-2.3 C
Pristina
Friday, January 17, 2025

Shtëpia e Bardhë: S’ka paqe në Siri për sa kohë që Esadi qëndron në pushtet

Më të lexuarat

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, deklaroi të martën në komunikimin ditor se një Siri e dominuar nga paqja nuk do të jetë e mundur për sa kohë që Beshar Esadi qëndron në pushtet…

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, deklaroi të martën në komunikimin ditor se një Siri e dominuar nga paqja nuk do të jetë e mundur për sa kohë që Beshar Esadi qëndron në pushtet.

“Është e pamundur që një qeveri, e cila përdorë armë kimike ndaj popullit të vet, të sjellë paqe në vendin e saj”, theksoi ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’kanë përdorur armë kimike as në Luftën II Botërore, Sean Spicer tha se “as Hitleri nuk ka rënë kaq poshtë, saqë të përdorë armë kimike”.

Në vijim, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ndjeu nevojë dhe nxitoi të sqaronte se qëllimi i tij nuk kishte qenë aspak zhvlerësimi i Holokaustit.

“Në asnjë mënyrë nuk desha të minimizoj natyrën e tmerrshme të Holokaustit. Ajo që desha të thosha ishte se Hitleri nuk e përdorte gazin ndaj popullit të tij, në të njëjtën mënyrë siç po bën Beshar Esadi”, tha Sean Spicer më vonë në një komunikatë me shkrim.

Duke shpjeguar se qëllimi i tij nuk ishte të bënte krahasimin Esad-Hitler, zëdhënësi amerikan kërkoi falje nga opinioni publik duke pohuar se fjalët e tij, që të sjellin në mendjen holokaustin apo Hitlerin, ishin të gabuara.

Ndër të tjera, Sean Spicer akuzoi Rusinë se “po qëndron në anën e gabuar të historisë” duke mbështetur në çdo formë regjimin e Esadit.

“Rusia qëndron në krah të Koresë së Veriut, Iranit dhe Sirisë. Me përjashtim të Rusisë, të tjerët janë shtete të dështuara. Në këtë pikë, s’ka dyshim që Rusia po e izolon veten (nga shoqëria ndërkombëtare)”, tha ai.

Regjimi i Esadit – rikujtoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë – aktualisht nuk duhet të posedojë armë kimike dhe marrëveshja përkatëse është firmosur gjithashtu nga Rusia, prandaj Moska duhet që influencën e saj mbi Damaskun ta shfrytëzojë për mos t’u përdorur më kurrë armët kimike.

Spicer theksoi gjithashtu se prioriteti i parë i SHBA-së në Lindjen e Mesme është ende mposhtja e DAESH-it.

“Kurse prioriteti i dytë, nëse do të formohej një klimë politike e volitshme me kontributin e Rusisë dhe aktorëve të tjerë, është t’u ofrojmë sirianëve shansin për të zgjedhur një lider për vendin e tyre”, shtoi ai.

Në fund, zëdhënësi Spicer tha se ndërmjet njësive të inteligjencës amerikane nuk ka një konsensus nëse Rusia ka qenë ose jo në dijeni të sulmit me armë kimike në Idlib.

Më datë 4 prill, një sulm kimik i dyshuar i regjimit të Esadit në Han Shejhun të Idlibit la të vdekur rreth 100 civilë, mes të cilëve edhe shumë fëmijë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke lëshuar 59 raketa “Tomahawk” kundër një baze ushtarake siriane.

Komentet e Sean Spicer në lidhje me këtë çështje nxitën reagime të ashpra në rrjetet sociale. Chelsea Clinton, vajza e Bill dhe Hillary Clinton, ishte mes atyre që dënuan zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit