2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Shqiptarët ndërmjet dy kishave – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

dhe grabitqarët e huaj për supremacion fetar e politik

Fërkimet e kamotshme historike në administratën e Perandorisë Romake rezultuan me ndarjen e kësaj perandorie në dy pjesë në vitin 395. Në të vërtetë ndarja e Perandorisë Romake u bë në Lindore – ku u përqendrua zhvillimi i kulturës krishtere-proveniencë helene, dhe në atë Perëndimore – ku u përqendrua zhvillimi

i kulturës së krishtere-proveniencë latino-romane).(1)

Megjithatë, epilogu i fërkimeve brendakishtare dhe perandorake nuk përfundoi me kaq. Kontradiktat dhe armiqësia brendakishtare ashpërsohet me intensitet më të madh veçanërisht në shekullin V, kurse ndarja përfundimtare bëhet në gjysmën e dytë të shekullit XI, gjegjësisht në vitin 1054, kur ndarja e Kishës krishtere u bë në dy rite: në ortodokse dhe në latino-katolike.

Kjo skizmë krishtere – që ndodhi gjatë sundimit të mbretit Teodosije – në historinë e teologjisë krishtere është e njohur si “Skizma e madhe”. Këtu duhet theksuar edhe fakti se nga faktorët që ndikuan në këtë “skizmë të madhe”, janë edhe konfliktet dhe grindjet ikonoklastike, të cilat fuqishëm ndikuan në marrëdhëniet ndërmjet Perandorisë Perëndimore Romake dhe asaj Lindore.

Sidoqoftë, vija kufitare shtetërore e kishtare e të dy perandorive (romake dhe bizantine) kalonte nëpër viset shqiptare. Populli shqiptar, si edhe viset ku jetonin shqiptarët, gjatë këtyre shekujve të kundërthënieve brendapërbrenda Krishterizmit, ishin arenë luftërash të kryqtarëve për supremacion fetar e politik të njërës ose të kishës tjetër. Armiqësitë e thella midis dy kishave të krishtera (lindore dhe asaj perëndimore) për supremacion administrativ në tokat shqiptare, ishin në dëm të interesit të popullit shqiptar. Më dëmshkaktuese ishte rryma sllave, gjegjësisht ajo serbe, sepse shtrirja e mbretërisë serbe u zgjerua dukshëm edhe në Maqedoni. Nga vendbanimet më të mëdha shqiptare që u okupuan nga serbët, ishin Shkupi

dhe Prizreni.(2)

Prania e elementit sllav në një pjesë të madhe të trojeve etnike shqiptare shkaktoi që një numër jo i vogël i toponimeve të merrnin emërtime sllave, siç ndodhi me shumë vendbanime iliro-shqiptare. Tendencat asimiluese ndaj popullatës albanofone kishin prapavijë të errët politike. Nëpërmjet kishës serbe imponohej edhe kultura sllave, ndërsa kisha katolike ishte në shërbim të politikës shtetërore romake. Këta ishin edhe faktorët kryesorë që albanofonët e luhatën besimin ndaj fesë krishtere e me këtë edhe ndaj kishave të Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine(3), të cilat kishin tendenca asimiluese, sepse kisha ortodokse ishte në shërbim të politikës shtetërore bizantine, siç ishte edhe ajo katolike që ishte në shërbim të politikës shtetërore romake (perëndimore). Këto ishin kohët kur popullata albanofone u gjet e ndarë dhe e copëtuar në sferën shtetërore dhe në atë fetaro-kishtare, si nën dominimin politik e kishtar bullgar e serb, kurse në viset bregdetare nën dominimin politik e kishtar grek e venedikas. Në kushte të tilla politike dhe të një copëtimi të tillë territorial, administrativo-shtetëror dhe kishtarofetar, assesi nuk kishte gjasa që të mund të realizohej integrimi i kulturës dhe i kombit shqiptar, si dhe integrimi i Shqipërisë Etnike. Për t’u siguruar rrjedha e integrimit të popullit shqiptar, ishte i domosdoshëm faktori shtet, përkatësisht administratë shtetërore unike për të gjitha viset me popullsi albanofone, dhe faktori fe unike si faktor integrues i kulturës.(4)

Këta dy faktorë, të themi kushtimisht të jashtëm, do të paraqiten pas rënies së viseve me popullsi albanofone nën pushtetin e Perandorisë Osmane dhe me fillet e përqafimit të Islamit nga shqiptarët.(5)

Depërtimi osman në viset shqiptare

depërtimet osmane në Ballkan, e kësodore edhe në truallin evropian, shënuan një kthesë të rëndësishme në historinë e Evropës. Kur jemi te depërtimet osmane, këtë pohim mund ta ndërlidhim edhe me faktin që kishte të bënte me dhunën dhe trysnitë sllave, greke ose ato bizantine që u zhvilluan ndaj popujve josllavë, siç ishin ato ndaj shqiptarëve, boshnjakëve (bogomilëve) etj..

Burimet evropiane(6) si dhe ato osmane japin të dhëna kontradiktore lidhur me kohën e depërtimeve osmane në Maqedoni. Disa autorë osmanë të shekujve XV-XVII, si Idris Bitlisi, hoxha Sadedin dhe Sollak Zade, duke i përshkruar depërtimet osmane në Ballkan, theksojnë se disa qytete, siç janë Përlepi dhe Manastiri, nën sundimin osman kishin hyrë në vitin 1382.(7)

Shkupi është çliruar në fund të vitit 1391 ose në janar të vitit 1392, pra gjatë kohës së sulltanatit të Bejazidit I. Madje edhe mjaft kronistë osmanë, siç janë Ashik pashazade dhe Nishanxhi pasha, kanë shkruar për çlirimin e këtij qyteti të rëndësishëm gjeografik. Burimet historike flasin se administratori i parë osman që u emërua në Shkup, ishte Jigit Pasha (1392-1414).(8)

Me ardhjen e osmanëve në këtë pjesë të Evropës, veçanërisht në trojet etnike shqiptare, përfunduan proceset dhe synimet asimiluese që vinin nga faktorët antishqiptarë që do të thotë nga sllavët dhe grekët.

Historia tregoi se dominimi administrativ i Perandorisë osmane në këto troje evropiane, për shqiptarët pati një rol mjaft pozitiv, sepse, përmes administratës unike osmane, shqiptarët shprehën edhe pakënaqësi ose rebelimin kundër asimilimit të tyre. Nga kjo mund të thuhet se “në pafatësinë shekullore të popullit shqiptar, osmanët sollën një fat të ri historik”.(9)

Perandoria osmane, e cila kishte një administratë mjaft të organizuar dhe të përpiktë, i pranoi njësitë administrative të ish principatave në viset shqiptare. Depërtimi i osmanëve në tokat shqiptare pati për pasojë pozitive evitimin e luftës ndërkrahinore midis principatave feudale shqiptare dhe evitimin e luftës fetare midis masave shqiptare ritesh e kishash të ndryshme.(10)

Të dhëna për popullsinë e vilajetit të Kosovës shek. xvii-xix

Njëri nga aktet më të rëndësishme që doli në bazë të Hatti-Humajunit të vitit 1856, ishte Ligji i Vilajeteve, që u miratua në vitin 1864.(11)

Pra, Perandoria osmane ishte e ndarë në ejalete dhe vilajete.(12) në kulmin e madhështisë së saj (rreth vitit 1610) Perandoria Osmane ishte e ndarë në 32 ejalete, nga të cilat pesë i takonin Gadishullit Ballkanik. Viset shqiptare ishin të përfshira me viset e tjera të Ballkanit Qendror me qendër në ejaletin e Rumelisë, më parë në Sofje dhe pastaj në manastir.(13)

Në pjesën evropiane të Perandorisë bënin pjesë disa vilajete. Ndër ato ishte edhe vilajeti i Kosovës, ku bënte pjesë edhe kazaja e Shkupit. Meqë Shkupi ishte qendra kryesore e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane dhe kryeqendra e vilajetit të Kosovës, mendojmë se është e udhës të sjellim disa të dhëna që kanë të bëjnë me numrin e banorëve të këtij vilajeti, madje vetëm në periudhën e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.

Kur është fjala për Shkupin si qytet i rëndësishëm i pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, është me rëndësi të themi se ky qytet që në shekullin XVII ishte mjaft i madh dhe atëherë kishte 120 xhami, në 45 prej tyre falej namazi i xhumasë(14).

Udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebi, i cili në shekullin XVII qëndroi disa ditë në Shkup, thotë se në këtë qytet ekzistojnë kisha ermene, bullgare, serbe, sinagoga hebreje etj.,(15) por askund nuk përmend se ekzistoi ndonjë kishë maqedonase.

Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1877(16) dhe përfshinte një sipërfaqe të gjerë gjeografike prej 32.900 km katrorë. Brenda kufirit administrativ të vilajetit të Kosovës bënin pjesë gjashtë sanxhaqe. Ato ishin: sanxhaku i Prishtinës, i shkupit, i Prizrenit, i Jeni-Pazarit, i Pejës dhe i Tashllixhes (Plevljes).(17) sipas shënimeve zyrtare të Perandorisë osmane të shpallura në gazetën zyrtare të Qeverisë së atëhershme Osmane ‘La Turquie’ (maj 1878), thuhet se vilajeti i Kosovës i kishte 1.199.154 banorë,(18) ndërsa, sipas statistikave turke të viteve 1896 e 1900, vilajeti i Kosovës kishte një popullsi të përgjithshme prej 996.738 banorësh.(19) sipas regjistrimeve osmane të viteve 1896-1900, sanxhaku i Shkupit kishte 324.982 banorë.(20)

Sipas regjistrimeve osmane të vitit 1900, vetëm kryeqendra e vilajetit të Kosovës – Shkupi, i kishte 4.682 shtëpi me më shumë se tridhjetë mijë banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbënin shqiptarët myslimanë.(21)

Nga këto të dhëna, si dhe nga dëshmi të tjera historike, kuptohet qartë se numri më i madh i banorëve të vilajetit të Kosovës ishin shqiptarë. Këtu nuk kemi ndërmend të ofrojmë edhe të dhëna për vilajetet e tjera, sepse një gjë e tillë do të kërkonte një punë më të madhe. Në kazanë e Shkupit bënin pjesë edhe një numër i madh fshatrash, në mesin e të cilave është edhe rajoni i Karshiakës me fshatrat e tij.

1) Shkaqet e kalimit në Islam te shqiptarët’, dr. Muhamet Pirraku, Hëna e Re, nr. 40-41, 1992-Shkup.

2) DALIPI, Qerim, ‘Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më 1402’, Kërçovë, 2002, f. 143.

3) ‘Shkaqet e kalimit në Islam te shqiptarët’, dr. Muhamet Pirraku, po aty.

4) ‘Shkaqet e kalimit në Islam te shqiptarët, po aty.

5) ‘Shkaqet e kalimit në islam te shqiptarët’, po aty dhe ‘Islami dhe shqiptarët, Hëna e re, nr. 43, 1992, Shkup.

6) SCHEVILL, Ferdinand, ‘Ballkani – historia dhe qytetërimi’, Uegen, Tiranë, 2002, f. 155-158 dhe ARNOLD, Thomas, ‘Povijest Islama, Bashkësia Islame, Sarajevë, 1989, f. 213-214.

7) DALIPI, Qerim, ‘Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më 1402’, po aty, cituar sipas S. Pulaha, ‘Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV (Burime Osmane), Tiranë, 1968, f. 125-132, 247-249, 294-295.

8)Po aty, f. 157-158.

9)‘Shkaqet e kalimit në islam te shqiptarët’, po aty.

10) ‘Shkaqet e kalimit në islam te shqiptarët’, po aty.

Behxhet jashari

Dituria islame 238.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit