Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten në Basel të Zvicrës, pasi një grua 75 vjeçare, ka therur për vdekje një shtatë vjeçar shqiptar.
Rasti ka ndodhur në rrugën St. Galler-Ring të Bazelit në Zvicër, rreth orë 12:30 .
Ndërkaq, mësohet se 7 vjeçari është me prejardhje nga komuna e Lipjanit, ndërkaq familja e tij jetonin më shumë se shtatë vite në Zvicër.
Siç shkruajnë mediet zvicerane, fëmija shqiptar, kishte mbaruar mësimin në shkollë, dhe kthehej në shtëpi.
Atë e ka gjetur mësuesi i tij në rrugë, e që menjëherë e ka dërguar në në Spitalin Universitar të Fëmijëve të Bazelit, ku i është nënshtruar një operacioni emergjent.
Por, për shkak të hemorragjisë, ka vdekur – nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve në fyt.
“Trupi i tij është gjetur rreth orës 12.30 i shtrirë në tokë me hemorragji të madhe. E ka prerë në fyt”, shkruan bote.ch.
Pas sulmit me thikë, Policia kishte vërejtur gjithashtu gruan e moshuar që po dilte nga vendi i ngjarjes, duke e ndaluar. 75-vjeçarja ka pranuar se kishte sulmuar fëmijën me thikë.
E dyshuara për kryerjen e këtij krimi tragjik është arrestuar nga autoritetet zvicerane.
Ndërkaq, policia nuk ka dhënë detaje më tepër për mediet, pasi janë duke e hetuar rastin në detaje.
Familja shqiptare është në shok nga ngjarja që ka ndodhur./tg