Për më shumë se dy dekada që nga fundi i Bashkimit Sovjetik deri në pushtimin rus të Krimesë, Ukraina ishte zyrtarisht e paangazhuar – ose neutrale – në çështjet ndërkombëtare.
Kjo nënkuptonte se ndërkohë që vendi shpesh “notonte” mes qeverive pro-ruse dhe pro-evropiane, zyrtarisht nuk mbajti ndonjë anë në lidhjet gjeopolitike midis Lindjes dhe Perëndimit.
Por gjithçka ndryshoi në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Ukraina braktisi zyrtarisht neutralitetin e saj dhe deputetët brohoritën ndërsa votuan për të hequr pozicionin si vend i paangazhuar me 303 vota, me vetëm 8 kundër.
Lexo po ashtu:
Ky veprim e “shtyri” vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe u denoncua menjëherë nga Moska si “jomiqësor” dhe “kundërproduktiv”.
Ndërkohë në vitin 2019, kushtetuta e Ukrainës u ndryshua për të përfshirë një linjë të re në preambulë që deklaronte “pakthyeshmërinë e kursit evropian dhe euroatlantik” të vendit.
Dhe ndërsa agresioni i Rusisë në Ukrainë vazhdon, kjo klauzolë ligjërisht e detyrueshme mund të kthehet në vëmendje përsëri.
Në mars, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha: “Garanci rreth sigurisë dhe neutralitet, status jo-bërthamor i shtetit tonë. Ne jemi gati të shkojmë drejt këtyre…”.
Sidoqoftë, Zelensky theksoi se çdo traktat paqeje do të kërkonte një armëpushim dhe tërheqjen e trupave ruse në linjat e para-pushtimit dhe refuzoi kërkesat për çmilitarizimin e vendit.
Dhe marrëveshja përfundimtare, vuri në dukje ai, do të duhej të hidhej në një referendum.
Një çmim i lartë për të paguar
Sipas praktikës ndërkombëtare, vendet që e deklarojnë veten si neutrale pritet të qëndrojnë “larg” nga konfliktet e armatosura aktuale dhe të ardhshme dhe të refuzojnë ndihmën dhe qasjen territoriale për të gjithë palët ndërluftuese, me përjashtim të ndihmës humanitare.
Për rrjedhojë, pjesëmarrja në çdo lloj aleance ushtarake – pavarësisht nga madhësia dhe misioni i saj – shihet si shkelje e neutralitetit.
Kështu, për Ukrainën, kjo do të nënkuptonte heqjen dorë nga aspirata e saj e gjatë për t’u bashkuar me NATO-n, një lëshim që Kremlini do ta mirëpriste dhe që Zelensky ka lënë të kuptohet se mund ta pranonte në këmbim të paqes, përcjell Telegrafi.
Por ukrainasit mund ta kenë të vështirë “për të gëlltitur” këtë pasi i rezistuan përparimit të ushtrisë ruse – shumë më të madhe dhe më të pajisur ushtarakisht.
“Ndoshta nuk do të pritet mirë nga popullata ukrainase tani”, ka vlerësuar Anton Nanavov, zëvendësdrejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kombëtar të Kievit.
“Unë mund t’ju them se cili do të jetë reagimi. Ne ndoshta do të duhet të ndiejmë, si komb, se ia dolëm të merrnim diçka si zëvendësim për këtë status. Do të duhej të kishim garanci shumë të forta që lufta nuk do të ndodhë më kurrë”.
Lexo po ashtu:
E një sondazh i fundit i kryer nga Rating, një anketues i pavarur nga Ukraina, tregoi se 68% e banorëve mbështesin idenë e anëtarësimit në NATO, një shifër e ngjashme me sondazhet e paraluftës.
Sondazhi përjashtoi Krimenë dhe dy rajonet separatiste në lindje.
Shkëmbimi i ëndrrave për anëtarësim në NATO me paqen e qëndrueshme mund të jetë i realizueshëm, por do të kushtëzohej nga gatishmëria e Rusisë për të respektuar marrëveshjen, një “kërkesë e madhe” në këtë moment, thekson Nananov.
“[Neutraliteti mund të jetë] një mundësi nëse do të jetë kërkesa e fundit ruse nga ne nëse ata do të na thonë se është një Ukrainë e lirë dhe nëse ata do të tërheqin trupat e tyre të vendosura dhe ata do të kthejnë Krimenë”, mendon ai.
“Mund të merret në konsideratë, por nuk jam i sigurt se do të pranohet shumë këndshëm nga njerëzit”.
Ndërsa Serhiy Kudelia, një asistent profesor në Universitetin Baylor, Teksas, tha se “ndryshimi i papritur” i Zelensky për anëtarësim në NATO do të përfaqësonte një “pajtim të qartë ndaj një prej kërkesave kryesore të Rusisë”.
“Në vend se një zgjedhje strategjike e bërë me dëshirën e Ukrainës, neutraliteti do të bëhej një politikë e imponuar ndaj shoqërisë ukrainase dhe elitave të saj nëpërmjet përdorimit të forcës. Në të vërtetë, perspektivës së neutralitetit i mungon legjitimiteti më i thellë politik dhe ka të ngjarë të kontestohet menjëherë”, ka shkruar Kudelia në një artikull për “Open Democracy”, përcjell Telegrafi.
“Do të ishte në rrezik të përhershëm ndryshimi nga ndonjë prej pasardhësve të Zelenskyt. Kjo do të minonte efektivitetin e neutralitetit si një mjet i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në vend të kësaj, ai ka të ngjarë të bëhet një burim i përhershëm i paqëndrueshmërisë së brendshme”.
Fuqia dhe interesat
Neutraliteti është një koncept që daton disa shekuj më parë dhe që është kodifikuar në mënyrë progresive në të drejtën ndërkombëtare, duke filluar me Konventën V dhe XIII të Hagës të vitit 1907.
Sot, vetëm një pjesë e vogël e vendeve njihen si neutrale.
Disa, si Japonia, Finlanda dhe Zvicra, mbajnë një ushtri moderne të mirëfinancuar, ndërsa të tjerët, si Panamaja, Monako, Lihtenshtajni dhe Qyteti i Vatikanit, kanë pak ose aspak kapacitet ushtarak.
Në praktikë, neutraliteti është mjaft fleksibël dhe vendet kanë një hapësirë të madhe diskrecioni për të interpretuar statusin e tyre për sa kohë që nuk ka përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë.
Për shembull, Finlanda po dërgon pushkë dhe armë antitank në Ukrainë, ndërsa Zvicra ka thyer precedentin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Lexo po ashtu:
Nga ana e saj, Japonia ruan një traktat të gjatë dekadash bashkëpunimi dhe sigurie të ndërsjellë me SHBA-në.
Megjithatë, neutraliteti i tyre konsiderohet si një fakt i kryer nga komuniteti ndërkombëtar.
“Neutraliteti funksionon kur ekuilibri i fuqisë është i vendosur. Funksionon kur është në interesin e të gjithëve që të funksionojë”, vlerëson Pascal Lottaz, një profesor i studimeve të neutralitetit me qendër në Tokio në Universitetin Waseda.
“Midis 1991 dhe 2014, Ukraina ishte pak a shumë në një lloj ekuilibri politik. Nën disa qeveri, Ukraina ishte më pro-evropiane. Nën disa qeveri të tjera, ajo ishte më pro-ruse. Por gjithmonë mbajti këtë qëndrim se do të qëndrojë neutrale dhe nuk do të bashkohej me asnjërën palë. Kjo u ndryshua në vitin 2008 kur NATO i premtoi anëtarësimin në aleancë”.
Shkrimi i Euronews vlerëson se një ekuilibër i ri fuqie do të duhej të lindte nga bisedimet e paqes në mënyrë që të ruhej neutraliteti i Ukrainës dhe të sigurohet që vendi të mbrohet nga aktet e reja të paprovokuara të agresionit.
Për shembull, neutraliteti dhe siguria e Austrisë u garantuan nga fuqitë aleate pas Luftës së Dytë Botërore dhe dhjetë viteve të pushtimit që pasuan.
Në anën tjetër, raportet nga mediat ukrainase kanë hedhur idenë e një koalicioni garantues që do të përfshinte Rusinë, Kinën, SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Turqinë, Gjermaninë, Kanadanë, Italinë, Poloninë dhe Izraelin, megjithëse mbetet për t’u parë se si shumë prej këtyre vendeve do të ishin të gatshëm të merrnin një përgjegjësi të tillë.
Turqia dhe Izraeli kanë vepruar si moderatorë në konflikt, ndërsa Kina ka miratuar një pozicion qëllimisht të paqartë, duke bërë thirrje për paqe dhe përmbajtje, por duke qenë kundër sanksioneve të Perëndimit dhe “mentalitetit të Luftës së Ftohtë”.
Lexo po ashtu:
“Do të duhej të bëhej një marrëveshje ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe do të duhej të përfshinte edhe Uashingtonin, sepse, le të mos harrojmë, lufta është midis Rusisë dhe Ukrainës, por konflikti është midis Rusisë dhe NATO-s, dhe kryesisht SHBA-së. Kështu që kjo do të kishte nevojë për një marrëveshje nga të gjitha palët që të gjithë janë më mirë nëse Ukraina mbetet neutrale”, tha Lottaz për Euronews.
“Ukraina ka kërkuar, për shembull, garanci sigurie nëse pranon të jetë neutrale. Tani, kush duhet t’i japë ato garanci sigurie? Sigurisht që nuk mund të jetë një vend anëtar i NATO-s, sepse kjo do të ishte pothuajse e barabartë me anëtarësimin në NATO, që Rusia nuk do të pranonte kurrë”.
Gjithashtu, të qenit i privuar nga garantuesit e jashtëm dhe anëtarësimi në NATO në të njëjtën kohë mund të rezultojë i patolerueshëm për ukrainasit, të cilët, pas 24 shkurtit, janë të detyruar të “lundrojnë” në një mjedis gjeopolitik shumë të pasigurt dhe të paqëndrueshëm, “kornizat” e të cilit janë ende duke u projektuar.
Një rrugë alternative mund të gjendet në anëtarësimin në BE: sipas traktatit të paqes, Ukraina mund të lejohet të ndjekë integrimin evropian vetëm nëse heq dorë zyrtarisht nga aspiratat e saj në NATO.
Duke vepruar kështu, Ukraina do të bëhej vendi i gjashtë neutral që i bashkohet BE-së, së bashku me Austrinë, Finlandën, Irlandën, Maltën dhe Suedinë.
Në këtë kuadër, perspektiva e anëtarësimit në BE ka fituar një tërheqje të madhe që nga shpërthimi i luftës, gjithashtu.
I njëjti sondazh i Rating-it që tregoi mbështetje për NATO-n në 68% zbuloi mbështetjen për pranimin në BE me 91%, një shifër rekord.
Presidenti Zelenskyy i ka dërguar Brukselit aplikacionin zyrtar, i cili tani po shqyrtohet nga Komisioni Evropian.
Madje, “oreksi politik” është rritur ndjeshëm në të gjithë bllokun, me disa vende të Evropës Lindore që kërkojnë një procedurë të shpejtë, një opsion i padëgjuar më parë.
Por anëtarësimi në BE është një perspektivë afatgjate, një projekt frymëzues për vitet e pasluftës.
Tani për tani, luftimet vazhdojnë dhe fokusi është ekskluzivisht në fushën e betejës – dhe tryezën e negociatave.
Andaj, kohë të vështira na presin, në të dyja anët.
Disa ditë pasi Zelensky miratoi në mënyrë eksplicite kthimin e Ukrainës në neutralitet, presidenti rus Vladimir Putin tha se bisedimet e paqes kishin hyrë në një “fund pa krye” dhe u zotua “operacioni ushtarak do të vazhdojë deri në përfundimin e tij të plotë”.
Më vonë ai urdhëroi një sulm të gjithanshëm për të fituar kontrollin e të gjithë Donbasit. /Telegrafi/