0.3 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

SHQIPTARI QË SHPËTOI SULLTANIN- Sokol ADEMI

Më të lexuarat

 

 

“Nxori Çelepi Sulltan Mehmedinë nga mesi i ushtrisë së Tamerlanit, e shpëtoi nga mijëra rezike duke vënë vetëhen e ti në rezik të math; ky Bejazid Pashë, pa të cilënë mbretëri e tyrqet’ e fëmijët e Osmanit ishin të shuara e të humbura përjetë, ishte shqiptar.”

 Sami Frashëri “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”

 

     Intelektuali dhe ambasadori i denjë i historisë e kulturës shqiptare, flamurtari i ideve përparimtare dhe emancipimit, Sami Frashëri, në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, një manifest politik i Rilindjes Kombëtare dhe shembull i punës së shkëlqyer shkencore, flet rreth një figure pothuajse të panjohur për historiografinë shqiptare që ka lënë gjurmë të thella në të shkuarën osmane.

     Bëhet fjalë për Bejazid Pashën, shqiptarin e parë dhe njëkohësisht muslimanin e parë nga Ballkani që iu dha grada e Vezirit të Madh në shtetin osman. Ai lindi në qytetin e Amasjas në Anadollin verior. Fatkeqësisht, viti i lindjes së tij nuk dihet. Bejazidi ishte djali i Jahshi beut, shqiptarit që u konvertua në Islam, u bë pjesë e ushtrisë osmane dhe më vonë bej në Amasja. Konvertimi i tij duhet të ketë ndodhur gjatë sundimit të Sulltan Muratit l i cili hodhi për të parën herë trupat osmane në territoret europiane, pushtoi vise të banuara nga shqiptarë autoktonë dhe triumfoi në betejën e Kosovës në vitin 1389, gjë që na lë të mendojmë se origjina e shqiptarit Jahshi bej mund të ketë qenë nga Ilirida ose Kosova e sotme.

     Bejazidi u rrit në pallatin perandorak në Edirne si një nga rekrutët e zgjedhur për t’i shërbyer me besnikëri padishahut Bajazid l. Në sajë të mprehtësisë politike dhe aftësive ushtarake, ai u dërgua në vendlindje, në Amasja ku u bë një nga këshilltarët kryesorë të sanxhakbeut të zonës, princit Mehmet Çelebi. Në vitin 1402, gjatë betejës fatale të Ankarasë ku mongolët e Timur Lenkut zunë rob Sulltan Bajazidin l dhe dogjën qytetin, shqiptari Bejazid arriti ta shpëtonte princin 15-vjeçar Mehmet Çelebi dhe ta sillte në Amasja, duke kryer aktin më sublim të jetës së tij. Periudha 11-vjeçare e krizës së shtetit osman, me vëllavrasjen midis princave dhe luftës për pushtet të pjesëtarëve më të lartë të administratës perandorake, e gjeti Bejazid Pashën në mbështetje të plotë të Mehmet Çelebiut, i cili i mposhti vëllezërit e tij duke arritur të ngjitej në fron në vitin 1413.

     Në të njëjtin vit, Sulltan Mehmeti l e shpalli zyrtarisht Bejazid Pashën si Vezirin e Madh të perandorisë, detyrë të cilën ai e mbajti deri në fund të jetës. Në mars të vitit 1415 Bejazid Pasha triumfoi në betejën e Konias kundër principatës turkmene të Kahramanit dhe u shpërblye me detyrën e bejlerbeut të Rumelisë. Fama e tij do të kulmonte në vitin 1420 kur do të shtypte kryengritjen e Sheh Bedredinit. Ky konflikt i karakterit fetar shpërtheu në zonat jugore të Danubit, pra në Bullgarinë e sotme, u zgjerua më tej në gadishullin e Karaburunit në qytetin e Izmirit ku prijës i forcave rebele ishte Borkly Mustafai dhe në zonën e Manisas në Turqi ku udhëhiqte krahu i djathtë i Mustafait, Torlak Kemali. Shpartallimi i osmanëve në Karaburun e detyroi Sulltan Mehmetin l që të dërgonte Bejazid Pashën, i cili shtypi me forcë rebelimin dhe ekzekutoi të gjithë robërit. Të njëjtin fat pati edhe Torlak Kemali me 3000 ushtarët e tij në Manisa, por kryengritja nuk ishte shuar ende plotësisht. Bejazid Pasha marshoi drejt Rumelisë dhe pas një beteje të shkurtër në jug të lumit Danub e kapi të gjallë Sheh Bedredinin, i cili ishte ndihmuar ushtarakisht nga feudalët e Vllahisë. Ai u dërgua në qytetin e Serezit (sot në Greqi) ku u dënua me vdekje me varje në litar nga gjykata ushtarake osmane. Ekzekutimi u krye në pazarin e qytetit në vitin 1420.

     Në 26 maj 1421 Sulltan Mehmeti l ndërroi jetë dhe për të zbatuar porosinë e fundit të tij, Bejazid Pasha e fshehu për dyzet ditë vdekjen e padishahut deri në ardhjen në kryeqytet të princit të kurorës, Muratit, në mënyrë që të shmangeshin konfliktet e brendshme të mundshme për çështjen e fronit. Në korrik të po atij viti, Mustafa Çelebiu, xhaxhai i Sulltan Muratit ll nisi një kryengritje të fortë kundër sundimtarit të ri. Me urdhër nga padishahu, Bejazid Pasha u nis së bashku me armatën e tij për të shtypur rebelimin. Dy ushtritë u përballën në Keshan, në Trakinë Qendrore ku befas, një pjesë e madhe e trupave osmane dezertuan dhe u hodhën në krahun armik. Ushtarët e pakët që mbetën u asgjësuan nga forcat e Mustafa Çelebisë, veziri shqiptar u zu rob dhe me nxitjen e beut të Izmirit, Xhynejtit, aleat i Mustafait, u dënua me vdekje me prerje koke. Varri i Bejazid Pashës ndodhet në Sazllëdere të Turqisë.

     Në këtë betejë ra rob edhe vëllai i Bejazidit, Hamza beu, të cilin Xhynejti e fali pasi ishte tepër i ri në moshë. Katër vjet më vonë, Hamzai lau gjakun e vëllait duke masakruar Xhynejt beun dhe gjithë familjen e tij. Hamza beu pushtoi disa ishuj të detit Egje në vitin 1428, korri sukses si komandant i flotës osmane gjatë pushtimit të Selanikut në vitin 1430, u emërua sanxhakbej i Galipolit nga Sulltan Fatih Mehmeti ll, drejtoi bombardimet detare mbi muret e Bizantit në vitin 1453, pushtoi bregdetin e Kaukazit jugor ose Abkazinë në vitin 1454 dhe dy vjet më vonë u shkarkua nga detyra e admiralit osman. Në vitin 1462 u urdhërua nga Sulltan Mehmeti ll që të niste ekspeditën ndëshkimore kundër Vladit të famshëm të Vllahisë, i cili refuzonte të paguante haraçin ndaj Portës së Lartë të Stambollit. Hamzai së bashku me njëzet mijë trupa osmane ra në pritën e Vladit dhe pati një vdekje të llahtarshme. Ai u ngul në hu së bashku me robërit e tjerë osmanë, një metodë makabre e të ashtuquajturit Vlad Drakula. Varri i tij ndodhet pranë xhamisë së vet në lagjen Hamza Bej në qytetin e Bursës në Turqi. Në nder të tij një gji detar në Galipoli u quajt Hamzakoj, kurse në Selanik u ndërtua xhamia e Hamza beut fill pas pushtimit. Kjo xhami doli jashtë përdorimit në vitin 1923 për t’u restauruar si një vend muzeal në vitin 2006.

     Kurse Bejazid Pasha, shqiptari që shpëtoi sulltanin ndërtoi në Amasja një vakëf të vogël dhe një xhami, ndërsa në vitin 1418 ndërtoi medresenë me emrin e tij me një klasë të madhe dhe 11 dhoma në qytetin e Bursës.

     U përpoqa ta risjell brenda artikullit këtë histori të harruar për të treguar se cilët ishim ne, se cila është prejardhja fisnike e popullit tonë dhe për të mos harruar kontributin e madh të shqiptarëve në civilizimin lindor e perëndimor. Historia është mësuesja e madhe e njerëzimit, e cila, nuk bëj gabim të them, se “diti t’i mbajë me hatër arbrit” dhe ne duhet të dimë të qëndrojmë “shqiptarisht” mbi dallgët e saj.

 

 

-İsmail Hâmi Danişmend, “Osmanlı Devlet Erkânı”, fq. 9.

-Wittek, P.Heywood, “Rise of the Ottoman Empire: Studies in the History of Turkey, thirteenth–fifteenth Centuries”.

-Stavrides, “The Sultan of Vezirs: The Life and Times of the Ottoman Grand Vezir Mahmud Pasha Angelović (1453-1474)”, fq. 55.Yayın Kurulu, “Beyazıd Paşa/Yaşamları ve Yapıtlarıyla Osmanlılar Ansiklopedisi”, fq.302

-Necdet Sakaoğlu, “Bu Mülkün Sultanları”, fq.70

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit