2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Shtypi Islam në diasporë 1912-1990

Më të lexuarat

Ashtu si dhe në numrin e kaluar, në të cilën folëm mbi Shtypin Islam Shqiptar brenda Republikës së Shqipërisë, kemi përmenduar vetëm revistat apo gazetat të cilat ishin të mirëfillta fetare, apo trajtonin problematika të ndryshme të jetës në aspektin fetar shkencor etj., dhe jo shtypin që mund të botohej nga myslimanë, por që nuk ishte fetare, si p.sh gazeta Dajti, apo shtypin që nuk ishte fetar e trajtonte çështje fetare apo lajme të ndryshme mbi jetesën apo veprimtarinë e myslimanëve, pasi të tilla janë pothuaj të gjitha gazetat e kohës, po në këtë mënyrë do trajtojmë shtypin fetar në diasporë, pra jashtë kufirit të Republikës së Shqipërisë.

Një rëndësi të veçantë në median e shkruar në gjuhën shqipe ka dhe shtypi islam në diasporë, që tashmë disa prej të cilave mund t’i lexojmë dhe t’i studiojmë në vendin tonë, megjithëse pjesërisht, pasi disa mund të gjenden pranë Bibliotekës Kombëtare, por disa nga numrat fatkeqësisht mungojnë, por mund t’i gjejmë në biblioteka e arkiva personale apo kombëtare të vendeve në të cilët janë botuar. Klasifikimin që i kemi bërë shtypit të shkruar në diasporë nuk ka qenë ai kronologjik, por sipas një ndarje të caktuar territoriale, duke i grupuar në shtypin e shkruar në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe shtypin e shkruar dhe botuar në Shtetet e Bashkuara në Amerikë.

Shtypi Islam në gjuhën shqipe në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë (1945-1990)

Mbas Luftës së Dytë Botërore dhe pas konsolidimit të sistemit komunist në vendin tonë por dhe në ish-Jugollavi, për shqiptarët e ngelur jashtë kufirit politik të Shqipërisë, gjendja do të ishte mjaft e vështirë, por me kalimin e viteve ato do ta pranonin këtë realitet dhe do të vazhdonin të jetonin nën udhëheqjen e armiqve të tyre historikë, me të cilët kishin luftuar dekada me radhë, të detyruar po përshtateshin në këtë realitet të hidhur. Kështuqë dhe myslimanët shqiptarë të cilët përbënin pothuajse mbi 90% të popullsisë shqiptare në këto troje, të udhëhequr nga hoxhallarët e nderuar, vazhduan të bënin jetën e tyre dhe të fillonin nga puna me vepra të mira e me ‘penë’ për t’i ndriçuar shqiptarët me pishtarin e diturisë, e në këtë mënyrë të arrihej liria e përparimi i kombit.

Shtypi islam në gjuhën shqipe në këto troje fillon në vitet ’60, ku Shoqata e Ulemave në Prishtinë botoi për herë të parë “Buletinin Informativ” në dy gjuhë, ashtu si do të ishin pothuaj të gjithë botimet në ish-Jugosllavi deri në vitin 1973, në gjuhën shqipe dhe serbo-kroatisht, megjithëse përmbajtja e këtij buletini ishte e varfër, ai përmban vlera sepse i priu botimeve të mëpasshme në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë.[1]

Buletini “Takvimi-Kalendari” doli pothuajse në të njëjtën kohë në Shkup 1967, botuar nga shoqata “Ilmije” e Bashkësisë Islame në Shkup, në serbokroatisht dhe shqip. Gjithashtu Kalendari u botua dhe në Prishtinë në vitin 1970[2], botuar nga Shoqata e Ulemave në Prishtinë, sërish në dy gjuhë, të përbashkëta me “Takvimin” e Shkupit kishin vetëm kalendarin, ndërsa pjesa tjetër e materialit ishte me tematikë edukative-fetare dhe historiko-kulturore.

Në Prishtinë më 1971-1973, u botua revista fetare “EDUKATA ISLAME”[3] , e cila doli çdo tre muaj, në shqip dhe serbokroatisht, ndërsa mbas vitit 1973 do të ishte vetëm në shqip, botim i Këshillit Ekzekutiv i Shoqatës ‘ILMIJE’ quajtur ndryshe shoqata e Ulemave e përmendur dhe më lart, në Prishtinë, ajo do të vazhdonte edhe mbas 1973, por ne nuk kemi të dhëna mbas kësaj periudhe. Kryeredaktor i saj do të ishte Sherif Ahmeti (përkthyesi i Kur’anit në gjuhën shqipe), ndërsa në redaksi bënin pjesë dhe Muhamed Islami, Islam Hakiu, Muharrem Ramadani, Rreshit Osmani, Bajrush Ahmeti dhe Jetisht Bajrami. Në revistë trajtoheshin çështje të ndryshme social-kulturore, ekonomike etj. por të trajtuara nën dritën fetare, si p.sh. Imani, Islami, Detyrat e prindërve ndaj fëmijëve, Emra muslimanë, Mësim-besimi në Kosovë, Martesa me shumë gra, Shkurorëzimi, Pozita e muslimanes sonë, dhe rubrika e njoftimeve për aktivitete të ndryshme të organizuara nga myslimanët apo për konkurim të ndonjë vendi pune, si imam etj. Rëndësia e kësaj reviste do të ishte e madhe dhe e veçantë, pasi kjo do të ishte e para revistë me nivel të lartë fetar, e para revistë që po botohej totalisht në gjuhën shqipe, dhe ndër të tjera mund të quhej zyrtare, pasi pikërisht ky organ që e botoi dhe këta persona, ishin përfaqësuesit zyrtar të myslimanëve shqiptarë në krahinën e Kosovës, e më vonë do të ngrihej institucioni i Bashkësisë Islame nga këta persona, por gjithashtu kjo do të ishte pararendësja e një reviste tjetër të madhe.

Në vitin 1975 nis botimin revista fetare që ishte organ i shoqatës së nxënësve të medresesë së Prishtinës “ALAUDIN”, revista “Nur-ul-KUR’AN-i”, e cila trajtonte tema nga lëmia e sheriatit, historisë islame, kulturës, letërsisë dhe informatikës. Më vonë kjo revistë do të botohej me emrin “DRITA E KUR’ANIT”[4] dhe do të vazhdonte jetën e saj të gjatë deri mbas viteve ’90.

Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, pikërisht në Shkup në vitin 1987 nisën botimin e gazetës “EL-HILAL” në tri gjuhë, serbokroatisht-shqip dhe turqisht, revista trajtonte tema shkencore, kulturore, filozofike dhe historike me përmbajtje islame. Kjo revistë po në të njëjtin vit do të zëvendësohej me titullin shqip, “HËNA E RE”, me një vëllim prej 24 faqesh dhe disa vite më vonë do të arrinte vëllimin deri në 32 faqe.[5]

Dalja e botimeve të sipërmendura përgatiti terrenin në Kosovë për daljen e një reviste me nivel akoma më të lartë në vitin 1986 “DITURIA ISLAME”[6] , e cila ishte revistë e përmuajshme fetare, kulturore dhe shkencore, e botuar nga Bashkësia Islame në Prishtinë. Për nga rëndësia që kishte, duke patur parasysh dhe institucionin që e botonte, rreth kësaj reviste do të mblidheshin personalitete dhe intelektualë të shquar shqiptarë (të Kosovës) dhe kjo do t’ia shtonte akoma më shumë prestigjin, pasi aty shkruanin persona që kishin mbaruar studimet e larta në Kajro, Bagdad, Sarajevë etj., disa prej të cilëve ne i përmendëm më lart, si: Sherif Ahmeti, por dhe të rinjë si: Qemajl Morina, Muhamet Pirraku, Gazmend Shpuza, Skënder Rizai, Nexhat Ibrahimi etj. Për fat të keq kjo revistë nuk i serviret lexuesit të Shqipërisë, pasi nuk e gjejmë në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Kjo revistë do të vazhdojë jetën e saj të gjatë edhe në ditët tona.

Me sa kemi informacion deri më tani, këto ishin revistat fetare Islame (jo të sekteve), në gjuhën shqipe gjatë periudhës kohore 1912-1990, mbas kësaj periudhe do të vinin shumë botime tjera.

