Autor: Fadil Maloku
1. Shoqëritë gjithandej shqiptare, prej filleve të erërave të demokratizimit janë infektuar aq shumë me zvetënimin e rolit të qytetarit aktiv, sa që sot pas gati dy dekadave të testimit të vetvetes për (pa)pjekurinë e tyre, kanë ardhur në një pozicion, sa absurd (sepse, kanë fituar përshtypje të gabuar, se janë në rrugë të duhur), aq edhe naiv (sepse, kanë investuar më shumë në formë/legjislacion e norma kushtetuese/, se sa në përmbajtje (pra, në edukim dhe arsimim të qytetarit)!
2. Dhe ky keqkuptim, i fuqizuar me aplikativitet masiv ka prodhuar një “fotosintezë” të deformuar dhe improvizuese sociale, për demokracinë dhe raportet demokratike brenda sistemit vleror.
3. Natyrisht, gjithë këtë deformitet të (pa)vetëdijshëm, në këtë rrugëtim dy dekadash, e kanë “ushqyer”, por, edhe e kanë mbërthyer faktorët e jashtëm, si; kultura masive, arti masiv, politika masive, tjetërsimi masiv, vetëkënaqësia masive, hedonizmi masiv…etj.
4. Tani, këtë gjendje (frikohem edhe me dromca sindrome!) të turbullt padyshim, në sytë e publikut (ende amorfë dhe ende të papjekur sa duhet për “odisejadat dhe betejat” e reja të “pushtimit” të lirive (të:qarkullimit, mendimit, gjykimit, tregtisë, etj.), nevojitet ta shërojmë përmes lirisë pozitive.
5. Që nënkupton, lirinë jo në vetvete, jo shkatërruese, por “lirinë për diçka”, duke kaluar nga gjendja “të posedojmë” në gjendjen “të jemi”. Kjo gjendje, që për popujt dhe vendet tjera të botës perëndimore, shpesh herë ishte edhe vetë “ferri” i emancipimit, por, edhe caku i asaj që shquhet dhe identifikohet si shoqëri e shëndoshë. Ku, arsimi, shëndetësia, mediet, politika, kultura, etj. rrezatojnë liri pozitive, liri kreative kulturore vetanake.
6. Ky tip lirie, nuk është “produkt”, që mund të importohet, sikurse çdo mall tjetër në tregun e jashtëm masiv. Ky tip lirie, as nuk mund të konsumohet (ashtu siç po mendojnë elitat aktuale; politike kulturore), as nuk mund të amputohet (sikurse; veshja, ushqimi, etj.), nga të tjerët!
7. Ndryshe, ne edhe më tej do mbesim “shoqëri periferike”, ashtu siç ishin “testuar” historikisht gjeneratat tona të mëhershme. Pra, na nevojitet kurajë, s’ pari individuale, e më pastaj edhe komunitare, në mënyrë që të fillojmë ndërtimin e asaj që shquhet si “licencë” personale identitare. As më shumë e as më pak, se sa të tjerët.
8. Duket, që vonesën tonë historike, duhet gjurmuar edhe në këto “binarë” të identifikimit tonë me të tjerët, në vend që të tjerët të identifikohen me neve…Dhe atë, jo si individualist (gjë që edhe jemi të shquar, nëpër gjithë historinë tonë të qenësimit, por, si komunitet, e kolektivitet kombëtar e shtetëror. Qe dinë dhe mund të organizohet si organizatë; sociale, politike, ekonomike, kulturore, e pse jo edhe ushtarake.
9. Vetëm kështu të organizuar dhe të mobilizuar, mund të dëshmojmë se e meritojmë të futemi në konkurrencë lojale me kombet dhe shtetet tjera për rreth neve. Dhe imponohemi si komb e si shtet, që përveç gatishmërisë për të menaxhuar veten e vet, dine edhe të ndërtoj karizma e respekt te tjerët.