9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Shtyhet gjykimi i imamëve, gjyqtari në pushim

Më të lexuarat

Gjykimi i Fuad Ramiqit dhe katër imamëve nuk është zhvilluar ngase kryetari i trupit gjykues ndodhet në pushim vjetor.

Për shkak të pushimit vjetor të kryetarit të trupit gjykues Vesel Ismajli, nuk është zhvilluar seanca e paraparë për sot ndaj katër imamëve dhe Fuad Ramiqit të akuzuar për vepra që lidhen me terrorizmin dhe thirrje për rezistencë.

Kryetari i trupit gjykues me kohë kishte njoftuar palët se seanca nuk do të mbahej për shkak se ndodhej në pushim vjetor, prandaj në gjykatë nuk ishin të pranishëm të përfshirët në këtë proces gjyqësor.

Seanca e anuluar sot u caktua më 27 qershor.

Më 16 maj, katër imamët- Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga e Mazllam Mazllami bashkë me Fuad Ramiqin u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat me të cilat ngarkohen.
Imamët dhe Ramiqi atë ditë kishin kërkuar nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli që të mos u caktohen seanca gjatë muajit të ramazanit, por Ismajli e kishte refuzuar një kërkesë të tillë.

Megjithatë, seanca e radhës që nuk u zhvillua sot, u caktua pasi të përfundojë ky muaj.
Mazllam Mazllami akuzohet se si imam në xhaminë “Jeni Mahalla” në Prizren gjatë predikimit të tij dhe në paraqitjet publike ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndaj grupit të komunitetit LGBT.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në Xhaminë e improvizuar te “Termokosi” ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Idriz Bilibani që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në Xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Enes Goga në pozitën e hoxhës në Pejë në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Ernest Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Imamët dhe Ramiqi u arrestuan në një aksion kundër terrorizmit në shtator të vitit 2014.
Aktakuza ndaj imamëve u ngrit më 15 shtator të vitit të kaluar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit