Në përfundim të takimit ministrat Çavuşoğlu dhe Bushati mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshë, rritjen e bashkëpunimit, si dhe në luftën kundër organizatës terroriste FETO
Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, është takuar me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa dy homologët firmosën edhe deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimit ministrat Çavuşoğlu dhe Bushati mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet dypalëshë, rritjen e bashkëpunimit , si dhe në luftën kundër organizatës terroriste FETO.
Ndërkohë ministri Bushati, i pyetur në lidhje me aktivitetet e organizatës terroriste FETO në Shqipëri tha se “Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar për atë çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për BE dhe ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”.
Kryediplomati i Shqipërisë, tha se dy vendet kanë rënë dakord dhe iniciuar një dokument të rëndësishëm të partneritetit strategjik për të themeluar Këshillin e Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Turqi-Shqipëri që do të drejtohet nga Presidenti I Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Patëm mundësi për të marrë shqyrtim nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe, qoftë në planin politik ashtu dhe atë ekonomik dhe tregtar dhe të këmbejnë pikëpamje për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon dhe rolin që luan Turqia dhe Shqipëria qoftë në NATO apo në instanca të tjera ndërkombëtare. Përmes këtij dokumenti ne i paraprimë edhe mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive dhe takimeve periodike: Shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë vendit tonë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, për punën e lavdërueshme që bën TIKA në Shqipëri, për sa i përket elementëve që kanë të bëjnë më trashëgiminë kulturore”, tha ministri Bushati.
Ministri Bushati tha se e vetmja rrugë për Maqedoninë është rruga e euroatlantike dhe shtoi se “Shpresoj shumë që marrëveshja e Prespës do të materializohet qoftë në Parlamentin e Maqedonisë ashtu edhe në Parlamentin e Greqisë. Është gjithashtu e rëndësishme për ne si Shqipëri që ky proces të zhvillohet paralelisht me angazhimet që ka ndërmarrë Maqedonia qoftë për zbatimin e ligjit të dygjuhësisë”.
Çavuşoğlu është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe presidentin e vendit, Ilir Meta dhe me kryeministrin Edi Rama.