Shtypi i myslimanëve shqiptarë në SHBA 1912-1990

Në mars të vitit 1918 shqiptarët myslimanë të Shoqërisë Fetare Myslimane Shqiptare (Sh. F. M. Sh.), në Waterbury në Conn. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të botojnë një revistë fetare me emrin “Shqipërija”[7] ose ALBANIA, e cila ishte e përkohshme fetare, në kopertinë të saj kishte hartën e Vilajeteve të Shqipërisë etnike dhe në fokus të saj kishte pikërisht bashkimin e shqiptarëve në të mirë të kombit, ashtu si vetë e thekson në faqen e parë të saj, në editorialin e redaksisë: “Del në dritë me një dëshirë të katër vjetshme dhe me një program të shtruar prej Shoqërisë F.M.Sh., me të cilën i predikën kthjelltësisht që të përqafojë djemt e saj muhamedanë dhe të krishterë, për të forcuar ata me ndjenja kombëtare, me ndjenja arsimi dhe me veti të mira”, ajo vazhdon e thekson se: “Do të nderojë fetë dhe do të mbrojë zakonet e kombit pa u mbështetur në fakte dhe prova të popujve që na kanë mbetur si kujtime të paharruara” e si përfundim “Kjo e përkohshme, si një gazetë kombëtare detyrohet me një rëndësi të paanshme të flasë për të drejtat e Shqipërisë, historike, gjeografike, etnologjike, strategjike dhe ekonomike, dhe kurrë nuk do të dalë nga programi i saj”. Në këtë periudhë në Sh.B.A. në gjuhën shqipe kishte disa botime si p.sh. gazeta, revista etj. Ashtu si lexojmë në këto gazeta, debati dhe përçarja mes shqiptarëve duket qartazi, ndarjet dhe divergjencat mes tyre duken aq të mëdha sa të bën përshtypje të madhe kjo përçarje mes shqiptarëve të pakët në numër, ndërsa “Shqipërija” që në botimin e parë të saj premton se: “Nuk do të meret me politikë, nuk do të përkrahim përçarje dhe paudhësitë, që na dobësojnë karakterin, na hidhërojnë zemrat dhe na errësojnë të pritmen (të ardhmen )”.

Personat të cilët shkruanin në këtë revistë nuk ishin vetëm myslimanë, drejtuesit e Shoqërisë Fetare Muslimane Shqiptare por dhe të tjerë si p.sh., të krishterë si Mihal Grameno, Sotir Dh. Treska, apo artikujt e H. Ali Korçës, por dhe të Midat Dely, etj., nga artikujt të cilët janë nga më të ndryshëm, të cilat do të ishin mbarë përshirës nga fushat të ndryshme, bazuar në programin e shpallur më lart. Fatkeqësisht në Bibliotekën Kombëtare gjejmë vetëm botimin e Mars-Prill 1918 me drejtues Refo Çapari-n dhe të Marsit 1919 me drejtues Sabri A. Korça, që do të ishin 3 numrat e vetëm të kësaj reviste, e cila për shkaqe ekonomike do të mbyllej me kaq.

Gjithashtu Shoqëria e quajtur “Albanian-American Moslem Society” (Shoqëria Muslimane Shqiptaro-Amerikane), me qendër në Harper Woods afër Detroitit, në Michigan-SHBA, e drejtuar nga Imam Vehbi Ismaili, botoi një revistë të rëndësishme të titulluar “JETA MUSLIMANE SHQIPTARE”[8] , revistë fetare-kulturore, organ i shoqërisë myslimane shqiptare. Kjo revistë botohej çdo tre muaj në shqip (gegërisht) dhe anglisht, nga viti 1950 deri në vitin 1958, vit në të cilin për shkaqe ekonomike, përmbajtja e saj qe mjaft e begatshme dhe luajti një rëndësi në publicistikën islame shqiptare[9].

Mbas dy organeve islame në gjuhën shqipe me shumë rëndësi, që u botuan në SHBA, dhe që për shkaqe ekonomike e kishin jetën relativisht të shkurtër, në vitet ’70 do të niste jetën e saj një organ tjetër me një rëndësi mjaft të veçantë, revista fetare islame në gjuhën shqipe “PËRPJEKJA JONË”. Saktësisht kjo revistë do të botohej për herë të parë në Nëntor 1971, në Nju Jork, me angazhimin e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, drejtuar nga Salih Myftija dhe Imam Isa Hoxha. Kjo revistë do të botohej në shqip dhe anglisht, me artikuj të ndërthurur. Vërtet ishte fetare, por ashtu si vetë redaksia e revistës që thekson në pasazhin drejtuar lexuesve… Revista ka patur dhe ka kurdoherë për qëllim që të bëhet një tribunë për rrahjen e mendimeve të lira dhe të merret gjërësisht me çështjet shoqërore, kulturale dhe letrare, që ka lidhje të ngushtë me bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe me Shqipërinë”[10]. Në këtë revistë gjejmë artikuj nga më të ndryshmit, informacion mbi bashkësinë islame shqiptare në SHBA, mbi mbledhjen e shqiptarëve myslimanë; nga kjo revistë njoftohemi se në Amerikë në vitin 1972 pikërisht në Nju Jork do të ndërtohej xhamia e katërt nga shqiptarët mbas atyre në Detroit, Uatërbury dhe Çikago.

