1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Shpirti i agjërimit në Islam

Më të lexuarat

Afif At- Tabbarah

 

Në arabisht me agjërim kuptojmë të përmbajturit nga diçka. Sipas dijetarëve myslimanë, agjërimi është  të përmbajturit nga ushqimi pija dhe marrëdhëniet intime që nga agimi deri në perëndimin e  diellit, duke shpresuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Parimet e agjërimit janë paraqitur në Kuranin fisnik si më poshtë:

“O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim ashtu siç u qe bërë obligim atyre që ishin para jush me qëllim që të bëheni të devotshëm. Agjëroni në ditët e caktuara, e kush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim, atëherë (le të agjërojë) aq ditë më vonë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim (ushqim ditor) i një të varfëri, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është më e mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju”. Al-Bekare 183-184

Ramazani është muaji në të cilin zbriti Kurani si udhëzim për njerëzimin, si dhe shenjë e qartë për udhëzim dhe gjykim (mes të mirës dhe të keqes). Kësisoj kushdo që e arrin atë (që sheh hënën e re), duhet ta kalojë atë në agjërim dhe nëse ndokush është i sëmurë apo në udhëtim, atëherë koha e caktuar duhet të përmbushet më vonë po aq ditë. Allahu kërkon lehtësim dhe nuk kërkon vështirësim për ju. Ai kërkon që ju të përmbushni kohën e caktuar, ta madhëroni Atë që ju udhëzoi; dhe ndoshta ju do të jeni mirënjohës.

Në ajetin: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim, ashtu siç u qe bërë obligim atyre që ishin para jush,” Allahu sqaron se agjërimi nuk është i ri në Ligjet e Shenjta; ashtu si ne, ai u ishte urdhëruar edhe  popujve të mëparshëm. Padyshim që kjo e qetëson zemrën, e lehtëson pranimin e agjërimit dhe e largon ndjenjën e bezdisë, pasi myslimanët nuk janë të vetmit njerëz, të cilëve u kërkohet të agjërojnë.

Pas kësaj Allahu shton: “që ju të bëheni të devotshëm”. Ky është dhe qëllimi i agjërimit. Njerëzit urdhërohen ta shohin agjërimin si një mjet për të mbrojtur vetet e tyre kundrejt cytjeve të këqija dhe djallëzore.

Agjërimi e mbron njeriun si individ dhe shoqërinë në tërësi. Ai e mbron njeriun që të mos kthehet në një kafshë, që jeton sipas ligjeve të xhunglës; ai gjithashtu e mbron shoqërinë,duke përgatitur individë të përkushtuar, që do të punojnë për të mirën e saj, duke jetuar kështu si njerëz mes njerëzve, dhe jo si kafshë të egra mes qenieve njerëzore.

Në lidhje me këtë, profeti (paqja qoftë mbi të) pohon: “Agjërimi është strehë. Kur ndonjëri prej jush agjëron, të mos sillet në mënyrë të pahijshme dhe qesharake. Nëse dikush kërkon ta ngacmojë dhe qortojë, le të thotë: “Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm!”

Agjërimi është strehë, në kuptimin se agjëruesi është i ndërgjegjësuar që agjërimi ka si qëllim që ta largojë dhe ta shmangë agjëruesin nga çdo e keqe dhe sjellje, që nuk shkon përkrah me natyrën e tij. Kur ai thotë: “Unë jam agjërueshëm!” ai është krejtësisht i vetëdijshëm se e thotë atë nën ndikimin e natyrës së tij njerëzore.

Kur ai e ruan veten e tij nga të këqijat e natyrës së tij kafshërore, dhe shoqërinë kundrejt vetë të këqijave të tij, ai fiton kënaqësinë e Allahut, dhe kështu radhitet në rreshtat e të devotshmëve. “Që të mund” këtu, mbart peshën e përgatitjes dhe gatishmërisë. Mënyra se si agjërimi përgatit shpirtin e agjëruesit për t’iu përkushtuar Allahut, manifestohet në çdo aspekt, ku më të rëndësishmen theksojmë: se si çështje personale agjërimi është lënë në bindjen e vetë agjëruesit, pa askënd që luan rolin e rojës mbi kokë, përveç Allahut të Lartësuar.

Kur agjëruesi u bindet urdhrave të Allahut, duke flakur mënjanë joshjet e dëshirave të  tij që i vijnë në mendje gjatë agjërimit, apo kur e stërvit veten e tij të jetë i durueshëm nga ndjenja se Allahu e shikon atë dhe di të gjitha të fshehtat e zemrës – kur ai vazhdon kështu përgjatë gjithë muajit (Ramazan), me këtë vetëdije të vazhdueshme që e shoqëron në çdo punë të tij, padyshim do të sigurojë një dhuratë të madhe nga Mbikëqyrja e Allahut ndaj tij, si dhe Frikën që ai ndjen ndaj Zotit të tij. Ai do të përpiqet t’u largohet të gjitha atyre gjendjeve të turpshme, në mënyrë që  Allahu të mos e shohë atje ku ai e ka të ndaluar të jetë. Mbikëqyrja e Allahut i jep forcë atij që të përmbushë dhe përsosë të gjitha veprat e mira dhe e largon atë nga çdo e keqe. Atëherë ai nuk do të mashtronte, nuk do të dëmtonte dhe nuk do t’u bënte padrejtësi të tjerëve; dhe as që do të shkaktonte çoroditje mes njerëzve.

Megjithatë, të ndaluarit e thjeshtë nga pija dhe ushqimi, nuk është kuptimi i vërtetë i agjërimit, nuk është ajo që Allahu ka urdhëruar për besimtarët. Profeti (a.s) thotë: “Allahu nuk e pranon agjërimin e atyre që nuk përmbahen nga thëniet dhe veprat e kota”.

E vërteta kryesore e agjërimit në Islam, vjen si pasojë e Mbikëqyrjes së Allahut ndaj agjëruesit si dhe shqetësimi dhe përkushtimi i këtij të fundit për të agjëruar vetëm për hir të Allahut. Lidhur me këtë, profeti (a.s) sqaron: “Allahu  do t’ua falë të gjitha mëkatet atyre që agjërojnë me  besim të plotë dhe që shpresojnë shpërblimin e Allahut në botën tjetër”.

Në të njëjtën mënyrë agjërimi e përgatit shpirtin e agjëruesit për t’iu përkushtuar Allahut, në sensin se agjërimi i zbeh dëshirat dhe instinktet, burimin e gjithë të këqijave.

Për këtë gjendje shpirtërore, profeti (a.s) thotë: “O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse kështu i kufizon shikimit drejt thjeshtësisë dhe mbron mitrat (e grave) nga qëllimet e këqija. E ata që nuk kanë mundësi, le të agjërojnë sepse agjërimi i ndalon epshet e tyre”.

Mirësitë dhe dobitë e agjërimit

Agjërimi sjell shumë dobi dhe mirësi, si në nivelin individual ashtu edhe në atë shoqëror. Prej këtyre dobive ne mund të përmendim ndjenjën e keqardhjes ndaj të varfërve. Kur një agjërues ndjen uri, ai kujton njerëzit që janë gjithmonë të uritur, gjë që e bën atë të ndjejë keqardhje për ata njerëz. Pas së gjithash, ndjenja e dhembshurisë lulëzon nga ndjenja ndaj dhimbjes, dhe agjërimi është një mundësi praktike për ta për t’i rritur këto ndjenja në shpirtin e tij. Kur ndjenjat e dhembshurisë ndaj të varfërve lindin në zemrat e të pasurve, parimet e tyre të brendshme humane, arrijnë një autoritet të dobishëm. Lidhur me këtë, transmetohet se profeti Muhamed (a.s) ishte më bujari nga të gjithë njerëzit, veçanërisht gjatë Ramazanit.

Për më tepër, agjërimi mbjell barazi mes të pasurve dhe të varfërve. Në një farë mënyre, ai është një përjetim i detyrueshëm i varfërisë, pasi nënkupton që të gjithë njerëzit kanë ndjenja të njëjta dhe jo të ndryshme si dhe dashuri mes njëri-tjetrit në sajë të një ndjenje dhembshurie kolektive, dhe jo nëpërmjet mosmarrëveshjeve apo ndryshueshmërisë së dëshirave.

Prej mirësive të tjera të agjërimit është se ai e zbeh forcën e veseve.

Urdhrat, që disa njerëz marrin nga veset, kanë arritur deri në ekstremin e robërimit. Nëse kur janë të uritur, një ushqim u serviret me vonesë, ata e humbin toruan. Ndikimet e stimuluesve si kafeja, çaji apo cigarja janë edhe më të fuqishëm tek fanatikët e tyre se sa ata të ushqimit.

Gjatë agjërimit ndodh edhe gdhendja e fuqisë së vullnetit. Njëherë një profesor gjerman shkroi një libër për forcimin e vullnetit, bazë të të cilit ai konsideron agjërimin. Në libër ai përmend se agjërimi është një mjet shumë i dobishëm për të mbjellë kontroll mbi shpirt dhe mbi trup, ku njeriu jeton nën kontroll të plotë ndaj vetes së tij, pa qenë skllav i dëshirave apo nevojave fizike.

Islami lehtëson vështirësitë e agjërimit

Mund të qëllojë që disa njerëz  të jenë të sëmurë gjatë muajit të agjërimit apo mund të jenë në një udhëtim të lodhshëm. Urtësia e Allahut do, që këtyre njerëzve t’u lehtësohen vështirësitë e agjërimit, dhe lidhur me këtë Ai urdhëron: “Nëse ndonjëri nga ju është i sëmurë apo në udhëtim, , atëherë le të agjërojë aq ditë më vonë nga periudha e caktuar.” El-Bakre 184

Këto njerëz mund t’i plotësojnë ditët që nuk kanë agjëruar , pas Ramazanit, kur mund ta përmbushin atë. Një udhëtari i lejohet ta prishë agjërimin

Më pas vijnë fjalët e Allahut: “Por për ata që mund ta bëjnë atë  (me vështirësi), është si shlyerje, mbajtja me ushqim e një të varfëri”. Një mundësi e tillë me vështirësi nënkupton të arriturit e më të mundshmes që një njeri mund të arrijë dhe arabët e përdorin këtë fjali vetëm kur njeriu është shumë i dobët për të bërë diçka, pra që vuan shumë në të vepruarit e asaj gjëje. Njerëzit që nënkuptohen në këtë ajet janë të moshuarit, të sëmurët, gjidhënëset, shtatzënat apo ata persona, sëmundja e të cilëve është vdekjeprurëse. Këta njerëz mund ta prishin agjërimin dhe për çdo ditë që ata nuk agjërojnë, duhet të mbajnë me ushqim njerëz të varfër aq sa mund të ushqehet një i rritur; dhe kështu t’i ruhen mallkimit.

Më pas Allahu shton: “Por ai që jep më shumë, nga vullneti i tij i lirë”- duke shtuar sasinë e shlyerjes së caktuar, duke ushqyer më shumë se një person i vetëm për çdo ditë që ai prish agjërimin apo duke kombinuar një agjërim tjetër me kuotën e caktuar- “është më mirë për të;” përfitimi dhe mirëbesimi i këtyre veprave do të jenë të tij, pas gjithë këtyre.

Ramazani është muaji në të cilin e zbrit Kurani si udhëzues për njerëzimin, si dhe shenja të qarta për udhëzim dhe gjykim (mes së mirës dhe të keqes) Kjo pjesë e ajetit specifikon periudhën e agjërimit që u kërkohet myslimanëve, ditët e Ramazanit. Urtësia që qëndron pas këtij muaji për këtë lloj adhurimi është se në këtë muaj ka zbritur Kurani.

 

Burimi: www.ardhmeriaonline.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit