1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Shprehjet e dhunës psikologjike

Më të lexuarat

Shprehjet e dhunës psikologjike

Fëmijëria është periudha më vendimtare e zhvillimit të fëmijës si individ dhe si qytetar. Rëndësia e kësaj periudhe që ndikon në zhvillimin nw vazhdim e bën të domosdoshme që të tregohet një kujdes dhe vëmendje e veçantë ndaj nevojave zhvilluese të fëmijës. Njëra prej këtyre nevojave është dhe nevoja për siguri, pa plotësimin e së cilës është e pamundur të kemi individë të shëndetshëm dhe qytetar të përgjegjshëm. Përveç faktorëve të tjerë që ndikojnë në përmbushjen e nevojës për siguri tek fëmijët, ndër to një pjesë mjaft të konsiderueshme e zë dhuna, qoftë ajo fizike apo psikologjike. Këto format janë të papërshtatshme dhe shumë të dëmshme pasi dhe pasojat e tyre janë mjaft të rënda, shpesh të pariparueshme.
Në kontekstin Shqiptar edhe pse nuk ka të dhëna të dokumentuara, dhuna është përhapur dukshëm, madje ajo mund të konsiderohet edhe si mjet disiplinimi.
Koncepti i njerëzve për dhunën në përgjithësi përfshin vetëm aspektin fizik të saj, pasi ajo i ka pasojat dhe më të dukshme. Por edhe pse dhuna psikologjike nuk ka pasoja të dukshme apo të menjëhershme tek fëmija, ndikimi i saj është tepër i rëndë dhe neglizhimi akoma më i rëndë. Andaj edhe në këtë shkrim i gjithë fokusi do të vihet tek përdorimi i dhunës psikologjike, e cila është trajtuar shumë pak.
Të njihesh me format e saj të ndihmon t’i parandalosh ato para se të jetë vonë.
Format më të përdorshme dhe më të rënda të dhunës psikologjike janë si më poshtë:
 
·         Kërcënimi
Kërcënimi zakonisht përdoret si mjet dekurajues karshi personit të kërcënuar në mënyrë që ai të mos e kryejë një sjellje të caktuar.
Atmosfera e jetës familjare, shkollore dhe hapësira ndërmjet tyre është e mbushur me kërcënime. Fëmijët kërcënohen dhe mësojnë të kërcënojnë. Përdorimi i vijueshëm i tyre modelon psikologjikisht fëmijët për të zotëruar aftësitë e nevojshme për t’i përdorur kërcënimet kur dëshirojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi të tjerët. Ajo çka fëmijët nënkuptojnë nga kërcënimi është se ndaj një mjedisi kërcënues duhet të konfirmohesh dhe moskonformi sjell pasoja fizike e sociale të pakëndshme. Përdorimi i kërcënimeve si mjet për të ndikuar mbi fëmijët e mbush atë me mungesë sigurie. Një nga nevojat themelore psikologjike të fëmijëve është nevoja për siguri. Kërcënimet ndikojnë rënçëm në dëmtimin e klimës së sigurisë.
Një lloj i veçantë kërcënimi është kërcënimi jospecifik, ku hyn edhe kërcënimi me vdekje. Tingëllon si çuditshëm por realisht edhe ky lloj përdoret ndaj fëmijëve. Quhet jospecifik sepse nuk specifikon llojin e dhunës fizike që do të përdoret, por lë të nënkuptohet se si pasojë e kësaj dhune, do të vijë vdekja. Të tilla kërcënime janë: Do të të ngordh! Nuk do dalësh i gjallë që këndej! Do ta grijë mishin! Jua rregulloj unë qejfin! etj. Kur i lexon duken të frikshme dhe çdo prind mund të mendojë se asnjëherë nuk do e përdorte këtë gjuhë karshi fëmijës. Por kur nxehen dhe mërziten në një moment këto janë pikërisht fjalët e  pakontrolluara që rrëshqasin shpesh nga goja.
 
·         Të bërtiturit
Ngritja e zërit në realitetin e sotëm nuk përbën më një problem, pasi duket se është kthyer në diçka shumë të zakonshme në çdo ambient, qoftë ai publik apo jo.  Njerëzit e ngrenë zërin me qëllim që t’u imponohen të tjerëve. Fillimisht këto zakone mësohen në shtëpi e pastaj përdoren gjerësisht në çdo ambient tjetër. Natyrisht jo të gjithë bërtasin dhe jo të gjithë e bëjnë këtë gjë në të njëjtën kohë. Megjithatë fëmijët duket se e kanë asimiluar nevojën për ta ngritur zërin qysh në moshë të hershme. Njerëzve u duket sikur të bërtiturit nuk ka asnjë pasojë negative andaj përdorimi i saj nuk i duket problem.
 
·         Sharjet
Sharjet përbëjnë një dhunim të cilësive dhe karakteristikave të personalitetit të fëmijës.  Ndër to mund të përmendim: Fëmijë  i trashë! E ke zërin si gomar! Je i pa aftë në gjithçka etj.
Kur të rriturit apo dikush tjetër përdor sharjet, nënkupton se marrëdhënia midis tyre është e tensionuar, gjërat nuk po shkojnë mirë. Pra si rezultat mësimet që ata marrin nga sharjet janë tepër të hidhura. Vetëvlerësimi i tyre dëmtohet rëndë, fillojnë të mos kenë më besim tek vetja, izolohen dhe u humbet iniciativa.
 
·         Mallkimet
Mallkimet janë një model sjelljeje që përdoren rënçëm në familje, sidomos nga nëna. Mallkimet përfaqësojnë një përpjekje të njeriut të pafuqishëm për të ndikuar mbi diçka mbi të cilën ai nuk ka ndikim. Pafuqinë e vet ai e kompenson me mallkimin, i cili është vënie në përdorim e një urimi magjik që personit të caktuar t’i ndodhë një gjë e keqe. Nuk mallkojnë të gjithë prindërit: disa mallkojnë e disa jo. Është për t’u vënë në dukje se mallkojnë më së shumti nënat ndërsa baballarët nuk mallkojnë ose e bëjnë shumë rrallë.
Kjo shpjegohet me pafuqinë e gjinisë femërore për të ushtruar role disiplinuese në familje, por edhe më gjerë në shoqëri. Reagimi i fëmijëve ndaj mallkimeve është interesant: ata e dallojnë pafuqinë e mallkuesit dhe nuk i marrin seriozisht ato. Por mund të priten edhe reagime të tilla: fëmijët mund ti kapë paniku dhe të jetojnë me frikën e realizimit të mallkimit. Dhe të jetuarit me frikën e realizimit të mallkimit bën që fëmija asnjëherë mos të guxojë apo të marrë iniciativa në të ardhmen. Madje, tek fëmijët në moshë të vogël mallkimet mund të kthehen dhe në makth, pasi imagjinata e tyre fillon të ndërtojë imazhe të frikshme nëpërmjet këtyre mallkimeve. Mallkimet mund të mos përdoren shpesh, por atëherë kur përdoren lënë gjurmë të rënda në psikologjinë e fëmijës. Disa mallkime të zakonshme janë: thefsh qafën, të raftë pika, ta bëftë fëmija jot kështu si po ma bën ti mua etj.
 
·         Nofkat fyese
Edhe nofkat ashtu si elementët e mësipërm janë kthyer në diçka normale, madje janë në modë. Ato përdoren nga gjithkush kundrejt gjithkujt por më së shumti justifikohen nga konfidencialiteti. Më të përdorshme ato janë ndaj fëmijëve të moshave shkollore. Edhe pse atij që të etiketon me një nofkë i duket diçka argëtuese dhe asgjë për t’u preokupuar, në të vërtet fëmija të cilit i drejtohet ajo është shumë e rëndë. Pasi ajo që vihet në dukje dhe thumbohet është zakonisht diçka që ka të bëjë me kapacitetin intelektual të fëmijës. Zakonisht nofka e vë në dukje qartazi se ka kapacitet të ulët. Ai përmend një send, një objekt a një gjallesë e cila shquhet ose është simbol i kapacitetit të ulët, i mos zhvillimit. Një pjesë e nofkave ose e emrave me të cilat thirren fëmijët karakterizojnë sjellje të caktuara zakonisht të papëlqyera prej të rriturve si dembel ose mistrec.
Duke qenë se nofkat dhe etiketimet synojnë më së shumti kapacitetet personale të fëmijëve ato përbëjnë njëherësh edhe sulmin më serioz ndaj vetëvlerësimit personal. Ky është dhe efekti më i rëndë i përdorimit të tyre. Disa lloje nofkash më të përdorshme janë: xhuxh, karafil, kokëbosh, llasticë, budalla, mickë, fodull, hutaq, bullafiq, palluqe.
 
Megjithëse të gjitha këto forma dhunimi psikologjik kanë ndikim tepër negative tek fëmija, reagimi ndaj tyre gjithashtu varet dhe nga ambienti. Kur këto forma dhunimi bëhen në një ambient të mbyllur, veçmas, fëmijët reagojnë më lehtë ndaj tyre. Rrethana të cilën fëmijët e konsiderojnë me peshë është përdorimi publik i dhunës apo ndëshkimit. Ekspozimi në publik i formave të dhunës është shumë më i rëndë për fëmijët sesa vetë dhuna apo ndëshkimi.
 
Përgatiti: Suada Hajredinaj

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit