1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shqiptarët në luftën për mbijetesë – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kombësia që ka njeriu nuk e bën atë të mirë apo të keq në sytë e Zotit, por ndërkohë, çdo komb ka historinë dhe trashëgiminë e tij, nga e cila nuk ndahet dot lehtësisht. Ndaj dhe nga kjo pikëpamje, ka kombe që historinë dhe trashëgiminë e tyre e kanë më së shumti të mbushur me krime dhe padrejtësi, ashtu siç ka kombe që më së shumti janë viktimizuar.

Kjo trashëgimi, e mirë apo e keqe, i jep trajtë karakterit identitar të një kombi që ruhet dhe trashëgohet ndër breza, përmes së cilës, edhe pse nuk mund të gjykojmë çdo individ të këtij kombi, sepse do të bënim padrejtësi, ama mund të themi me gojën plot, se mund të gjykojmë sjelljen politike dhe kulturore të tij karshi të tjerëve.

E parë me këtë qartësi dhe këtë këndvështrim, mund të pyesim se ku futen shqiptarët dhe ku futen serbët?

Kush janë ata që kanë vrarë e kanë prerë, kanë dhunuar dhe masakruar, kanë shkatërruar dhe përdhosur më shumë kombin tjetër në marrëdhëniet mes tyre: serbët shqiptarët apo e kundërta?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje dihet, e di gjithë bota madje. Por ajo që të habit është se si ca “shqiptarë” që i thonë vetes muslimanë dhe flasin edhe në emër të fesë madje (!), iu duket vetja se tregohen objektivë e të drejtë dhe tepër fetarë për çudi (!), duke shfajësuar Serbinë në mjaft raste, edhe pse e dinë mirë se ajo nuk ndahet dot nga e shkuara e saj kriminale, shoviniste dhe kryqtare, të cilin e ka pjesë të identiteti të saj kombëtar!

Edhe pse shpesh nuk e thonë troç, por më së shumti mjaftohen duke sharë të tjerët, për ta, Rusia dhe linja sllavo-ortodokse është pala më e mirë, pala më e drejtë, delja e urtë e Perëndisë, që po e shqyejnë ujqërit e Perëndimit dhe që ajo kërkon paqen, stabilitetin dhe asgjë më shumë se kaq!

Perëndimi dhe Evropa sidomos, përgjithësisht nuk ka qenë e drejtë me shqiptarët dhe kanë qenë gjithmonë të gatshëm të na sakrifikojnë për interesat e tyre. Ky është fakt historik dhe trashëgimi, nga e cila as Evropa nuk shkëputet dot lehtësisht.

Megjithatë, në mesin e këtij Perëndimi, jo fort dashamirës me shqiptarët, është fakt se ka pasur dhe ka shtete, të cilat, sigurisht për interesat e tyre dhe jo për dashuri ndaj nesh, kanë qenë në krah të shqiptarëve, që së paku ata të ekzistojnë dhe të kenë shtetin (tani shtetet) e tyre, sigurisht nën vasalitetin dhe diktatin e tyre politik dhe kulturor.

Ndërkaq, Rusia, Serbia, Greqia dhe linja sllavo-ortodokse nuk e kanë dashur kurrë dhe as nuk e duan edhe sot e kësaj dite ekzistencën shtetërore të shqiptarëve, ndërkohë që deri dje, as ekzistencën fizike dhe identitare nuk e pranonin.

Vërtet Perëndimi i sotëm liberal, sidomos ai i majtë, me agjendat e tij ideologjike social-kulturore rrezikon kulturën, besimin dhe trashëgiminë tonë fetare dhe identitare, ndërkohë që linja sllavo-ortodokse duket në pamje të jashtme më konservatore në këtë drejtim, por në mes të atij që kërkon të të zhdukë edhe fizikisht dhe politikisht, dhe atij që të lë të ekzistosh, edhe pse me kushtet imponuese të tij, ka një dallim thelbësor që nuk do as mend as kalem, se si i vogël dhe i dobët që je, cilin krah politik do të mbash, kur nuk e ke luksin të jesh neutral.

Shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarët muslimanë në veçanti nuk e kanë aspak mundësinë dhe kushtet të jenë vetmitarë dhe armiq me të gjithë, por duhet ta shohin politikën globale, ashtu siç e pa Profeti (alejhi salatu ue selam) betejën në mes persëve dhe romakëve.

Sigurisht do të ishte më mirë që për interesat e tyre, shqiptarët të jenë neutralë dhe të luajnë politikisht mes kundërshtarëve të mëdhenj e të fuqishëm, por kjo shpesh për ne nuk është e mundshme, ndaj zgjedhja e njërës palë më pak të dëmshme është e detyruar. Kështu që në kushtet dhe realitetin ku jetojmë, më vjen gjithmonë në mendje një shprehje e Ervin Hatibit që thoshte se “me gurët e murit të prishur të Berlinit u rindërtuan xhamitë tona”, fakt ky, që nuk e zhbëjmë dot.

Allahu thotë në Kuran: “Sikur Allahu të mos i zmbrapste njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej. Por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit.” (2:152)

Vendosi shqiptarët në vendin e njerëzve të shpëtuar, serbët në vendin e njerëzve të zmbrapsur dhe Perëndimin në vendin e zmbrapësve, dhe e kupton qartësisht se cilin detyrohesh të zgjedhësh.

Ndërkohë, bota islame është larg të qenit faktor vendimtar në politikat globale, dhe pavarësisht fuqisë së kufizuar turke në rritje, ata që i marrin vendimet sot në botë edhe për ne, dihet se cilët janë.


P.S. Atyre që akuzojnë apo trillojnë sajesa për pagesa, shit-blerje apo agjentura ambasadash etj., u kam lënë Zotin, sepse nuk kam nerva dhe kohë të merrem me ta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit