-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Shumica nuk është dëshmi që diçka është e saktë

Më të lexuarat

Shumica nuk është dëshmi që diçka është e saktë
Nga shejh Salih el-Feuzan
Burimi: Sherh Mesa’il-ul-Xhahilijeh, f.60-62

Imam Muhamed bin Abdil-Uehab, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Ndër parimet më të mëdha të tyre qe edhe ajo se ata mashtroheshin nga shumica, duke e përdorur këtë për të përcaktuar saktësinë e një çështjeje. Ata po ashtu përcaktonin pavërtetësinë e diçkaje nëse ajo ishte e çuditshme dhe ithtarët e saj të pakët. Kështu, Allahu ua solli atyre të kundërtën e kësaj, duke e sqaruar këtë në shumë vende në Kur’an.

Shpjegimi

Ndër cilësitë e njerëzve të ditëve të injorancës është që ata e shihnin shumicën si dëshmi që diçka ishte e vërtetë, ndërsa pakicën si dëshmi që diçka ishte gabuar. Pra, sipas tyre, çfarëdo qoftë në të cilën gjendeshin shumica e njerëzve, ajo ka qenë e vërteta; çfarëdo qoftë në të cilën gjendeshin pakica, ajo s’ka qenë e vërtetë. Në botëkuptimet e tyre, kjo qe balancimi që përdorej për të përcaktuar të vërtetën nga pavërtetësia. Mirëpo, kjo është gabim, sepse Allahu thotë:”Nëse u bindesh shumicës në tokë, ata do të të çorientojnë nga shtegu i Allahut. Ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendje, dhe s’bëjnë gjë tjetër, përveç se gënjejnë”. [el-Enam, 116]

Dhe Ai thotë:”Por shumica e njerëzimit nuk e dinë”. [el-Araf, 187]

Dhe Ai thotë:”Shumicën e tyre s’i gjetëm të vërtetë në marrëveshjen e tyre, dhe shumicën e tyre i gjetëm të jenë vërtet mëkatarë”. [el-Araf, 102]

Pra balancimi s’është shumica apo pakica, por balancimi është e vërteta. Kështu, kushdo qoftë që është në të vërtetën, edhe nëse është i vetëm, ai është i saktë dhe meriton të ndiqet. Kurse, nëse shumica e njerëzve gjenden në pavërtetësi, atëherë është e detyrueshme t’i refuzojmë dhe të mos mashtrohemi prej tyre. Kështu, vëmendja i duhet kushtuar të vërtetës. Për këtë shkak, dijetarët thonë:”E vërteta nuk njihet me anë të njerëzve, por vetë njerëzit njihen me anë të vërtetës”. Pra, kushdo qoftë që është në të vërtetën, atë duhet ndjekur dhe duhet imituar.

Në rrëfenjat e Allahut rreth popujve të mëparshëm, Ai na informon që është mu pakica e cila është në të vërtetën, siç thotë Allahu:”Dhe askush nuk besoi me të, përveç një pakice”. [Hud, 40]

Në një hadith, në të cilin pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] i qenë prezantuar popujt, ai [salallahu alejhi ue selam] ka thënë të ketë parë një pejgamber që kishte një grup të vogël ndjekësish me vete, një pejgamber që kishte një apo dy njerëz që po e pasonin si dhe një tjetër pejgamber që s’kishte njeri me vete. Pra, nuk duhet kushtuar vëmendje opinionit që ka më së shumti pasues. Madje, vëmendje i duhet kushtuar faktit se a është ajo e vërtetë apo e pavërtetë. Kështu, çfarëdo qoftë që të jetë e vërtetë, ndonëse në të mund të gjenden një pakicë njerëzish apo askush – për sa kohë që ajo është e vërtetë – atë duhet ndjekur, se vërtet ky është shpëtimi. Pavërtetësia nuk mbështetet me faktin që shumica e njerëzve e pason atë, kurrë. Kjo është masë përcaktuese, në përputhje me të cilën muslimani duhet të veprojë.

Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ka thënë:”Islami ka filluar si i huaj dhe do të kthehet si i huaj, ashtu siç ka filluar”. Kjo do të ndodhë në kohën kur e keqja, fatkeqësitë e drejtimi i keq të shtohen. Pra, askush s’do të mbetet në të vërtetën, përveç të çuditshmëve mes njerëzve dhe ata që tërhiqen nga fiset e veta [për hir të fesë]. Ata do të bëhen të çuditshëm/të huaj në shoqërinë e vet. I dërguari [salallahu alejhi ue selam] u dërgua ndërsa e gjithë bota ishte përmbytur në mosbesim dhe drejtim të keq. Dhe, kur ai thirri njerëzit, vetëm një apo dy iu përgjigjen thirrjes së tij. Qe vetëm më vonë që ata u shtuan dhe u bënë të shumtë. Fisi Kurejsh, të mos përmendim gjithë Gadishullin Arabik, ishte në drejtim të keq ndërsa i dërguari [salallahu alejhi ue selam] ishte i vetmi që po thërriste njerëzit. Kështu, ata që e ndoqën atë ishin të pakët në raport më gjithë botën.

Pra, vëmendje nuk i kushtohet shumicës, por vetëm asaj që është e saktë dhe arritjes të së vërtetës. Po, nëse shumica e njerëzve janë në të vërtetën, atëherë kjo është mirë. Mirëpo, zakoni i Allahut është që shumica e njerëzve gjithmonë janë në pavërtetësi.

“Dhe shumica e njerëzve nuk do të besojnë, edhe nëse ti e lakmon këtë”. [Jusuf, 103]

“Nëse u bindesh shumicës në tokë, ata do të të çorientojnë nga shtegu i Allahut. Ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendje, dhe s’bëjnë gjë tjetër, përveç se gënjejnë”. [el-Enam, 116]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit