1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Shumica

Më të lexuarat

Shumë prej shoqërive të sotme bazohen në administrimin e tyre te vendimet e shumicës, duke i dhënë rëndësi, dhe të drejtën për të marrë vendime, njerëzve dhe zgjedhjeve të tyre. Edhe në shoqëritë që nuk funksionojnë në këtë mënyrë, mënyrat e të menduarit të shumicës reflektohen në sjelljet e saj. Por, a janë përherë të drejta vendimet e shumicës? A mund të kihet besim te shumica, se ajo do të veprojë dhe sillet në mënyra që konsiderohen “të drejta”, “morale” dhe “të justifikuara”? Të besosh se shumica ka përherë të drejtë është një supozim i diskutueshëm, të cilin e përgënjeshtron historia, sepse duhet pranuar që shumica ndryshon me kohën, ashtu sikurse ndryshojnë gjërat që ajo beson.

Një shembull i mirënjohur i vendimeve jo të drejta të shumicës gjendet te racizmi, apo te mendimet dhe sjelljet diskriminuese që e kanë frymëzuar atë. Në Amerikë, njerëzit e bardhë të ardhur nga Europa dhe pasardhësit e tyre kanë patur deri përpara pak dekadash të drejta të sanksionuara me ligj që u ishin mohuar grupimeve të tjera etnike si amerikanëve autoktonë, afro-amerikanëve, hispanikëve dhe latino-amerikanëve.

Amerikanët europianë, veçanërisht protestantët e pasur anglo-saksonë, gëzonin privilegje ekskluzive në fushat e arsimimit, emigracionit, të drejtës së votës, qytetarisë, përvetësimit të tokave dhe procedurës penale përgjatë periudhave kohore që janë shtrirë nga shekulli i 17-të, deri në vitet 60-të të shekullit të 20-të. Këto akte janë kryer me dijeninë dhe aprovimin e shumicës dhe, në kohën kur kanë ngjarë, nuk janë konsideruar të gabuara. Nëse ato shihen sot si jo të moralshme dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, kjo ka ndodhur sepse mendimet e shumicës kanë ndryshuar.

Gabueshmëria e shumicës është rrjedhojë e tipareve me të cilat karakterizohet ajo. Zoti ka përmendur në Kuran veçoritë e shumicës, të cilat janë edhe arsyet që qëndrojnë në themel të të metave dhe paqëndrueshmërisë së opinioneve të saj. Kështu:

1. Shumica e njerëzve e mohojnë të vërtetën

“E njohin bekimin e Allahut, megjithatë e mohojnë atë, dhe shumica e tyre janë mohues” (En-Nahl 16, 83).

2. Shumica e njerëzve nuk e pëlqejnë të vërtetën

“A mos po thonë se ai është i prekur nga marrosja? Jo, ai u erdhi atyre me të vërtetën, por është e vërteta që shumica e tyre nuk pëlqejnë” (El-Muminun 23, 70).

“Pa dyshim Ne ju kemi sjellë të vërtetën, por shumica e juaj, ndaj së vërtetës, është mospëlqyese” (Ez-Zukhruf 43, 78).

3. Shumica e njerëzve nuk janë besimtarë

“… prandaj mos ji në dyshim rreth saj. Kjo është pa dyshim e vërteta prej Zotit tënd, por shumica e njerëzve nuk besojnë” (Hud 11, 17).

4. Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë dhe nuk arsyetojnë

“A mos mendon se shumica e tyre dëgjojnë, apo arsyetojnë?! Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të devijuar nga rruga” (El-Furkan 25, 44).

5. Shumica e njerëzve ndjekin vetëm hamendësime

“Shumica e tyre ndjekin vetëm hamendësime. Nuk ka dyshim se hamendësimi nuk shërben për asgjë kundër së vërtetës” (Junus 10, 36).

6. Shumica e njerëzve nuk kanë besë dhe janë të pacipë

Shumica e njerëzve nuk e kanë mbajtur besën që i kanë dhënë Zotit në botën e shpirtrave, dhe për këtë arsye janë bërë të pacipë. Duke folur për popujt e mëparshëm që i kanë quajtur gënjeshtarë Profetët e dërguar prej Zotit, Ai thotë:

“Shumicën e tyre nuk i gjetëm besnikë të besëlidhjes. Në të vërtetë, shumicën e tyre i gjetëm të pacipë” (El-A’araf 7, 102).

7. Shumica e njerëzve janë mosmirënjohës

“Nuk ka dyshim se Allahu i ka dhënë të mira me tepri njerëzve, por shumica e njerëëve nuk falënderojnë” (Ghafir 40, 61).

8. Shumica e njerëzve janë të paditur …

…. për të vërtetën

“Ky është përkujtimi i atyre që janë me mua dhe përkujtimi i atyre përpara meje, por shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, prandaj janë kundërshtues” (El-Enbija 21, 24).

… që qiejt edhe toka nuk janë krijuar më kot

“Nuk i krijuam qiejt edhe tokën, dhe çfarë gjendet midis tyre, duke lozur. Nuk i krijuam ato përpos me të vërtetën, por shumica e njerëzve nuk dinë” (Ed-Dukhan 44, 38-39).

… që hyji i vërtetë është Allahu

“Kush e bëri tokën të qëndrueshme, dhe të rrjedhin nëpër të lumenj?!! Kush ngriti mbi të male dhe vuri kufi mes dy detrave?! A ka hyj krahas Allahut?! Por, shumica e tyre nuk dinë” (En-Neml 27, 61).

… që rruga e vetme e drejtë qëndron në robërimin ndaj Zotit

“Atyre që ju robëroheni në vend të Allahut janë emërtime, të cilat i keni emërtuar ju dhe baballarët tuaj! Allahu nuk ka zbritur asnjë autorizim për to. Gjykimi i takon pa dyshim Allahut, Ai ka urdhëruar të mos i robëroheni askujt tjetër, përveç Tij! Kjo është rruga e drejtë, por shumica e njerëzve nuk dinë” (Jusuf 12, 40).

… që do të ringjallen pas vdekjes

“Thuaj: “Allahu ju ringjall, pastaj ju vdes dhe ju grumbullon në Ditën e Gjykimit për të cilën nuk ka dyshim. Por, shumica e njerëzve nuk dinë” (El-Xhathija 45, 26).

… se mohuesit e së vërtetës do të përjetojnë një dënim që në këtë jetë, përpara dënimit në botën tjetër

“Të padrejtët do të kenë një dënim përpara tij, por shumica e tyre nuk dinë” (Et-Tur 52, 47).

… se premtimi i Allahut është i vërtetë

“Nuk ka dyshim se çfarë gjendet në qiej dhe në tokë është e Allahut. Nuk ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, por shumica e tyre nuk dinë” (Junus 10, 55).

… që Zoti ia zgjeron furnizimin dhe ia kufizon atë kujt të dojë

“Thuaj: “Nuk ka dyshim se Zoti im ia zgjeron furnizimin kujt të dojë dhe kufizon, por shumica e njerëzve nuk dinë” (Es-Sebe 34, 36).

… që Allahu triumfon në çështjen e Tij

“Allahu triumfon në çështjen e Tij, por shumica e njerëve nuk dinë” (Jusuf 12, 21).

… që Allahu nuk e thyen premtimin e dhënë besimtarëve

“… premtim i Allahut, Allahu nuk e thyen premtimin, por shumica e njerëve nuk dinë” (Er-Rum 30, 6).

Si përfundim, një shumicë sado e madhe qoftë, e cila vuan nga mangësi të tilla sa i takon njohjes së realitetit dhe nga veset morale që shoqërojnë këto mangësi, zotëron një gjykim të dëmtuar. Duke qenë e këtillë, ajo pjell kapriço të cilat i merr si kritere të gjykimit. Edhe kur, me këto kritere të gabuara gjykimi, ajo arrin përfundimet e duhura, ajo nuk ka bërë asgjë më shumë se rikonfirmimi i përfundimeve të parathëna në shkrimet e shpallura prej Zotit. Prandaj Zoti i paralajmëron besimtarët të mos i ndjekin gjykimet e shumicës, sepse në të vërtetë do të jenë duke ndjekur kapriçot e saj dhe jo një gjykim të shëndoshë:

“Nëse i bindesh shumicës së atyre që janë në tokë të devijojnë nga rruga e Allahut. Ata ndjekin vetëm hamendësime dhe vetëm supozojnë” (El-En’am 6, 116).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit