Nxitimi jodiplomatik i Charles Michel me vitin 2030
Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian bazohet në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësim, ndaj Komisioni Evropian nuk është i fokusuar në datën, por në mbështetjen e vendeve kandidate për zbatimin e reformave, tha Dana Spinant, zëdhënëse e Komisionit.
“Ne gjithmonë kemi thënë se zgjerimi është një proces i bazuar në merita, që do të thotë se vendet kandidate duhet t’i bashkohen BE-së kur të jenë gati për të”, tha Spinant, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të komentuar fjalimin e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në Forumin e Bledit në Slloveni, ku ai përmendi vitin 2030 si afat për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe, pas një skepticizmi hokatar nga Rama, ka pasuar dhe reagimi nga familja e tij institucionale.
“Për të qenë të besueshëm, besoj se duhet të flasim për kalendarin dhe detyrat e shtëpisë. Unë kam një sugjerim. Ndërsa përgatitim programin e ardhshëm strategjik të BE-së, duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë. Besoj se duhet të jemi gati, nga të dyja palët, për zgjerimin deri në vitin 2030”, tha Michel.
Por Komisioni thotë se nuk synojnë data.
“Nuk jemi të fokusuar te data. Ne jemi të fokusuar në bashkëpunimin e ngushtë me vendet kandidate në mënyrë që ato të jenë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne jemi të fokusuar në mbështetjen e tyre në reforma, jemi fokusuar në investime që i ndihmojnë ata të transformojnë ekonomitë e tyre dhe t’i afrohen më shumë kërkesave rregullatore që janë të rëndësishme për t’u përmbushur përpara se të hyjnë në Bashkimin Evropian”, tha Dana Spinant.
Ky qëndrim nga Brukseli nuk ka kaluar pa reagimin e Ramës në Tiranë.
“Po sigurisht, kjo është arsyeja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan… Gjithsesi më besoni, në gjendjen aktuale të punëve të jashtme, të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurt se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë shumë larg, por një gjë është e sigurt si vdekja: Ky autobus nuk do të përplaset kurrë në BE”, shkruan i pari i qeverisjes shqiptare. /tesheshi.com/