0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shtëpia e Erkamit, fazë daveti, jo daveti vetë – Dorian Balliu

Më të lexuarat

Nga Dorian Balliu

Dëgjova njërin në jutubë që thoshte: “tani asht koha me ba davet se nuk e ka menjen njeri ke ne”.

Davet pa menje domethënë si ato fotot pa menje. Tridhjetë e katër vite në shtëpinë e Erkamit nuk na mjaftuan. Lindëm, u rritëm, u martuam, u bamë me fëmijë, disa fëmijë u martuan dhe janë ba me fëmijë, ne po plakemi dhe këta thonë bëjmë davet pa menje. Jemi ba tre breza o çun, nuk ka ma vend shtëpia e Erkamit, duhet me gjet shtëpi tjetër.

Misioni profetik zgjati njëzet e tre vite, pra sa mosha e një brezi, që është kusht i domosdoshëm për ndryshimin e një shoqërie. Aq iu desh bijvë të izraelit për t’u vetedukuar dhe reformuar, prandaj u vërtitën në shkretëtirë dyzet vite, sa mosha e një brezi për kohën e Musait. Profeti a.s brenda një brezi arriti të edukojë njerëzit dhe të formojë shtetin e parë të ngritur mbi parimet islame, ndërsa ne, që dy breza jetojmë në shtëpinë e Erkamit, disa prej nesh lindën dhe vdiqën brenda saj, dhe mesa duket të gjithë do të vdesim në shtëpinë e Erkamit, bashkë me iluzionin se ne jemi e ardhmja e ymetit, të cilin na e ushqejnë ata që pretendojnë se e njohin mirë metodën profetike dhe flasin në emër të saj.

II

Sahabët që mësuan dhe u edukuan në shtëpinë e Erkamit nuk mësonin Shkenca Islame, libra të ndarë në kapituj, nuk mbanin shënime, e vetmja gjë që shënohej qe Kurani, fjala e drejtpërdrejtë e Zotit. Sahabët nuk mësonin dije për hirë të dijes, sepse dija nuk është qëllim në vetvete, ashtu siç bëjmë ne sot, Kurani që ata mësonin dhe urtësia ju ndryshoi konceptet, rendin e gjërave, mënyrën e jetesës, dhe sigurisht i bëri më të mirë në çdo aspekt, kulturor dhe human. Pas shpalljes së Kuranit jeta në Mekë nuk qe më e njëjtë. Kurani qe libri më i përfolur, qe çështja e ditës, po ashtu edhe profeti a.s, sepse ai me Kuran u ballafaqua me elitën mekase, ashtu siç Zoti e urdhëron në suren Furkan: “Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij Kurani.”, dhe brenda një brezi rendi politik ndryshoi. Ndërsa ne vazhdojmë të qëdrojmë në shtëpinë e Erkamit prej tridhjetë vitesh, dhe jo vetëm që rendi i gjërave jasht nesh nuk ka ndryshuar por kemi ndryshuar brenda nesh, sigurisht për keq.
Kemi konservuar Kuranin, nga një libër universal, përtejbotësor, hyjnor, në një libër shkence, kursesh dhe konkursesh, mevludesh, libër ceremonial, lindjesh dhe vdekjesh. Pra Kurani nuk duket aspak një libër që mund të udhëheqë jetën e njerëzve dhe të ketë zgjidhje për problemet e shoqërisë, por një libër që shëron të sëmurët me xhind dhe kuron njerëzit me ankth.
Besimtarët që e dinë prej Kuranit që ata janë shoqëria më e mirë e shohin veten e tyre njerëz të dorës së dytë dhe të parëndësishëm, ndërsa hoxhallarët janë mjaftuar me statusin shoqëror iluzionar që gëzojnë brenda mureve të xhamisë.
Besimtarët duan të dalin nga shtëpia e Erkamit sepse e shikojnë që aty veç sa myken, konservohen dhe nuk zhvillohen, por kjo çon tek mbyllja e shtëpisë së Erkamit, që është projektuar të jetë e përjetshme, deri në vdekje, të vdesim si besimtarë, në qoftë se nuk ia dolëm dot të jetojmë si të tillë.
III
Profeti i mësoi sahabët në shtëpinë e Erkamit por nuk qëndroi vetë brenda saj i getoizuar dhe në terren të dërgonte nxënësit të përballeshin me kurejshët, por qe i pari që doli dhe u përball me ta, sepse vetëm kështu do t’i jepte nxënësve të vet shembullin personal dhe guximin e duhur, duke mbrojtur besimin dhe vlerat që buronin prej tij, sepse vetëkuptohet, në qoftë se ai do të triumfonte në përballjen kulturore me mekasit, do t’i bënte edhe nxënësit e vet të ndjeheshin të rëndësishëm, mbi të gjitha kjo do të konfirmonte vërtetësinë e Kuranit dhe epërsinë e tij kulturore mbi çdo kulturë. Veç për këtë të fundit, që nuk kemi arritur ende ta bëjmë në shoqërinë tonë, mendoj që duhet të ndjehemi në faj, t’i japim fund vetëshpalljes të përmbushur dhe suksesshëm, dhe të pranojmë që nuk kemi ndjekur metodologjinë e duhur profetike.
IV
Shtëpia e Erkamit ishte e përkohshme ndërsa ne e kemi konceptuar të përjetshme.
Sahabët u futën në shtëpinë e Erkamit për t’u shpërndarë në të gjithë botën, ndërsa sot nga e gjithë bota synojnë të futen në shtëpinë e Erkamit.
Shtëpia e Erkamit sot është thjesht një projekt i hoxhës që e projekton, në të cilën ai punon. Aty hyjnë e dalin pa fund breza të rinjsh të cilët edhe ata synojnë të themelojnë shtëpinë e tyre të Erkamit. Ata lindin aty, edukohen dhe aty vdesin, sepse shtëpia e Erkamit nuk konceptohet sot një fazë e davetit por daveti vetë.
V
Xhamia nuk duhet të shërbejë veç si vend lutjesh dhe adhurimi sepse e humbet rolin e saj për të zhvilluar njeriun si një mëkëmbës i Zotit në tokë si edhe për të ofruar mesazhin universal të islamit për shoqërinë.
Ali Sheriati thotë se xhamia në kohën profetike kishte tre dimensione: Atë fetar (Vend adhurimi), atë edukativ (si një Shkollë), dhe atë politik (si një Parlament), dhe çdo individ e ndjente veten anëtar aktiv brenda saj. Ndërsa sot xhamitë ngjasojnë me kështjella gjigande larg këtyre dimensioneve.
Është pikërisht mungesa e dimensionit të tretë që na ka shndërruar në një shoqëri inaktive, pa nerv, pa aspirata dhe pa përgjegjësi shoqërore. Dhe kjo gjë vjen si rrjedhojë e reflekseve të edukimit tonë fetar, sepse ne na kanë edukuar që kur të shkosh në vendin tënd kap një xhami dhe baj davet aty, si aspirata ma e naltë e çdo studenti që edukohet për t’u bërë hoxhë.
Ata që promovojnë këtë ide, nuk ju shkon në mendje se xhamia pa sistemin politik është e parëndësishme, ndryshe nga xhamia në një vend mysliman, ku ajo është pjesë e sistemit dhe sistemi pjesë e saj. Një mysliman që lexon Kuranin i cili i thotë ti je njeriu më i mirë në tokë, dhe je përgjegjës për ndryshimin e gjendjes së shoqërisë, ndaj promovo të mirën dhe mbaj qëndrim ndaj të keqes, e gjen veten të hutuar kur këtë mesazh universal e sheh të mbyllet brenda mureve të xhamisë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit