2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Si e festuan refugjatët Kurban Bajramin

Më të lexuarat

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë në bashkëpunim me organizatat humanitare, ka organizuar faljen e namazit të Kurban Bajramit për refugjatët në kampin e Gjevgjelisë, në kufirin Maqedoni-Greqi.

“Duke marrë parasysh faktin se sot është festa e Kurban Bajramit dhe pjesa më e madhe e migrantëve i përkasin fesë islame, dhe hallet i kanë detyruar të gjinden në territorin e Maqedonisë edhe në këtë ditë festive, ne si Bashkësi Fetare Islame e Maqedonisë u angazhuam qe namazi i Kurban Bajramit të falet këtu në kampin e refugjatëve ne Gjevgjeli, duke siguruar teolog dhe nxënësit e medresesë Isa Beu, të cilët veç faljes së namazit të Bajramit gjatë tërë ditës do të angazhohen në shpërndarjen e ushqimit”, thekson Mustafa Dauti, kryetar i organizatës humanitare “HILAL” e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

Zhurni (një nga refugjatët) bashkë me familjen e tij, thonë se rruga për të arritur në Gjermani ka qenë shumë e vështirë, megjithëse shpresa për një jetë të qetë dhe në paqe nuk i është shuar edhe përkundër përjetimit, siç thotë, të më shumë ditëve të gdhira në tmerrin e luftës në Siri.

“Vi nga Siria, jam nisur për në Gjermani edhe pse kjo rrugë më shumë ditë ka qenë shum e vështirë, nga Turqia pastaj Greqia tani jam këtu, por unë nuk e humbur besimin se një ditë do të krijojë një jetë më të mirë për veten dhe familjen time, një jetë ku zgjohesh pa të shtëna armësh një jetë me prosperitet ekonomik dhe ngritje profesionale”, thotë Zhurn.

Ndërkohë, Drejtoria e Hekurudhave të Maqedonisë, vazhdon të heshtë në pyetjen e medieve dhe organizatave joqeveritare se në bazë të cilit fakt kanë marrë vendim për të shtrenjtuar biletën e trenit nga Gjevgjelia në Tabanovc.

Nga 10 sa ishte në fillim të këtij viti në 25 euro sa është tani, për migrantët të cilët nuk kanë mundësi ta blejnë biletën mbetet të presin me orë madje edhe ditë të tëra derisa ndonjë nga organizatat humanitare nuk siguron mjete financiare për t’i paguar ato.

Përderisa, për ata të cilët dëshirojnë të shkojnë nga Gjevgjelia në Tabanovc me taksi, do të duhet të paguajnë 50 euro për person.

Hamidi, i cili ushton me gruan dhe vajzën e tij tre vjeçar,e duket i lodhur, por thoët se as edhe një ditë nuk do të mbetet në Maqedoni, por do të vazhdojë rrugën për në Serbi, duke shpresuar që pastaj të arrijë në Holandë.

“Maqedonia nuk është destinacioni im, unë mbase shpresoj të arrijë në Holandë”, thotë Hamid.

Ndërkaq Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “LEGIS”, thotë se migrantët janë të vendosur për të arritur në ndonjë vend të Bashkimit Evropian dhe në këtë rrugë nuk ndalen as edhe gjatë ditëve festive duke shfrytëzuar motin e mirë gjatë vjeshtës.

“Po migrantët sot janë në numër të madh, edhe gjatë ditës së djeshme ishin disa mijëra, gjithçka varet nga koha e cila nëse është e mirë, kjo bën që deti të jetë më i qetë dhe numri i migrantëve të cilët vijnë këtu nga Greqia të jetë më i madh. Sipas njohurive që kemi, pavarësisht ditëve festive presim një fluks të madh të refugjatëve të cilët janë drejtuar kah Maqedonia”, thotë Jasmin Rexhepi.

Me aktivitete të shumta bamirësie priten migrantët të cilët arrijnë edhe në pikën kufitare të Tabanovcit për të vazhduar rrugën në Serbi dhe më pas në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne shoqata humanitare “Vllaznia”, si çdo ditë tjetër edhe sot ditën e festës së Kurban Bajramit kemi dalë këtu për tu uruar refugjatëve këtë festë, njëherësh kemi përgatitur ushqim dhe ëmbëlsira ashtu siç e kemi ne traditë në shtëpitë tona, pra të njëjtën gjë ua ofrojmë edhe refugjatëve këtu në Tabanovc, edhe pse janë larg shtëpive të tyre përpiqemi ta ndjejnë këtë ditë festive, por edhe bujarinë që kanë traditë shqiptarët”, thekson Sead Ramadani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit