-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shqipëria merr 266 milionë euro nga Banka Botërore

Më të lexuarat

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore aprovoi dy projekte për Shqipërinë me një shumë totale prej 265.9 milionë eurosh.
 
Garancia e bazuar në Politikat për Financat Publike prej 200 milionë eurosh dhe projekti për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore bazuar në rezultate prej 65.9 milionë eurosh.
 
Garancia e bazuar në Politikat për Financat Publike, në mbështetje të një huaje komerciale, është e dyta në serinë e projekteve që financojnë politika programatike të zhvillimit. Sipas një njoftimit të Bankës Botërore, ky projekt mbështet forcimin e menaxhimit të financave publike për të trajtuar çështje të detyrimeve financiare dhe taksave, reformave në fushën e pensioneve dhe energjisë me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale.
 
Projekti mbështet gjithashtu, shlyerjen e detyrimeve dhe parandalimin e detyrimeve në të ardhmen, forcimin e proceseve të përgatitjes dhe ekzekutimit të buxhetit, rritjen e të ardhurave, reformimin e sistemit të pensioneve dhe pakësimin e rreziqeve fiskale që rrjedhin nga sektori energjetik. Aprovimi i këtij projekti ndjek ndërmarrjen e një sërë veprimesh paraprake në këta sektorë, përfshirë menaxhimin e financave publike, reformat në pensione dhe sektorin energjetik.
 
Garancia e bazuar te Politikat për Financat Publike për një hua komerciale mbështet reforma kryesore që janë kritike për Shqipërinë për të ruajtur hapësirën fiskale për rritje, dukë lejuar investime dhe ofrimin e shërbimeve sociale që lidhen me uljen e varfërisë, tha Doerte Doemeland, Kryeekonomiste në Bankën Botërore dhe Drejtuese e Projektit.
 
Kurse, projekti për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe eficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre.
 
Mirëmbajtja e rrjetit të rrugëve kombëtare ka qënë vazhdimisht e keqfinancuar duke dëmtuar kështu qëndrueshmërinë e sektorit të transportit. Siguria në rrugë mbetet një problem madhor social dhe për shëndetin publik në Shqipëri me një numër mjaft të lartë viktimash për vit krahasuar me vendet e rajonit. Projekti gjithashtu, do të ndihmojë qeverinë në kryerjen e reformave për menaxhimin e investimeve publike në mënyrë që investimet të jenë të mbështetura nga pikëpamja fiskale dhe në përputhje me planin e buxhetit afatmesëm.
 
“Projekti do të përmirësojë sigurinë në rreth 1334 km të rrugëve kombëtare me vëllim të lartë qarkullimi të Shqipërisë. Nga ky projekt pritet të përfitojnë përdoruesit e rrugëve në të gjithë Shqipërinë si rezultat i përmirësimeve në mirëmbajtjen e rrugëve, pakësimit të kohës dhe kostos së udhëtimit si dhe uljes së kostove ekonomike dhe sociale që lidhen me aksidentet rrugore”, tha Artan Guxho, Inxhinier i Lartë i Infrastrukturës në Bankën Botërore dhe Drejtues i Projektit.
 
Rezultatet e Projektit do të maten përmes objektivave të paracaktuara sipas performancës periodike dhe rutinë të mirëmbajtjes, përmirësimit të sigurisë rrugore, vlerësimit me yje të rrjetit rrugor kombëtar dhe përgatitjes së planeve shumëvjecare të mirëmbajtjes si pjesë e sistemit të menaxhimit të aseteve rrugore. Kosto totale e projektit është 128.47 milionë euro, me një bashkëfinancim prej 62.57 milionë eurosh nga Qeveria e Shqipërisë.
 
Qëkurse Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në 1991, vendi ka përfituar 86 projekte me një vlerë totale prej 2.4 miliardë dollarësh amerikanë, në formën e granteve dhe kredive të IDA-s, si dhe huave të IBRD-së.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit