Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë organizuar tryezën e diskutimit me temë: “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore”
Në Shqipëri shënohet sot me aktivitete të ndryshme Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, që organizohen në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, si pjesë edhe e Ditëve Evropiane të Trashëgimisë 2021, raporton Anadolu Agency (AA).
Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë kanë organizuar tryezën e diskutimit me temë: “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore”, me pjesëmarrjen e studiuesve, studentëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore.
Konferenca kishte në fokus diskutimet në lidhje me sfidat dhe detyrimet që ka Shqipëria sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, gjatë fjalës përshëndetëse në hapje të aktivitetit tha se Shqipëria është një vend e cila përfshin në vetvete pjesë të ndryshme të shtresave të qytetërimeve të harmonizuara së bashku.
“Tematika e këtij viti është të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore. Është një defincion i cili kërkon tashmë në një epokë moderne se si grupe, komunitete dhe vlera të caktuara mund ta gjejnë vetveten në atë që quhet trashëgimi kulturore me identitetin e përbashkët që neve na përfshin dhe në sferën e madhe të qytetërimit”, u shpreh Koçi.
Ai tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit, pasi sipas tij tashmë është kthyer në një destinacion turistik edhe kulturor. “Sigurisht që turizmi kulturor është një nga shtyllat e zhvillimit të Shqipërisë”, theksoi Koçi.
Në kuadër të kësaj dite, nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar është hapur edhe ekspozita me temë “Biznese kreative që ruajnë trashëgiminë kulturore”, që ka si synim të trajtojë përfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore.
Për dy ditë me radhë do të ekspozohen punime artistike, prodhime kreative, inovacione në aksesorë të punuar me minerale nga shkëmbinjtë e maleve shqiptare, produkte të ricikluara dhe piktura.