Në këtë revistë do trajtoheshin çështje të besimit islam, të historisë së fesë, shpjegim i Kuranit (tefsiri), etj., çëshjte të historisë kombëtare, që nga Ilirët, Skënderbeu, Pavarësia, Lufta për mbrojtjen e Shkodrës (1913); do të jepeshin kronologjikisht ngjarjet historike të ndodhura nga viti 1908-1913 në Vilajetet Osmane të Shqipërisë; do thureshin shumë lavde për burr-shtetasit e mbrojtjes së atdheut nga copëtimi total i tij; do trajtoheshin çështje gjuhësore, gramatikë e hollësishme prej shumë faqesh etj.

Gjithçka që kishte lidhje me Shqipërinë apo ishin në të mirë të vendit, pavarësisht se nga kush vinte shkrimi, artikulli botohej pa censurë. Aty do të shkruanin fetarë të nderuar që jetonin në SHBA, apo artikuj të hershëm të H. Ali Korçës, por dhe Arshi Pipa, Prof. Ibrahim Kelmendi (Historian) apo Prof. Mehmet Alaj-Vokshi, apo Ekstrakt i “Nevruzit” nga libri me të njëjtin titull i Mehdi Frashërit, apo Ligor Buzi e Zef Pashko Deda.

Kjo revistë periodike-tremujore, do të vazhdonte për disa vite të botohej, nga viti 1971-1989, disa nga këto kopje janë sjellë nga Amerika e largët në Tiranë dhe gjenden pranë Bibliotekës Kombëtare të ruajtura mjaft mirë. Të bën përshtypje në këtë revistë jo vetëm gjithëpërfshirja mbarë-shqiptare pa asnjë censurë, artikuj që bien ndesh dhe me vetë Fenë Islame, kjo pasi në Shqipëri ishte konsoliduar komunizmi madje me ligj e kishte ndaluar Besimin në Zot, dhe kështu prioriteti i fetarëve në Amerikë ishte që me çdo kusht të mund të bënin diçka për ta ndryshuar këtë gjendje duke u lutur vazhdimisht për mbarimin e kësaj situate të rëndë që kishte kapluar Shqipërinë, por të bën përshtypje gjithashtu dhe niveli mjaft i lartë i saj, që me bindje themi që është në rangun e revistave shkencore të sotme në Shqipëri.

Rëndësia që kishin këto gazeta/revista për kombin tonë

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore (1918), revista islame fetare në shqip e botuar në Amerikë, do të jepte shembullin e saj se si duhet të silleshin shqiptarët dhe se ata duhet të kontribuonin më shumë për shoqërinë që përfaqësonin, ndonëse jo zyrtarisht.

Ndërkohë që në Shqipëri as që bëhej fjalë për liri mbas vitit 1946, këto gazeta/revista, ishin i vetmi organ i lirë i shtypit islam në gjuhën shqipe, që flisnin për ndihmesën që shqiptarët duhet t’i jepnin vendit të tyre, bashkë me organe të tjera të shtypit shqiptar në diasporë, të cilat plotësonin këtë mozaik.

Ato ruajtën vazhdimësinë e një niveli të lartë të publicistikës-shqiptare të nisur që në kohët e mërparshme nga burrat që themeluan dhe ngritën shtetin shqiptar.

Pikërisht nga këto gazeta/revsita, ne mësojmë sot hollësisht se si kanë vepruar shoqëritë myslimane shqiptare në diasporë dhe me se këto shoqëri kanë kontribuar për vendin e tyre. Mësojmë gjithashtu se sa kishin përparuar këto shoqëri, të cilat, ndryshe nga shqiptarët brenda kufirit shqiptar, ishin integruar plotësisht në vendet në të cilat ato jetonin, madje ato sakrifikonin nga pasuria dhe koha e tyre për t’u bashkuar e për të bërë të mundur rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.

Në ish-Jugosllavi, revistat islame në gjuhën shqipe ruajtën fort identitetin e shqiptarëve duke u bërë faktor kryesor për bashkimin e shqiptarëve rreth fesë islame e rrjedhimisht duke i ruajtur ata nga mosasimilimi i tyre me sllavët, ashtu si ka ndodhur më së shumti me shqiptarët ortodoksë apo katolikë që në ditët tona në më të mirën e mundshme janë pakicë mjaft e vogël, si në Kosovë apo Mal të Zi, ose nuk ekzistojnë fare si në Maqedoni apo Luginën e Preshevës.

Botimet e myslimanëve në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë kanë patur rëndësi mjaft të madhe; e para ato kanë dhënë kontribut në mësimin e fesë ndër shqiptarët myslimanë, por dhe kanë kontribuar direkt në ruajtjen e gjuhës shqipe apo në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, e kjo gjë veçanërisht hetohet në Maqedoni akoma në ditët tona, ku çdo person që është shqiptar është domosdoshmërisht mysliman (sunni apo bektashi), dhe cilido që konvertohet në islam nga ortodoksit (serbët-bulgarët apo maqedonasit) bashkë me fenë e tij ndryshon me dokumentacion zyrtar dhe nacionalitetin e tij, duke u quajtur shqiptar, ose turk, ose boshnjak, dhe kurrsesi nuk e pranon që të quhet mysliman-maqedonas, apo mysliman-serb, apo mysliman-bullgar, pasi për ta kjo është “jo-legjitime”.

Mësimi i fundit që mund të nxjerrim nga studimi i këtyre revistave është se: nëpërmjet mënyrës së krahasimit arrijmë të vlerësojmë veten tonë si myslimanë në ditët e sotme, se vërtetë po punojmë në drejtimin e duhur apo kemi nevojë ta ndryshojmë drejtimin?! Se vërtetë po punojmë me shpejtësinë e duhur apo kjo shpejtësi është shumë e ngadaltë për kohën e sotme?! Dhe se vërtetë po punojmë me intensitetin e duhur apo është nevoja që të rrisim nivelin dhe të shtojmë punën në lidhje me çështjen fetare dhe përçimin e mesazhit fetar ndër njerëz, si misioni më i madh i mbarë Profetëve të Zotit të Madhërishëm dhe i pasuesve të tyre.

Duke punuar në drejtimin e duhur, me shpejtësinë e duhur dhe me intensitetin e duhur, kështu përmbushim dhe detyrimet kombëtare që Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar, në të kundërt, nëse nuk jemi të dobishëm për veten tonë normalisht që s’do mund të jemi të dobishëm për kombin tonë e për asgjë tjetër.

SHBA

Shqiperija 1918-1919 (Waterbory)

Jeta Muslimane Shqiptare 1950-1958 (Detroit)

Perpjekja Jonë 1971-1989 (New York)

ISH-JUGOSLLAVI

Buletini Informativ 1960-1970 (Prishtinë)

Takvimi-Kalendari 1968 (Shkup)

Takvimi-Kalendari 1970 (Prishtinë)

Edukata Islame 1971 (Prishtinë)

Nurul- Kuran Drita e Kuranit 1975 (Prishtinë)

Dituria Islame 1986 (Prishtinë)

El Hilal /Hëna e Re 1987 (Shkup)

[1]. “Zhvillimi i Kulturës Islame te shqiptarët gjatë shek. XX”, Zekaj Ramiz, fq. 164-175.

[2]. “Zhvillimi i kulturës” cituar më parë.

[3]. Popoviç, A., Islamizimi Ballkanik,,fq. 416

[4]. Zhvillimi i kulturës islame …., fq.182.

[5]. Zhvillimi i kulturës islame …., fq. 182.

[6]. Zhvillimi i kulturës islame …., fq. 182.

[7]. Shqipërija” 1918-1919 gazetë periodike Waterbory Conn. SHBA; gjendet në Bibliotekën Kombëtare ARP. 37/23D dhe ARP. 37/24D .

[8]. Këtë revistë nuk e gjejmë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranës.

[9]. Imam Vehbi Ismaili, Vepra Nr. 1 fq. 30, Logos-a; Popoviç, A. Islamizimi i Ballkanik, fq. 455., gjithashtu “Zhvillimi i kulturës…” cituar më parë.

[10]. “PËRPJEKJA JONË” Viti 1972, Vol. III Nr. 4, New York & New Jersey SHBA.

Edmond SHARKA

Revista Dirta Islame, Mars 2013

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit