1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Shpëtoje anijen nga fundosja

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Porosia ime për veten dhe për ju është që të jemi të devotshëm dhe ta kemi frikë Allahun e Lartësuar.
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعْ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا
“O ju që keni besuar! Plotësoni detyrimin ndaj Allahut dhe kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithnjë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë ju tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhamedit alejhi selam), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në xhenetin e begatshëm).” (Ahzab, 70-71)

Të nderuar muslimanë!
Allahu i Lartësuar na porosit që të ndjekim rrugën e korrigjimit dhe të përmirësimit, të rregullimit dhe të reformës, të riparimit dhe të meremetimit, të ujdisë dhe të rivendosjes e të largohemi nga rruga e copëtimit dhe e shpërbërjes, e degjenerimit dhe e bastardimit, e prapësisë dhe e së keqes, e dëmit dhe e krimit, e sëmundjes dhe e marrëzisë, e së ligës dhe e egërsisë.
Allahu na urdhëroi që të jemi faktorë konstruktivë të përmirësimit duke ndjekur rrugën e të Dërguarve të Allahut të Lartësuar. I Dërguari i Allahut, Shuajbi alejhi selam, iu drejtua popullit të tij me fjalët:
إِنْ أُرِيدُ إِلاَّ الإِصْلاَحَ مَا اسْتَطَعْتُ وَمَا تَوْفِيقِي إِلاَّ بِاللّهِ عَلَيْهِ تَوَكَّلْتُ وَإِلَيْهِ أُنِيبُ
“Unë vetëm dëshiroj përmirësimin për aq sa janë mundësitë e mia më të mira. Por këtë mund ta arrij vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij i jam mbështetur dhe Atij i kthehem me pendim.”
 (Hud, 88)

Po të njëjtën detyrë të përmirësimit dhe të rregullit e kishin të gjithë të Dërguarit e Allahut të Lartësuar. Muhamedi alejhi selam e këshilloi, e përmirësoi dhe e mësoi umetin e vet me një transparencë të pashembullt, duke ofruar edhe shembuj shumë të përshtatshëm, që i përgjigjeshin plotësisht realitetit. Zaten edhe shembujt e përmendur në Kuran motivojnë për të menduar dhe analizuar. Allahu i Lartësuar thotë:
وَتِلْكَ ٱلأَمْثَالُ نَضْرِبُهَا لِلنَّاسِ وَمَا يَعْقِلُهَا إِلاَّ ٱلْعَـٰلِمُونَ
“Dhe këta shembuj Ne i paraqesim për njerëzimin, por askush nuk do t’i kuptojë përveç të diturve 
(që kanë dijen për Allahun dhe për Fjalët e Tij).” (Ankebut, 43)

Të nderuar muslimanë!
Në vazhdim do të ndajmë hadithin në Sahihun e Buhariut, ku Numan b. Beshiri na tregon se Muhamedi alejhi selam ka thënë:
مَثَلُ ‏ الْقَائِمِ ‏ ‏فِي حُدُودِ اللَّهِ وَالْوَاقِعِ فِيهَا مَثَلُ قَوْمٍ ‏ ‏اسْتَهَمُوا ‏ ‏سَفِينَةً فَصَارَ بَعْضُهُمْ فِي أَسْفَلِهَا وَصَارَ بَعْضُهُمْ فِي أَعْلَاهَا فَكَانَ الَّذِي فِي أَسْفَلِهَا يَمُرُّونَ بِالْمَاءِ عَلَى الَّذِينَ فِي أَعْلَاهَا فَتَأَذَّوْا بِهِ فَأَخَذَ فَأْسًا فَجَعَلَ يَنْقُرُ أَسْفَلَ السَّفِينَةِ فَأَتَوْهُ فَقَالُوا مَا لَكَ قَالَ تَأَذَّيْتُمْ بِي وَلَا بُدَّ لِي مِنْ الْمَاءِ فَإِنْ ‏ ‏أَخَذُوا ‏ ‏ عَلَى يَدَيْهِ أَنْجَوْهُ وَنَجَّوْا أَنْفُسَهُمْ وَإِنْ تَرَكُوهُ أَهْلَكُوهُ وَأَهْلَكُوا أَنْفُسَهُمْ
“Shembulli i atij që tregon kujdes 
(merakoset) për kufijtë e Allahut dhe atij që bie në to (i shkel kufijtë), është sikur shembulli i disa njerëzve që kanë hipur në anije. Disa prej tyre janë vendosur poshtë dhe disa sipër. Ata që ishin vendosur poshtë, kur kishin nevojë për ujë ngjiteshin lart dhe kalonin pranë tyre, e kështu i pengonin. Atëherë njëri mori sëpatën dhe deshi ta hapte një vrimë. Iu afruan dhe i thanë: “Çka bën kështu?” “Unë kam nevojë për të marrë ujë, por kështu po ju pengoj (shqetësoj)(atëherë nëse të tjerët) E pengojnë (hapjen e vrimës), shpëtojnë të gjithë, po nëse e lënë, fundosen të gjithë.” (Buhariu)

Me këtë, Muhamedi alejhi selam na ilustron një shembull shumë të rëndësishëm dhe çdo musliman duhet të ndalet dhe të vrasë mendjen për këtë shembull duke marrë mësim. Ai na ofron një shembull krahasues. Shoqërinë të cilën po jetojmë e krahason me anijen, e cila përbëhet prej katesh. Mëkatarët dhe gjynahqarët kanë pasur fatin që të jenë në katin e fundit të anijes dhe është gjë e natyrshme që mëkatarët të jenë të ulët në këtë botë dhe në botën tjetër. Ata të cilët mëkatojnë nuk mund të fitojnë me këtë veprim nder dhe respekt:
وَمَن يُهِنِ ٱللَّهُ فَمَا لَهُ مِن مُّكْرِمٍ
“Atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta nderojë atë.”
 (Haxh, 18)
Ndërsa, shtresa tjetër e njerëzve të mirë dhe të sinqertë, e edukuesve dhe e përmirësuesve, do të jenë në katin e sipërm, më të lartë të anijes, pra të shoqërisë.
Prandaj shkelësit e kufijve të Allahut, gjynahqarët, kur dëshirojnë të marrin ujë, janë të detyruar të marrin leje prej shtresës tjetër, sepse këta nuk kanë zgjedhje dhe rrugëdalje tjetër. Atëherë njëri prej tyre propozoi që të hapnin një vrimë dhe kështu të arrinin deri tek uji me arsyetim se nuk dëshironin t’i pengonin. Padyshim që po të ndodhë kjo, do të fundoset anija, pra do të përfundojë shoqëria nga mëkatet, nëse ato tolerohen. Pikërisht për këtë, Muahmedi alejhi selam tha: (atëherë nëse të tjerët) E pengojnë (hapjen e vrimës) shpëtojnë të gjithë, po nëse e lënë, fundosen të gjithë.”

Të nderuar besimtarë!
Allahu i Lartësuar dërgoi Pejgamberë që t’ua mësojnë njerëzve besimin e pastër, njëshmërinë në Krijuesin Allah dhe t’i shmangin njerëzit nga idhujtaria, shirku, amoraliteti. Cilësi e besimtarëve të mirë është që të urdhërojnë në të mirë e të ndalojnë nga e keqja. Allahu i Lartësuar besimtarët i cilëson në këtë mënyrë:
وَٱلْمُؤْمِنُونَ وَٱلْمُؤْمِنَـٰتِ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاء بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِٱلْمَعْرُوفِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ ٱلْمُنْكَرِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُؤْتُونَ ٱلزَّكَوٰةَ وَيُطِيعُونَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُ
“Besimtarët dhe besimtaret janë Eulija 
(ndihmues, mbrojtës e miq) për njëri-tjetrin, ata u mishërojnë (njerëzve) El-Ma’ruf (Islamin dhe gjithë përmbajtjen e tij) dhe i ndalojnë (njerëzit) nga El-Munker (mosbesimi, dhe gjithçka tjetër që Islami ndalon), ata i kryejnë rregullisht e në mënyrë të përkryer faljet e përcaktuara ditore, japin Zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
Kurse cilësi e të prishurve, e hipokritëve, e dyfytyrëshave, është e kundërta e të parëve. Ata e pengojnë të mirën dhe urdhërojnë në të keqe, Allahu i Lartësuar na tregon për këta:
ٱلْمُنَـٰفِقُونَ وَٱلْمُنَـٰفِقَاتُ بَعْضُهُمْ مّن بَعْضٍ يَأْمُرُونَ بِٱلْمُنكَرِ وَيَنْهَوْنَ عَنِ ٱلْمَعْرُوفِ وَيَقْبِضُونَ أَيْدِيَهُمْ نَسُواْ ٱللَّهَ فَنَسِيَهُمْ إِنَّ ٱلْمُنَـٰفِقِينَ هُمُ الْفَـٰسِقُونَ
“Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri; ata u urdhërojnë njerëzve El-Munker 
(të keqen, mohim e politeizëm, gjithçka që ka ndaluar Islami) dhe i ndalojnë ata nga El-Ma’ruf (e drejta, besimi Islam dhe urdhrat e tij), pastaj i shtrëngojnë duart e tyre (duke mos dhënë Sadaka, Zekat e duke mos shpenzuar në Çështjen e Allahut). Ata e kanë harruar Allahun, kështu që edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë që hipokritët janë Fasikunë (të pabindur e të panënshtruar ndaj Allahut).” (Tevbe, 67)

Të nderuar!
Sot po manifestohen haptas dukuritë negative në shoqëri. Në mënyrë shumë të hapur ushtrohet e keqja, padrejtësia, mëkati, mendjemadhësia, imoraliteti… Kur u tërhiqet vërejta, ata thonë: “Ne jemi të lirë të veprojmë dhe kjo është pjesë e lirisë sonë. Ja, kështu po i shohim të tjerët duke vepruar, apo kështu i kemi gjetur.”
وَإِذَا فَعَلُواْ فَـٰحِشَةً قَالُواْ وَجَدْنَا عَلَيْهَا ءابَاءنَا وَٱللَّهُ أَمَرَنَا بِهَا قُلْ إِنَّ ٱللَّهَ لاَ يَأْمُرُ بِٱلْفَحْشَاء أَتَقُولُونَ عَلَى ٱللَّهِ مَا لاَ تَعْلَمُونَ
“Dhe kur kryejnë Fahisha 
(vepra të ulëta e të shëmtuara si sjellja rreth Kabës të zhveshur, lloje të ndryshme marrëdhëniesh të paligjshme me gra etj.) thonë: “Ne kështu i gjetëm të veprojnë edhe baballarët tanë e (për më tepër) Allahu na ka urdhëruar për të.” Thuaju (O Muhammed): “Jo, kurrë Allahu nuk urdhëron turpin. A mos thoni për Allahun gjëra që aspak nuk i dini?” (Arafë, 28)

Duhet të kemi parasysh se atëherë kur lihet urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja vijnë pasojat dhe dënimet kështu u shkatërruan popujt e mëparshëm. Ata u shkatërruan për shkak zullumit, kufrit, mos urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, mendjemadhësisë, përbuzjes dhe injorimit të të mirave të Allahut, dhënies së tepërt pas kësaj bote, imoralitetit, degjenerimit.
Duhet të ndalemi dhe të mendojmë për përshkrimin e ngjarjeve të popujve të mëparshëm dhe për shkatërrimin e tyre, që të marrim mësim. Ata i mohuan argumentet e Allahut, përgënjeshtruan të Dërguarit e Allahut, u dhanë pas imoralitetit dhe përfunduan në shkatërrim. Po edhe ky popull nuk është më i mirë dhe më i nderuar se të tjerët, nuk është më i zgjedhur dhe mos ta dënojë. Atëherë kur nuk përfillen mësimet e Allahut, vjen dënimi, belaja, sprova.

وَكَمْ أَهْلَكْنَا مِنَ ٱلْقُرُونِ مِن بَعْدِ نُوحٍ وَكَفَىٰ بِرَبّكَ بِذُنُوبِ عِبَادِهِ خَبِيرَا بَصِيرًا
“Dhe sa shumë breza kemi shkatërruar Ne pas Nuhut! Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt në Dijeni të Plotë, Gjithëvëzhgues për gjynahet e robërve të Tij.”
 (Isra: 17)

وَتِلْكَ الْقُرَى أَهْلَكْنَاهُمْ لَمَّا ظَلَمُوا وَجَعَلْنَا لِمَهْلِكِهِمْ مَوْعِدًا
“Ne i shkatërruam kur ata punuan padrejtësi e poshtërsi, por Ne vendosëm për ta afat të caktuar për shkatërrimin e tyre.”
 (Kehf: 59)

لُعِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِنْ بَنِي إِسْرَائِيلَ عَلَى لِسَانِ دَاوُدَ وَعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ ذَلِكَ بِمَا عَصَوْا وَكَانُوا يَعْتَدُونَ.كَانُوا لَا يَتَنَاهَوْنَ عَنْ مُنْكَرٍ فَعَلُوهُ لَبِئْسَ مَا كَانُوا يَفْعَلُونَ.
“Ata nga Bijtë e Israilit të cilët nuk besuan, u mallkuan nga goja e Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Kjo ngaqë ata nuk u bindën 
(ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij) dhe gjithnjë i tejkalonin të gjithë kufijtë. Ata asnjëherë nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga Munkeri (e keqja, mosbesimi, besimi i rremë) që ata gjithnjë vepronin. E poshtër vërtet ishte ajo që ata gjithnjë vepronin.” (Maide: 78-79)

Nëse biem edhe ne në atë që kanë rënë ata, padyshim se rezultati do të jetë i barabartë. Në radhët tona gjenden të gjitha shkaqet e shkatërrimit dhe të gjitha standardet janë plotësuar.

إِنَّ اللَّهَ لاَ يُغَيّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيّرُواْ مَا بِأَنفُسِهِمْ وَإِذَا أَرَادَ اللَّهُ بِقَوْمٍ سُوءا فَلاَ مَرَدَّ لَهُ وَمَا لَهُمْ مّن دُونِهِ مِن وَال .
“Sigurisht që Allahu nuk do të ndryshojë 
(për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që është mosmirënjohës e i pabindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë ta ndryshojnë atë për mirë (duke ndryshuar shpirtin e tyre dhe punët e tyre). Por kur Allahu do ndëshkimin e një populli, nuk ka më kthim mbrapa të tij dhe as nuk do të gjejnë përveç Tij mbrojtës tjetër.” (Rad: 11)

Të nderuar muslimanë!
Dënimi me të cilin i ka kërcënuar Allahu i Lartësuar popujt e ndryshëm është premtim i vërtetë, i cili do të realizohet, edhe nëse vonohet. Është ligj i vendosur. Këto ligje nuk e përjashtojnë e as nuk e amnistojnë askënd që e meriton dënimin. Allahu nuk bën padrejtësi ndaj askujt:
إِنَّ ٱللَّهَ لاَ يَظْلِمُ ٱلنَّاسَ شَيْئًا وَلَـٰكِنَّ ٱلنَّاسَ أَنفُسَهُمْ يَظْلِمُون
“Padyshim që Allahu nuk i bën padrejtësi aspak njerëzimit, por njerëzimi i bën padrejtësi vetes së tij.” 
(Junus: 44)
Është ligji i Allahut mbi njerëzit, nëse përhapen mëkatet dhe nuk i ndryshojnë, atëherë të gjithë ata dënohen. Muhamedi alejhi selam thotë:
مَا مِنْ قَوْمٍ يُعْمَلُ فِيهِمْ بِالْمَعَاصِي ثُمَّ يَقْدِرُونَ عَلَى أَنْ يُغَيِّرُوا ثُمَّ لَا يُغَيِّرُوا إِلَّا يُوشِكُ أَنْ يَعُمَّهُمْ اللَّهُ مِنْهُ بِعِقَابٍ
“Nëse në një popull ushtrohen mëkatet, e ata kanë mundësi t’i ndryshojnë 
(pengojnë), mirëpo nuk i ndryshojnë, së shpejti Allahu do t’i përfshijë të gjithë me dënim.” (Transmeton Ebu Davudi)

Muhamedi alejhi selam po ashtu ka thënë:
يَا مَعْشَرَ الْمُهَاجِرِينَ خَمْسٌ إِذَا ابْتُلِيتُمْ بِهِنَّ وَأَعُوذُ بِاللَّهِ أَنْ تُدْرِكُوهُنَّ
“O ju muhaxhirë! Me pesë, gjëra nëse sprovoheni me to, me të cilët unë kërkoj strehohem te Allahu nga takimi (sprovimi) i tyre:

لَمْ تَظْهَرْ الْفَاحِشَةُ فِي قَوْمٍ قَطُّ حَتَّى يُعْلِنُوا بِهَا إِلَّا فَشَا فِيهِمْ الطَّاعُونُ وَالْأَوْجَاعُ الَّتِي لَمْ تَكُنْ مَضَتْ فِي أَسْلَافِهِمْ الَّذِينَ مَضَوْا
1- Nëse përhapet imoraliteti në një popull dhe e publikojnë, tek ata përhapet mortaja dhe sëmundjet që s’kanë qenë te popujt e mëhershëm.

وَلَمْ يَنْقُصُوا الْمِكْيَالَ وَالْمِيزَانَ إِلَّا أُخِذُوا بِالسِّنِينَ وَشِدَّةِ الْمَئُونَةِ ‏ ‏وَجَوْرِ ‏ ‏السُّلْطَانِ عَلَيْهِمْ
2- Nëse vidhni në peshore dhe matje, do të vijë thatësia, jeta e vështirë dhe zullumi i pushtetarit.

وَلَمْ يَمْنَعُوا زَكَاةَ أَمْوَالِهِمْ إِلَّا مُنِعُوا ‏ ‏الْقَطْرَ ‏ ‏مِنْ السَّمَاءِ وَلَوْلَا الْبَهَائِمُ لَمْ يُمْطَرُوا
3- Nëse nuk japin zekatin, u ndalet shiu nga qielli. Po të mos ishin bagëtia, nuk do të binte shi.

وَلَمْ يَنْقُضُوا عَهْدَ اللَّهِ وَعَهْدَ رَسُولِهِ إِلَّا سَلَّطَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ عَدُوًّا مِنْ غَيْرِهِمْ فَأَخَذُوا بَعْضَ مَا فِي أَيْدِيهِمْ
4- Nëse e prishni marrëveshjen e Allahut dhe të Pejgamberit, atëherë Allahu lë që t’ju sundojë armiku i huaj, e ua marrin një pjesë të asaj që e keni në duar.

وَمَا لَمْ تَحْكُمْ أَئِمَّتُهُمْ بِكِتَابِ اللَّهِ وَيَتَخَيَّرُوا مِمَّا أَنْزَلَ اللَّهُ إِلَّا جَعَلَ اللَّهُ بَأْسَهُمْ بَيْنَهُمْ
5- Nëse të parët e tyre nuk gjykojnë me Librin e Allahut dhe përzgjedhin nga ajo që kemi shpallur, Allahu e fut luftën mes tyre.”
 (Transmeton Ibn Maxheja)

Të nderuar besimtarë!
Në çdo vend ku janë përhapur gjynahet ka pasuar dënimi dhe poshtërimi i Allahut mbi mëkatarët. Mosgoditja e disave nuk do të thotë se Allahu harron, e as që ata nuk janë më të mirë se tjerët. Ndoshta Allahu ua ka vonuar dënimin që ata të marrin mësim. Kujtoni të gjitha këto dhe pendohuni tek Allahu të gjithë, se Ai fal shumë.
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونََ
“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun ashtu siç duhet pasur frikë Atë dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë 
(besimdrejtë e plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut).” (Ali Imran, 102)
Allahun e lusim me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta të na përforcojë me fjalët “la ilahe il Allah” në këtë jetë dhe në jetën pas saj.

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu

  15.6.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit