12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Historia e qytetërimit Islam në Evropë

Më të lexuarat

nga Ahmed Abdul-Veli Vincenzo

Roli i Spanjës, ku gati për tetë shekuj ishte i pranishëm besimi Islam, relativisht është një çështje e mirënjohur. Ndërsa më pak e njohur është ajo që ka ndodhur në Itali.
——————————————————————————–

Megjithëse Gadishulli Italian përbën një “urë” të ndërtuar mbi Mesdhe që bashkon Evropën me Afrikën, ndërsa deti Adriatik është si një “liqen” që më shumë e bashkon se sa e ndan Lindjen me Perëndimin.
Italia e ka kryer këtë funksion jo vetëm në përhapjen e besimit Islam. Në të vërtetë, qytetërimi antik romak e ka origjinën në kontaktet e popujve italikë me qytetërimin lindor në rënie, të sjellë nga trojani Enea, duke i dhënë jetë kështu Perandorisë Romake. Edhe Greqia e Madhe, duke qenë trashëgimtare e traditave lindore, solli shkencat e shenjta në Perëndimin që shkonte drejt shekullarizimit. Me rënien e perandorëve romakë, Perëndimi mundi përsëri të ngulej e të kapërcente periudhën e stuhishme të sulmeve barbare, falë ndikimeve të Kristinianizmit Lindor, deri në shenjtërimin e Perandorisë Romake.
Historia, si gjykatëse e jetës, dëshmon se si shkenca dhe filozofia greke ishin njohur nga evropianët nëpërmjet veprave të dijetarëve lindorë, dhe jo vetëm të kohëve antike si Platoni dhe Aristoteli, por edhe të Shën Tommasos e Dantes, që përfaqësojnë modelin emblematik universal, që duhet kuptuar më shumë si gjallërim shpirtëror nën ndikimin e botës lindore që gjatë Mesjetës favorizohej nga besimi Islam.
Roli i kësaj “ure” me vendet e Lindjes, nuk duhet kuptuar se gadishulli ynë shërbeu vetëm si një vend-kalim i ndikimeve të largëta dhe të huaja. Në Itali, si Perëndimi ashtu edhe Lindja gjetën terrenin e favorshëm, dhe në gjirin e popullit italian u shkruan shkencat hyjnore. Këto lidhje nuk janë episodike e të rastit, por u mishëruan në të njëjtin trup, në jetën e përditshme, në shkëmbimet dhe ballafaqimet e vazhdueshme të praktikave shpirtërore.
Depërtimi i Islamit në Siçili është më shumë një pushtim “intelektual” se sa një invazion ushtarak. Marrja e ishullit u krye nga Zijadat Allah (817-838) emir i tretë aghalabite që i përkiste asaj dinastie që në kohën e kalifit Harun Al-Rashid (786-809) kishte qeverisur në Afrikë. Emiri, i këshilluar me dijetarët e oborrit, në qershor të vitit 827 vendosi në krye të ushtrisë Esed bin el-Furat. Kjo zgjedhje u duk e papërshtatshme, sepse njeriu i caktuar në krye të ushtrisë ishte një 68-vjeçar me emër të mirë në fushën e jurisprudencës, por kryesisht i paprovuar në veprime ushtarake. Megjithatë, nga një këndvështrim tjetër, kjo ngjarje është e shpjegueshme, sepse kush drejton një luftë shpirtërore dhe intelektuale është në gjendje të drejtojë e të sigurojë fitoren edhe në veprimet luftarake. Thënë më saktë, në çdo veprim ku gjenden motivet dhe forca shpirtërore sigurohet mbështetja e Zotit.
Nuk duhet harruar se ajo që është më e lartë, gjithmonë në parim nënkupton edhe atë që ndodhet në shkallën më të ulët. Kështu, kjo ngjarje na ndihmon të shkojmë tek kuptimi simbolik i Xhihadit dhe karakterit të shquar të veprimit që kryhet në emër dhe në rrugën e Zotit. Fjala e El-Furatit në Rabat, vend i fortifikuar në Suza, ndriçon më së miri veçoritë e pranisë së Islamit në Siçili:
“Zoti është një dhe pa shok. Për Zotin, që ushtrinë që unë komandoj nuk e kam trashëgim nga babai dhe nga askush tjetër prej të parëve të mi, dhe nga askush prej të cilëve nuk ka bërë diçka të ngjashme; vetëm shpallja, më ka drejtuar në veprën që ju tashmë shihni. Kështu pra, me shpirt e me trup vihuni në kërkim të shpalljes. Përmbahuni sa të jetë e mundur, por të dini me këmbëngulje të qëndroni dhe të duroni mundimet me të cilat do të përballeni, dhe kuptoni mbi gjithçka se keni siguruar shpërmblimin në këtë botë dhe në jetën tjetër.”
Në Siçili, dinastitë që sunduan deri në ardhjen e Normanëve, i qëndruan në njëfarë mënyre besnikë frymës së Esed bin el-Furat. Kështu që funksionoi një dialogim i qëndrueshëm midis qytetarëve të Siçilisë dhe njerëzve të shpalljes së Zotit. Komuniteti musliman qëndroi në trojet italiane deri në vitet 1300. Më pas, muslimanët u detyruan të tërhiqeshin përsëri drejt Lindjes. Është e natyrshme se në këtë pikë shumë prej shpjegimeve historike që bëjnë fjalë për qëndrimin e arabëve në Itali, duhen rivlerësuar. Nuk është e arsyeshme që të grindemi mbas 500 vjetësh bashkëjetese e lidhjesh martesore brenda etnive. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për ndikimet e komunitetit musliman në Itali.
Palermoja, gjithashtu luajti një rol të veçantë për muslimanët që dëgjonin fjalën e Zotit dhe ndiqnin shembullin e Profetit (a.s.) si model i përsosmërisë shpirtërore, në përputhje me frymën hyjnore me të cilën ai u paraqit në botën muslimane të Medines, për t’u njohur më tej në të gjithë territoret islame që shprehet në fjalët e poetit Ibn Rashid, i cili e quan Palermon si “motra” e Medines, me një emër me të cilin nuk mund të krahasohet asnjë vend tjetër.
Dihet se aty ku sot ku ndodhet Katedralja e Palermos, dikur qëndronte një xhami e madhe krahas plot 300 xhamive të shpërndara në të gjithë territorin e saj.
Edhe gjatë pushtimit norman, që nisi në vitin 1061 e vazhdoi deri në kohën e Frederikut II, ndikimi i Islamit në Mbretërinë Siçiliane qe i dukshëm në çdo nivel. Jo rastësisht Roberto Guiskardi, kur pushtoi Palermon emëroi aty si qeveritar një kalorësin e tij duke i dhënë titullin “emir”2 dhe këtë episod poeti Rizitana e ka përshkruar kështu: Ky ishte një vlerësim që fitimtarët i bënin qytetërimit dhe organizimit shtetëror të të mundurve.
Dhe në të vërtetë, dinari-monedha islame qarkulloi pa ndërprerje gjatë periudhës normane, duke vazhduar të përcillte shprehje kur’anore, së paku, deri në kohën e mbretit Ruxheri I norman, i cili përvetësoi nga e drejta islame ato norma që rregullonin pavarësinë e komuniteteve fetare, ku secili prej tyre fitoi vetëqeverisjen.
Frederiku II, kur pushtoi Jeruzalemin, zbatoi të njëjtën praktikë dhe në qytetin e shenjtë. Në Mbretërinë e Siçilisë, librat që shkruanin për detyrimet dhe të drejtat e feudalëve u qujtën “defter”- term i huazuar nga arabishtja me kuptimin “regjistër”. Kështu midis arabizmave në të folurën siçiliane ka shumë fjalë që lidhen esencialisht me organizimin e shtetit norman që ishte një model për Perëndimin si: “dugana” nga divan, “funnacu” (hotel) nga funduk, “zicca” apo “zecca” nga sikka.
Disa burime përmendin faktin se mbreti i ri, Frederiku II, u edukua nga një dijetar musliman gjatë rinisë së tij në Palermo dhe realisht mori një edukim dhe arsimim që e aftësoi në përdorimin e gjuhës arabe; madje deri në vjershëtimin në këtë gjuhë.
Thuhet gjithashtu se ky mbret, në Jeruzalem u shoqërua nga mësuesi i tij arab-Sikula që i kishte dhënë mësime në logjikë dhe dialektikë por që gjithashtu banoi edhe në qytetin e shenjtë në shtëpinë e kadiut Shemsudin.
Këto fakte deri tani nuk njihen sa duhet për shkaqe që kuptohen, por ato janë shumë domethënëse për të kuptuar pjekurinë e parakohshme shkencore dhe shpirtërore të perandorit të ri si dhe karakterin e veçantë të politikës së Frederikut II.
Për tiparet e formimit “islam” të Perandorit dëshmojnë disa ndodhi në realitetin italian, posaçërisht lidhjet e tij me komunitetin musliman, që luajtën rol të rëndësishëm, dhe që vështirësisht kuptohen në një klimë tërësisht perëndimore. Gjithashtu edhe lëvizja relativisht “paqësore” e muslimanëve të Siçilisë në Luçena ka krijuar çudinë e shumë historianëve, megjithëse kjo ndodhi mbas një periudhe luftërash e përleshjesh të gjata e konfliktesh të pazgjidhura nëpërmjet veprimeve ushtarake. Prania e një kolonie islame në Kapitanea, rajon që kishte një interes madhor në territoret gjeografike të perandorisë së Frederikut II, përbën një ndodhi kuptimplote për atë kohë. Nga ana tjetër, fakti që në këtë koloni kryheshin publikisht ritet islame dhe zbatohej plotësisht Sheriati, ligji Islam, tregon qartësisht se lufta me muslimanët në Siçili zhvillohej mbi bazën e një marrëveshjeje që parashikonte njohjen dhe vendosjen e Islamit plotësisht sipas traditës islame si kudo, dhe në harmoni me komunitetin italian veçanërisht.
Duhet kuptuar se në Siçili, mbas rrëmujave të Palermos të vitit 1190, u shënuan raste në rritje të intolerancës fetare, për arsye se mbretëria nisi të kryente funksionin e feudit të Kishës. Frederiku II tashmë mund të ushtronte pushtetin aty vetëm brenda kufijve të një kolonie dhe jashtë Siçilisë ku pushteti i klerit ishte i fuqishëm. Marrëveshja tashmë duhej të bazohej mbi rinjohjen e Islamit më shumë si një besim orthodoks që krijonte një premisë shpirtërore-ligjore e rëndësishme nga pjesë e Islamit, dhe kjo marrëveshje nuk ishte e natyrës tërësisht “politike”, por mbështetej mbi një rinjohje intelektuale dhe fetare, ngulitur nga fakti se perandori nuk i trajtoi muslimanët e Luçenës si ushtarë të thjeshtë në nivele të ulta, por ndërtoi në qytet një “dar el-llm”-(institut i shkencës së traditës), ku zhvilloheshin të gjitha degët e dijes. Kjo iu krijoi mundësi muslimanëve të Luçenës të pranonin autoritetin perandorak si pushtetin e kohës-Muslimanët që formonin gardën perandorake e thërrisnin perandorin “Sulltan”, ndërsa perandori kishte siguruar respektimin dhe ushtrimin e besimit në radhët e komunitetit musliman italian.
Dimë nga historia e mëvonshme, se Frederiku II, duke u mbështetur në lidhjet me komunitetin musliman italian, ashtu si edhe më parë, ndërtoi skeletin e ushtrisë së rregullt perandorake si formacion i domosdoshëm, duke siguruar besnikërinë e muslimanëve ndaj autoritetit të tij, që Frederiku II vështirë se mundi ta gjente në Perëndim.
Nuk duhet menduar se komuniteti musliman ishte i pranishëm vetëm në rajonet jugore. Edhe në Toskanë, që në kohët e hershme nuk munguan kontaktet me Botën Islame, qoftë nëpërmjet udhëtimeve detare të Pizës, qoftë edhe prej prirjeve të theksuara intelektuale të familjeve të fuqishme. Në një letër të Bertës së Toskanës, që daton rreth viteve 905-906, bëhet fjalë për një grup prej 150 të burgosurish muslimanë të mbajtur në burgje për 7 vjet. Kjo letër tregtie i adresohet Kalifit të Bagdatit dhe është ruajtur në variantin arabisht. Burgimi nuk pengonte një shkëmbim të leverdisshëm që Berta e shpreh me këto fjalë:
“Lus Zotin që të më ndihmojë për të merituar miqësinë dhe marrëveshjen midis nesh, për aq vjet sa unë të jem gjallë, dhe çdo gjë që do të ndodhë varet nga ty. Toskana do të luante një rol të rëndësishëm në shekujt X-XII. Veçanërisht theksohet se Irnerio që dha ndihmesën kryesore në rilindjen juridike në Lindje, ka qenë në shërbim të konteshës Matildë, para se të angazhohej si formues i disa vendimeve gjyqësore të Perandorit Enriku V. Oborri i Konteshës së Toskanës ishte i përmendur për nivelin intelektual e për bibliotekën madhështore që tërheq studiues nga gjithë bota. Ka të ngjarë që pikërisht në atë kohë të kenë filluar të mblidhen veprat e filozofëve muslimanë të mirënjohur dhe që në shumicën e rasteve ishin juristë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit