0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Shqipëri: Lazaratasit minojnë fshatin

Më të lexuarat

Furgonët me punëtorë dhe botet me ujë hyjnë në Lazarat nën hundën e forcave policore.

Policia – Operacionet e viteve të fundit kanë stimuluar më shumë mbjelljen e kësaj bime fitimprurëse, pasi gjithmonë është vepruar me “kapjen” e punëtorëve dhe me ndalimin e makinave me ujë apo me pleh.

“Kryengritja” e banorëve të Lazaratit ka arritur kulmin këtë verë, ku veç kundërshtimeve të policisë me armë që kanë ndodhur çdo vit, duke i kthyer mbrapsht forcat e rendit, sivjet ata kanë minuar çdo shteg që të çon në fshat, me qëllim që bimët narkotike të mos cenohen. Informacioni konfidencial vjen nga brenda fshatit, nga i cili mësohet se janë grosistët e trafikut të drogës, ata që kanë vënë mina, me qëllim për të parandaluar ndonjë sulm të befasishëm të policisë, por edhe vjedhje të mundshme të lëndës narkotike.

Kjo veprimtari nuk është konfirmuar nga policia, por mësohet se çdo natë, qielli mbi Lazarat skuqet nga gjurmëlënës dhe predha mitralozi, që dëgjohen në të gjithë Gjirokastrën. Nga ana tjetër, pavarësisht përpjekjeve të policisë me postblloqe të ndryshme, Lazarati vazhdon të furnizohet me punëtorë, pleh dhe ujë për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas informacioneve të besueshme, vendosja e minave në shtigje që të çojnë drejt zonave, ku kultivohet masivisht kjo bimë e ndaluar narkotike, është realizuar pas operacionit të ndërmarrë nga policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të bllokuar çdo rrugëdalje të Lazaratit, me qëllim minimizimin e trafikut të drogës. Ky operacion, si çdo vit është kryer në largësi të fshatit, duke shoqëruar në polici persona që punësohen për korrjen e bimës narkotike, por edhe duke bllokuar autobotet me ujë dhe kamionët me pleh që përdoren për kultivimin e kësaj droge në fshatin e njohur në gjithë Europën për prodhimin e tij.

Njëkohësisht, banorë të fshatit shprehen se minat janë vendosur edhe nga frika e vjedhjes së bimës së korrur në disa parcela, pasi kohët e fundit janë shtuar konkurrentët, të cilët përfitojnë nga sezoni, duke e trafikuar vetë nëpërmjet rrugëve malore.

Megjithatë, pavarësisht mënyrave të përdorura nga banorët për mbrojtjen e lëndës narkotike, i patjetërsueshëm mbetet fakti se Lazarati nuk ndalet në kultivimin e parcelave me kanabis. Në fshat mbizotëron gjelbërimi nga plantacionet e mbjella me kanabis, ndërsa punëtorët vazhdojnë të shkojnë me furgonë dhe kamionët dhe botet me ujë hyjnë lirshëm në Lazarat. Policia duket e paaftë për të mbajtur nën kontroll lëvizjet në fshatin e konsideruar si vatra kryesore e kultivimit të bimës narkotike. Furgonët për në Lazarat nuk qëndrojnë më në qytetin e Gjirokastrës, por kanë ndërruar stacione duke ndaluar në zona të ndryshme. Shoferët zgjedhin kohën kur postblloku i policisë lëviz nga një pikë në tjetrën për të futur në fshat punëtorët, ndërkohë që e njëjta praktikë ndiqet edhe për mjetet ndihmëse.

Nga ana tjetër, ndërsa policia ka bllokuar rrugët tradicionale të furnizimit me ujë, vetëm 1 km më larg janë hapur shtigje të tjera dhe botet hyjnë lirisht për në fshat. Policia e Gjirokastrës, e mbështetur edhe nga forcat speciale, ka deklaruar se do të ndërhyjë në terren brenda pak ditëve, por planit operacional duhet t’i jepet OK nga krerët më të lartë të Policisë së Shtetit.

Kjo nuk është hera e parë që policia ndërmerr aksione të tilla, por prej vitesh, fshati i kanabisit ka dalë jashtë kontrollit.

Fshati që ka dëshmuar për më se një dekadë se është një territor i pakontrolluar dhe i padepërtueshëm nga policia dhe shteti, pasi mendohet se banorët e tij janë të armatosur, vazhdon procesin e kultivimit të kanabisit i pashqetësuar. Grupe personash të armatosur vendosen në pozicione strategjike nëpër kodrat periferike dhe jo vetëm që vëzhgojnë çdo lëvizje në hyrjet dhe daljet e fshatit, por herë-herë realizojnë qitje në ajër me lloj-lloj armësh. Kjo përbën rrezik për jetën e udhëtarëve në rrugën nacionale Kakavijë-Gjirokastër, për banorët e lagjeve periferike të Gjirokastrës; Zinxhira, Manalat dhe Cfakë, si dhe për banorët e fshati Dervician në anën tjetër të Lazaratit. Edhe forcat speciale që kanë tentuar të hyjnë brenda plantacioneve me kanabis, kanë hasur në kundërshtime të ashpra me armë, falë edhe terrenit, që u jep përparësi trafikantëve të drogës.

Red. Akt.

“Googlemaps”
Kanabisi në Lazarat, i mbjellë cep më cep
Kompania gjigante “Google” ka dekonspiruar pa dashje kultivuesit e kanabisit në fshatin Lazarat. Programi “googlemaps” ka bërë një fotografim të të gjithë territorit shqiptar nga hapësira, ku gjithkush që ka internet mund të eksplorojë vende të caktuara. Rifreskimi i fundit duket se është bërë para disa javësh, ndërsa shkruhet se fotografimi është bërë në vitin 2013. Sipas një vëzhgimi të thjeshtë në këtë faqe, duke kërkuar për fshatin Lazarat, aq shumë të debatuar kohët e fundit edhe në mediat botërore, pas publikimit të raportit nga policia italiane se në këtë fshat janë mbjellë 300 hektarë kanabis, shikohet se ai është totalisht jeshil, shumë i lulëzuar, megjithëse është një shpat mali. Pa afruar pamjet, duket se ky fshat është “pararojë” e bujqësisë, pasi është shumë i gjelbër, ndërsa lagjet e tjera, buzë rrugës automobilistike, apo edhe afër qytetit të Gjirokastrës, duken në ngjyrë gri, si shkretëtirë, megjithëse janë fusha. Ditët e nxehta të korrikut dhe gushtit kanë tharë çdo bimë në fushë, ndërsa lart në mal, ku banesat janë ngritur në një zonë me zallishte, lulëzon gjithçka. Me një vëzhgim të thjeshtë duken parcela të tëra jeshile, që me shumë gjasa janë të mbjella me kanabis. Madje, duken edhe rreshtat e mbjelljes, ndërsa në disa vende bima duket e vogël.

Pasojat

Të shtënat, 26-vjeçarja u plagos nga plumbi “qorr”

Të shtënat me armë zjarri nga lazaratasit, ku nuk përjashtohen edhe ato të artilerisë së rëndë kanë sjellë edhe të dëmtuar këtë vit, duke rikthyer në vëmendje vitet ‘97-‘98. Një 26-vjeçare është plagosur nga një plumb qorr në qytetin e Gjirokastrës. P. Duri po lëvizte në rrugicat e këtij qyteti, kur papritur ka marrë një plumb në krahun e majtë. E reja është transportuar menjëherë drejt spitalit lokal, ku èshtè jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes shkuan efektivë të policisë dhe pyetën dëshmitarët okularë, pikërisht personat që e shoqëruan në spital. Ata pohuan se Duri nuk ka pasur asnjë konflikt, por është gjakosur papritur. Madje, ata nuk kanë dëgjuar as të shtëna armësh, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore kanë filluar verifikimet paraprake. P. Duri ndodhej në disa rrugica të lagjes “Zinxhira”. Ajo ka dëshmuar se po ecte rrugës dhe në një moment ka ndier një të therur në krahun e majtë. Më pas ka parë krahun e gjakosur dhe me ndihmën e disa banorëve ka shkuar në spital. Dyshimet e para, por edhe më të forta, janë se të shtënat kanë ardhur nga fshati i Lazaratit, i cili në këto kohë ruan me armë të mbjellat me kanabis. Madje, nuk lejon asnjë person të huaj, qofshin këta edhe punonjës policie të shkojë në brendësi të fshatit. Situata duket mjaft e rëndë dhe e vetmja mundësi për banorët është ruajtja e parcelave me armë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit