1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Shteti me valixhe të gatshme

Më të lexuarat

Lumë e lumë për shtetet  e perëndimit. Pjatat e tyre po i lajnë juristët, mjekët, stomatologët, ekonomistët e inxhenierët tanë. Por, ky nuk është fundi sepse së shpejti do ua eksportojmë edhe një kontingjent magjistrash e doktorësh të shkencave. Sepse, Maqedonia s’merret me eksport specesh e domatesh, ajo punë  i ngjanë dofarë shteteve të pacivilizuara, pa histori e pa traditë. Ne eksportojmë rini të shkolluar.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Po të mbetej në Maqedoni Xhabiri, shqiptari nga fshatrat e Gostivarit, djali i tij Ferid Murati që në Amerikë u bë i famshëm dhe fitoi shpërblimin Nobel për mjekësi, ka shumë gjasa që sot do merrej në Llakavicë me melheme e ilaçe plakash. Shyqyr Zotit, tatlixhiu ynë mendjehollë me kohë kishte çallshitë drejtë Amerikës, duke i mundësuar pasardhësit të vetë që në mënyrë dinjitoze dhe me gjasa të barabarta të garojë me të tjerët e të depërtojë në botën e shkencës. Ja ku është sot: I respektuar, i çmuar, i famshëm dhe i pasur. Erdhi disa herë në fshatin e Xhabirit, u përqafua me hallat e kushërinjtë, lëshoi disa pikë loti, dhe aq.
Në të gjitha anketat që zhvillohen në mesin e studentëve shqiptarë, Ferid Murati gjendet në krye të listës si personaliteti që më shumë ju shërben si model që i nxitë dëshirat dhe përpjekjet e tyre.
Mjerisht, ëndrrat dhe  shpresat e djemve dhe vashave nga Maqedonia, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, në të shumtën e herave mbeten vetëm  dekor i bukur nëpër anketa. Jeta reale po i shpie  ata drerjt të panjohurës ose në degët lokale të partive pushtetare që edhe aty të shërbejnë si dekor. Në listat për punësim, në makinerinë votuese, te numrat me të cilët duhet mbushur autobusët që shkojnë nëpër mitingje. Në fund, filan fistekun, dikur student  i mrekullueshëm, i zellshëm e i talentuar, me keqardhje e shohim në ndonjë sportel duke vënë vula.

Eksodi intelektual   

Kam rastin të komunikoj me shumë njerëz të rinjë, i ndjej shqetësimet e tyre dhe përpiqem t’i këshilloj lidhur me problemet me të cilat ndeshen. “Lutuni për ne, Reis efendi. Problemi ynë nuk është se ne duam të mbetemi këtu por në pamundësinë që të ikim. Do ta kapim fortë çdo mundësi për të larë pjata në Perëndim e t’ju krijojmë gjasa për jetë dinjitoze fëmijëve tanë. Tek e fundit, Reis efendi, a nuk është detyrë e prindërve që të flijohen për fëmijtë…”
Ashtu disi përfundojnë këto biseda të dhembshme, kurse ne nuk ia kemi haberin se sa njerëz të rinjë largohen nga vendi, siç nuk ia kanë haberin as institucionet shtetërore për numrat  e të rinjëve që po ikin. Një numër shumë i madh i këtyre të rinjve kanë diploma fakulteti dhe në mesin e tyre ka edhe të atillë që mund të konsiderohen ekspertë e të cilët ne, thjesht, po ua dhurojmë të tjerëve. Nga ana tjetër, këta djem e vasha po ua dhurojnë të tjerëve identitetin dhe prejardhjen, rininë dhe diturinë e vet.
E kam të njohur  keqdashësinë e dofarë eminencave gri që po i gëzohen një trendi të këtillë, sepse, thonë ato, ashtu në mënyrë të heshtur po zhduken të rinjtë Shqiptarë muslimanë. Por ama, nuk është tamam ashtu sepse njëkohësisht, po në heshtje po treten edhe maqedonasit e rinjë. Analizat dëshmojnë një fakt shumë të pakëndshëm për eminencat gri: Shqiptarët që ikin në Perëndim, ndodhë edhe të kthehen dhe gjithsesi nuk i ndërprejnë marëdhëniet me vendlindjen. Te maqedonasit nuk ndodhë ashtu sepse ata kur ikin një herë, nuk kthehen më.  A keni dëgjuar që ndonjë herë është kthyer ndonjë maqedonas nga Kanadaja apo Australia të cilat janë vendet e tyre të preferuara për emigrim?
Gjithsesi, qofshin shqiptarë apo maqedonas, ikja e mendjeve të ndritura, paraqet një proces vdekjeprurës për Maqedoninë. Ato mendje ndoshta edhe fillojnë jetën duke larë pjata por me kalimin e kohës arrijnë të etablohen në shoqëritë perëndimore dhe t’i dëshmojnë vlerat e tyre të njëmendëta. Por, ky shtet gjithnjë e më pakë do të ketë ekspertë të aftë të informatikës, mjekë dhe njerëz të shkolluar të profileve të tjera.
Për fat të keq, Maqedonia mbetet njëra nga ato vendet e çuditshme në të cilat njeriu që jep më shumë nga vetja, bëhet problem më i madh e në të cilat shoqëria nuk di të dallojë kualitetet e vërteta të njerëzve të ditur. Këtu mund t’i falet gjithçka njeriut por nuk mund t’i falet që ai të jetë i sukseshëm, andaj nuk habitë fakti që njërëzit e anashkaluar fillojnë të shkëlqejnë vetëm kur ikin jashtë.

Lamtumirë njerëz të mençur

Në tërë këtë rrëfim, më tragjike është se askush në këtë shtet nuk ka ndonjë strategji serioze që të ndalen këta të rinjë po e kundërta, po krijohet  përshtypja se ekziston ndonjë marrëveshje sekrete për t’u liruar nga ata
Në Maqedoni ekziston një mendim gati i rrokakrejtshëm se të rinjtë që po kryejnë fakultetet, po bëhen pre e lehtë e politikës dhe partive politike të cilat në mesin e tyre po rekrutojnë aktivistë duke ju premtuar se do i punësojnë. Pra, ata që nuk janë të gatshëm të vrapojnë pas politikës me qëllim që të korrin ndonjë sukses, asnjëherë nuk do i arrijnë rezultatet e ëndërruar e të merituar. Por, a është pikërisht ashtu, a janë vërtetë të rinjtë tanë me mendje të ndritur një kope delesh që mund t’i qethë secili?
Kujtoj se është shumë e gabuar dhe shumë ofenduese të vlerësohen në atë mënyrë të rinjtë tanë. Ashtu le të vazhdojnë të mendojnë “mjeshtrit” politikë. Në këto kohë kur bota është shndëruar në plotë kuptimin e fjalës në një fshat të vogël në të cilin çdokush di çdo gjë për gjithçka, kam filluar të besoj seriozisht që po ndodh e kundërta e asaj që e kanë paramenduar prodhuesit e mjegullnajave. Të jeni të sigurtë se në fund, mjeshtrit e vërtetë do dalin të rinjtë që janë të detyruar të bëjnë të dëgjueshmit që të mund të mbijetojnë. Por, në rastin e parë që do t’ju jepet, ata do të çallshitin sikur Xhabiri nga Llakavica.
A do vijnë ndonjëherë fëmijët e tyre të vizitojnë këtë ekzotikë, është e vështirë të thuhet. Mua bile më duket se ata nuk do pranojnë as t’i regjistrojmë si pjesëtarë të “diasporës”.
Lamtumirë mendje të ndritura, paçit shëndetin. Kisha dashur pa masë që të mbeteni në mesin tonë sepse aq shumë kemi nevojë për ju. Por e di se për njerëzit e rinj  që janë edhe të mençur e të talentuar ju nevoitet ambient i shëndoshë për t’i motivuar. E di se për ju ka vlerë shumë më të madhe një kompjutor i përparuar se sa të gjithë kuajtë e luajtë, se një spital modern vlenë për ju shumë më shumë se të gjitha aventuart me barok e rokoko. E di se po ju mbytin kriminaliteti dhe korrupsioni e së fundmi besa edhe dofarë materie që po qarkullojnë mbi ne si kalorësit e Apokalipsit, edhe uji që gjithnjë e më shumë po ndotet, edhe malet pa drunjë.
Lamtumirë. Paqa e Zotit le të qëndrojë mbi ju. Ndërkohë, ndoshta mund të ndodhë që zotëruesit e situatave tona të kuptojnë se duhet ndërprerë eksportin e njerëzve të rinjë me mendje të ndritur. Sepse, edhe nga eksporti i domateve dhe speceve mund të jetohet mirë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit