5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Si do të triumfojë Islami mbi të gjitha fetë, sipas Kur’anit?

Më të lexuarat

Allahu thotë në Kuran:

هُوَ ٱلَّذِىٓ أَرْسَلَ رَسُولَهُۥ بِٱلْهُدَىٰ وَدِينِ ٱلْحَقِّ لِيُظْهِرَهُۥ عَلَى ٱلدِّينِ كُلِّهِۦ وَلَوْ كَرِهَ ٱلْمُشْرِكُونَ

“Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët” (Surja As-Saf : 9)

Tefsiri i Ajetit: “Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët“. Islami do të triumfojë mbi të gjitha fetë, sepse Allahu i Lartësuar e pajisi Profetin e kësaj feje me udhëzim të qartë, domethënë, me dituri të madhe dhe vepra të mira, sipas kësaj diturie. Në këtë mënyrë, robërit njohin rrugën drejt mëshirës dhe Xhenetit të Allahut të Lartësuar. Ata mësojnë veprat dhe virtytet me të cilat kënaqet Allahu i Lartësuar. Me Islamin, ata inkurajohen dhe aftësohen për t’u pajisur me këtë dituri dhe për të punuar sipas saj. Kështu, atyre u lehtësohet rruga për të arritur lumturinë në dynja dhe në ahiret.

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar e pajisi profetin Muhamed (a.s.) me ‘dinul hak’ – fenë e vërtetë. Kjo është feja që u është ngarkuar robërve , që ta adhurojnë Allahun sipas saj. Kjo është fe e vërtetë dhe e plotë. Në të nuk mund të gjesh asnjë lloj mangësie apo defekti, asnjë lloj padrejtësie, në çdo aspekt që ta shohësh, qoftë në detyrimet ndaj Zotit, qoftë në ligjet që rregullojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Porositë e kësaj feje janë ushqim për zemrën dhe kënaqësi për trupin. Largimi nga ndalesat e kësaj feje është çlirim dhe siguri nga çdo ligësi dhe shkatërrim. Atëherë, udhëzimi i qartë dhe feja e vërtetë janë dëshmitë më të qarta, që tregojnë se Muhamedi (a.s.) ishte vërtet i dërguari i Zotit të botëve.

Forca ndikuese e Kur’anit në zemrat e njerëzve, dituria që përmban ai, këshillat e tij dhe feja që përshkruan ky libër, e cila rregullon jetën njerëzore në të gjitha aspektet e saj, të gjitha përbëjnë mrekullinë më të madhe që Zoti ka sjellë për njerëzit. Për sjelljen e kësaj mrekullie, Allahu i Madhëruar zgjodhi më të mirin e profetëve, Muhamedin (a.s.), dhe për ta zbatuar atë solli më të mirin e umeteve, umetin Islam. Ndryshe nga të gjithë mrekullitë e tjera, të cilat ishin të kufizuara për popuj, vende dhe periudha të caktuara, kjo mrekulli përfshin të gjithë njerëzit dhe xhindët dhe të gjithë kohërat, deri në Ditën e Gjykimit.

Sa më shumë të thellohet njeriu në meditimin dhe studimin e këtij libri, aq më shumë do t’ia shtojë ai gëzimin dhe kthjelltësinë në rrugën që ka zgjedhur, për të jetuar sipas kënaqësisë së Krijuesit dhe për të fituar përjetësinë në Xhenetin pranë Tij. Me të tillë mrekulli, është i pashmangshëm përfundimi triumfues i kësaj feje. Allahu i Lartësuar thotë: “…për ta bërë të epërme mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë këtë.” Fitorja e Islamit do të arrihet me argumente dhe fakte të qarta, mbi të cilat është ndërtuar kjo fe. Allahu i Lartësuar do të bëjë që pasuesit e kësaj feje të triumfojnë në përballjen me të kotën dhe gënjeshtrën.

Shtrirja dhe epërsia e fesë së Zotit janë cilësi të pandashme të saj në çdo kohë dhe vend. Askush dhe asgjë nuk mund të dalë mbi këtë fe. Gjithmonë, nëse dikush përpiqet të polemizojë kundër fesë së vërtetë, do të përfundojë i humbur, i poshtëruar dhe i pashpresë. Gjithmonë e vërteta do ta mposhtë të kotën dhe do të shfaqet e qartë dhe e kuptueshme për të gjithë. Ndërsa për sa i përket pasuesve të fesë së vërtetë, nëse ata do t’i përkushtohen plotësisht asaj, nëse do të ndriçohen me dritën e saj, nëse do të udhëzohen me parimet e saj për arritjen e mirësive të dynjasë dhe ahiretit, atëherë do të jenë pa dyshim ngadhënjimtarë para çdokujt.

Ata do të fitojnë gjithmonë, duke e lartësuar fenë e tyre mbi të gjitha fetë dhe besimet e njerëzve. Por nëse ata i neglizhojnë porositë e kësaj feje, nëse nuk e zbatojnë tërësisht atë, në të gjitha aspektet e jetës së tyre, por do të mjaftohen vetëm me përkatësinë e tyre në Islam, atëherë kjo nuk do t’u sjellë dobi dhe nuk do t’i bëjë kurrë të ngadhënjejnë. Neglizhenca në zbatimin e fesë së Zotit është shkak që armiqtë të sundojnë mbi besimtarët. Për të vërtetuar këtë, mjafton të shohësh dallimin mes muslimanëve të parë dhe të atyre që erdhën më vonë, mjafton të shohësh lulëzimin e shteteve islame dhe më pas rënien e tyre.

/Tefsiri i Shejh Sa’dit/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit