetën time dhe gjithçka që kisha.
 
Në vitin 1998 u shpërngulëm në Vernigerode, një qytet i vogël në Gjermaninë Lindore për arsye biznesi, duke shpresuar akoma që ta shpëtoja martesën tonë. Kur djali im më i vogël mbushi moshën për të shkuar në kopsht, unë fillova përsëri të punoja. Një nga kolegët e mi të punës ishte musliman, por jo besimtar. As vetë nuk e kuptoj se si më mësoi disa sjellje islame.
 
Një vit më vonë fillova ta ndryshoj jetën time, duke i pranuar gjërat ashtu siç janë, pa marrë parasysh se a ishin të mira apo të këqija. Fillova të kuptoj se çdo gjë vjen nga Zoti dhe u bëra më e fortë. Pas dhjetë vjetësh, martesa ime ishte shkatërruar krejt. Kisha frikë ta lija tim shoq. Si mund të mbijetoja unë një nënë me tre fëmijë? Por rrugët e Zoti janë shumë herë të mistershme.
 
Nja dy muaj më vonë, e mora përgjigjen. Kur fillova përvojat e mia të para në internet, njoha dikë, por ai nuk më tregoi se ishte musliman. Ai ishte si çelës drejt jetës sime të re, elhamdulilah! Në profiling e tij në internet, gjeta dy linke të rëndësishme: njërin për 99 emrat e Allahut, për të cilat deri atëherë nuk kisha dëgjuar asgjë, dhe tjetrin për Kur’anin.
 
Lexova suren e parë të Kur’anit dhe më bëri aq shumë përshtypje, saqë doja të lexoja më shumë, kështu që fillova të kërkoj për një përkthim në gjermanisht të Kur’anit. Vëllai im i ardhshëm musliman, Abdurrahmani, nuk dinte gjë për këtë dhe kur i thashë më vonë se po lexoja Kur’anin, u gëzua shumë.
 
Pas disa javësh, mësova se ai ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe kishte shkuar në Maqedoni, ku sapo kishte filluar lufta, por më premtoi se do të qëndronte në kontakt me mua. Elhamdulilah, ai e mbajti premtimin dhe gëzohesha shumë sa herë kontaktoja me të në ato kohë të vështira. Ishte hera e parë që kisha frikë për dikënd, të cilin nuk e kisha takuar më parë dhe bëja shumë dua për të dhe familjen e tij.
 
U mundova të shtoj njohuritë e mia për Islamin dhe megjithëse ishim larg, ai më dha shumë këshilla për të më dhënë kurajo. Feja ime e re dhe besimi tek Allahu më dhanë kurajo që të ndryshoja shumë gjëra në jetën time. E lashë tim shoq dhe fillova një jetë të re. Ishte shumë e vështirë për mua, por e ndjeja që Allahu ishte gjithmonë pranë meje.
 
Kurrë nuk do ta harroj atë ditë kur më kaploi një dëshirë e fortë për t’u konvertuar në muslimane. Fëmijët e mi gjetën jashtë një kotele dhe u munduam ta shpëtonin. Ju luta Allahut që ta linte të jetonte atë krijesë të vogël. Ai i dha asaj një javë jetë. Pas një jave, zgjova natën dhe pashë se kotelja kishte ngordhur. Trupi i saj ishte ende i ngrohtë dhe unë u dëshpërova pa masë. E pyeta Allahun se përse e kishte bërë këtë gjë. Pas një nate pa gjumë, e kuptova në mëngjes se ashtu ishte vullneti i Zotit. Ai jep dhe merr jetë. Ky ishte çasti kur unë e ndjeva se duhet të konvertohesha sa më shpejt që të ishte e mundur. Allahu më dha një shenjë. Për fat të keq, në këtë qytet nuk kishte dhe akoma nuk ka një komunitet musliman.
 
Për t’u konvertuar në Islam duhet të shkoja në Braunshvajg, një qytet në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Takova disa vëllezër dhe motra muslimane, si dhe imamin e xhamisë në stacionin e trenit, por për shkak se treni u vonua shumë, nuk kisha shumë kohë për të ndenjur dhe për të shkuar në xhami, sepse më duhej të kthehesha, ndaj e thashë shehadetin në stacion dhe një motër më tha se tani duhet të ndihesha si e sapolindur dhe kishte të drejtë. Masha’Allah! Eshtë e vështirë të marrësh më shumë njohuri për Islamin dhe të rritësh fëmijët me frymën islame pa pasur një Ummet, por unë nuk dorëzohem.
 
Kur i thashë familjes dhe miqve se tani isha muslimane, ata u tronditën dhe me përjashtim të nënës dhe vëllezërve të vegjël, ata nuk donin të më flisnin më. U pikëllova pa masë, por nuk mund ta lija besimin tim, as për familjen dhe as për dikënd tjetër. Vëlla Abdurrahmani më tha se do të duhej të kalonte ca kohë që të afërmit e mi ta kuptonin dhe kishte të drejtë. Im atë akoma nuk e kupton se pse unë u binda të bëhem muslimane dhe vendosa të mbaj shami. Ai më tha se unë nuk kisha lindur muslimane dhe nuk ishte kultura ime. InshaAllah, një ditë edhe ai do ta kuptojë.
 
Kur u konvertova në vitin 2001, askush nuk më tha se si duhet të vishem apo se duhej të mbaja hixhabin që nga ai çast. I ndërrova zakonet dhe veshjen dalëngadalë. Gati një vit më vonë, kisha shumë dëshirë të mbaja hixhab, por fatkeqësisht nuk mundesha.
 
Disa motra më ftuan për Fitër Bajram në Braunshvajg. Përfitova nga rasti dhe për herë të parë dola nga shtëpia me hixhab. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme. E kuptoja se duhet të vazhdoja, por nuk doja probleme për fëmijët e mi, si e vetmja muslimane gjermane e qytetit. I pyeta motrat dhe ato ishin dakord. Nja dy ditë më vonë, pas shumë duash, e realizova dëshirën time me ndihmën e Allahut.
 
Kanë kaluar shumë vite dhe nuk jam penduar për vendimin tim. Nuk mund ta imagjinoj më veten të dal nga shtëpia pa hixhab. Njerëzit akoma më shikojnë vëngër, sepse akoma nuk janë mësuar me të huajt këtu (disa herë më marrin për turke), por kur më jepet rasti të flas me ta për Islamin, veçanërisht për gratë muslimane, u them se kam vetëm përvoja të mira. Jam krenare që jam muslimane.
 
Në fund, dua të them se për asnjë çast nuk jam penduar që jam bërë muslimane. Disa herë Islami është i vështirë, por më parë, kurrë nuk kam qenë e lumtur. Falenderoj Allahun që më dërgoi si një engjëll vëlla Abdurrahmanin, që të gjeja rrugën e drejtë në jetën time. Allahu i shpërbleftë të gjithë vëllezërit dhe motrat që më ndihmuan dhe akoma më ndihmojnë në rrugën time drejt Islamit.
 
 
Përktheu: Genc Çurgu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit