1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Shteti komunist në 1967 dhe ai pandemik në 2020

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Vendi ynë e ka akoma të freskët kujtesën e vitit 1967-1990, kur nga shteti komunist i atëhershëm u ndalua ushtrimi publik dhe privat i besimit, kur u mbyllën objektet e kultit dhe feja u inkriminua me ligj. Sot për shkak të pandemisë, edhe pse nëpër xhami janë pezulluar faljet kolektive, për shumicën e besimtarëve edhe në vende të tjera, tek ne kjo përjetohet ndryshe, pikërisht për shkak të kësaj kujtese të hidhur që ne mbartim që nga ajo kohë. Kështu që edhe pse krahasimi mes 1967 dhe 2020 dallon në mjaft aspekte, ai na rikujton faktin se institucionet tona fetare janë tepër të brishta për të përballuar trysnin e tërthortë apo të drejtpërdrejtë të shtetit ndaj tyre. Kështu që përtej vendimeve formale që u morën dikur nga vetë komunitetet dhe drejtues tashmë depersonalizuar, ishte shteti i atëhershëm ai që me mekanizmat e tij jo vetëm solli në krye të tillë njerëz, por veproi dhunshëm duke eliminuar “rebelët” dhe duke mbyllur edhe forcërisht institucionet fetare.
KMSH e sotme patjetër që ka probleme të autoritetit fetar dhe etik, të cilat janë përgjegjësi e saj dhe jona për t’i ndrequr, por për shkaqe të shumta, objektive dhe subjektive, historike, politike, sociale dhe kulturore, statusi i institucionit dhe i udhëheqësve fetar islam, mbetet tepër i dobët karshi shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi. Kjo natyrisht edhe për faj të tyre, por jo vetëm. Në një shoqëri post-komuniste, si kjo e jona, feja dhe nevojat fetare të njerëzve vazhdojnë të trajtohen si të dorës së dytë, ato shihen si një e drejtë njerëzore që mund të jetohet edhe pa to dhe lehtësisht mund të sakrifikohen për kauza apo interesa, që ky mentalitet i quan më madhore sesa feja. Ky shtet e trajton çdo organizim komunitar, ideologjik të ndryshëm prej tij, si rival ndaj autoritetit të tij, të cilin ai e konsideron suprem mbi territorin që kontrollon. Kështu që ndikimi i tij në një formë ose në një tjetër nuk ndalet nga përpjekja për ta dobësuar, kufizuar apo eliminuar atë. Kështu që duke qenë se sipas mendësisë moderne, shteti shihet si subjekti që përmbush të gjitha nevojat madhore të njeriut, atëherë kryesisht atij i duhet adresuar kërkesa dhe çdo trysni tjetër sociale.

Partisë në pushtet, i pëlqen ose jo, për shkak të qasjes së saj ideologjike të majtë dhe mbi të gjitha për shkak të trashëgimisë së hidhur ateiste kriminale që kishte paraardhësja e saj, i bie barra kryesore që të përballet direkt ose indirekt, me koston e moslejimit të besimtarëve për të frekuentuar normalisht objektet e kultit sot në 2020, qoftë edhe nën masa preventive ndaj infektimit. Kështu që mëkatet e etërve të saj, ajo do të duhet t’i shlyejë edhe duke përjashtuar sa më shpejtë në ligjërimin e saj publik objektet e kultit nga vendet me rrezikshmëri të lartë infektimi, sepse realisht nuk janë. Duke mos harruar dhe përsëritur faktin, se njerëzit gjithmonë e më shumë po e përjetojnë këtë situatë si rikthim të diktaturës komuniste.
Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë mes është mungesa e ndjeshmërisë së instancave shtetërore ndaj kërkesave shpirtërore të njerëzve, në krahasim me plotësimin e kërkesave të tjera materiale dhe fizike të tyre. Nëse ekstremiteti i masave të fillimit ishte i kuptueshëm deri diku, sot është e pakuptueshme se pse nuk duhet të përfshihen objektet e kultit nga këto lehtësime që kanë përfshirë aktivitete të tjera jetësore njerëzore. Jeta fetare nuk ka dimension vetëm individual e privat, por edhe shoqëror e publik dhe ajo absolutisht nuk ka pse të lihet në radhën e fundit të listës së nevojave njerëzore, që janë tashmë të lira të ushtrohen. Kështu që xhamive u duhet kthyer gradualisht normaliteti, normalisht duke marrë disa masa mjeksore që shihen të nevojshme në këtë drejtim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit