Derisa Kina po vazhdon të përballet me HMPV, i njohur si metapneumovirusi njerëzor, ekspertët shëndetësorë kanë filluar të ngrisin alarmin për kujdes, në mënyrë që kjo sëmundje e re infektive të mos shndërrohet në një pandemi, ashtu siç kishte ndodhur me COVID-19, i cili po ashtu kishte shpërthyer fillimisht në Kinë gjatë vitit 2019.
Infektologu Hamdi Ramadani, në një prononcim për Telegrafin, deklaroi se ky virus është i njohur që nga viti 2000. Ai po ashtu tha se ky virus prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes.
“Juve e dini që tash e sa ditë është duke u paraqitur, mendoj, një sëmundje e re infektive, ta quajmë një epidemi e cila mendoj epiqendrën apo fokusin kryesor e ka në Kinë. Pra, tash e sa ditë atje është paraqitur një sëmundje epidemike, mendoj një shpërthim i madh epidemik. Në Kinë, nga një virus, një lloj virusi që në mjekësi quhet si HMPV virus ose Human Metapneumovirus. Ky virus, ose shkaktari i tij, bën pjesë në grupin e viruseve të frymëmarrjes ose respiratorëve dhe ky virus është i njohur që nga viti 2000, 2001, së pari në Holandë, pastaj edhe në vendet e tjera, por nuk ka paraqitur ndonjë sëmundje të madhe”, theksoi ai.
Ramadani theksoi se autoritetet kineze, tash e sa ditë kanë lajmëruar dhe paraqitur të dhëna për këtë virus.
Gjithashtu, ai foli edhe për grupmoshat që preken më së shumti nga ky virus.Infektologu Hamdi Ramadani
“Më së shumti atakohet ose sulmohet grupmosha fëmijërore, fëmijët para moshës shkollore deri në pesë, ose shtatë vjet. Dhe normalisht edhe moshat e tjera. Atje tashmë po shohim një situatë të rëndë emergjente me shumë të sëmurë, të shtrirë në spital, që po hospitalizohen, pra dhe me ndryshime të shenjave klinike ose simptomatologji të rëndë, me probleme me frymëmarrje. Një numër i madh i këtyre rasteve po trajtohet në kujdesin intensiv me asistencë oksigjeno-terapie dhe terapi shtesë”, shtoi ai.
Infektologu Ramadani tha se edhe para pesë viteve në Kinë kishte shpërthyer virusi COVID-19, prandaj ekziston shqetësimi tani.
“Meqenëse ju e dini tash e pesë vite në Kinë shpërtheu një epidemi e cila, mas një kohe të shkurtër, kaloi në formën e një pandemie, në një emergjencë globale. Bëhet fjalë për COVID-19. Atëherë rreziku dhe shqetësimi është edhe tani i madh. Për faktin se edhe kjo sëmundje epidemike që ka prapë mendoj vatrën ose fokusin në Kinë, që tash po quhet si virus kinez, është e mundshme që ky HMPV të përhapet”, theksoi ai.
Ramadani deklaroi se ky virus mund të paraqitet tashmë edhe në vendet e tjera.
“Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur sëmundjen me virusin HMPV, pra një virus respirator dhe atje gjithashtu ka disa të sëmurë. OBSH ka dhënë informacion disa ditë më parë. E dini edhe ju se shëndetësia nuk po tregon që këta të sëmurë, qoftë në Kinë, por edhe këtu në SHBA, kanë një simptomatologji të rëndë. Mendoj se sëmundja megjithatë nuk duket që do të kalojë në nivelin e një pandemie”, shtoi ai.
Megjithatë, Ramadani tha se situata duhet të monitorohet, pasi Kina ka shumë banorë, prandaj edhe përhapja mund të bëhet shpejt.
“Mbetemi ta monitorojmë situatën se çka po ndodh këto ditë, ose këto dy javë të fundit në Kinë, dhe a po paraqitet edhe në vendet e tjera. Gjasat janë shumë të mëdha që ky virus do të paraqitet edhe në vendet e tjera dhe ato do ta lajmërojnë në javët në vijim, sepse Kina është një vend i madh me miliona banorë, dhe lëvizja e qytetarëve mund të shkaktojë që një i sëmurë me HMPV ta transmetojë sëmundjen tek një person i ekspozuar”, tha ai.
Sa i përket simptomave, Ramadani tha se pacientët e prekur nga ky virus kryesisht kanë temperaturë, kollitje, ndihen të lodhur dhe kanë dhimbje të muskujve dhe nyjave.
“Edhe pse virusi quhet vetëm pneumovirus, që do të thotë se problemet kryesore ose parësore janë në aparatin respirator, në qelizat epiteliale dhe i dëmton ato. Ky virus depërton shumë lehtë edhe në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, duke shkaktuar pneumoni, një prej ndërlikimeve. Pastaj mund të paraqiten ndryshime të mundshme si astma, bronkit obstruktiv ose ndryshime të tjera”, theksoi ai.
Ramadani shtoi më tej se “për këtë arsye, në një vend të vogël, duhet me përkujdesje të madhe të ndiqen rekomandimet dhe të dhënat e OBSH-së këto ditë”.
“Tani mendoj se autoritetet e Kinës do të jenë më kooperative dhe bashkëpunuese, krahasuar me vitin para pesë viteve, kur ishin të mbyllur dhe dërgonin pak të dhëna për pandeminë e COVID-19. Ata do të merren me masa më të ngritura dhe më të kujdesshme, që sëmundja të mos kalojë në një pandemi ose në një emergjencë globale”, përfundoi ai.
Infektologu tha se duhet të përdoren masa të përgjithshme si dezinfektimi, anti-epidemike, dhe të mbahen higjiena e duarve dhe pastrimi i vendeve.
“Duhet të jenë sa më shumë të pastruara, pra higjiena e duarve dhe vendet duhet të jenë të dezinfektuara ose të ajrosura, dhe sigurisht që mendoj duhet të ndjekim situatën në vijim”, tha ai.
Ramadani ritheksoi se fëmijët janë ata që kryesisht preken nga ky virus, dhe po ashtu moshat e shtyra dhe ata që kanë ndonjë sëmundje tjetër dhe qytetarët me sistem imunitar të dobët.
“Janë këto katër grupmoshat më të rrezikuara”, theksoi ai.
Sipas infektologut, në muajt e ardhshëm të pranverës është mundësia më e madhe për paraqitjen e këtij virusi.
“Sa i përket trajtimit mjekësor, është kryesisht terapia e mbështetjes, si pushimi i shtratit dhe mbështetje për pacientët me komplikime respiratore, si pneumonia dhe të tjera. Ata duhet të hospitalizohen dhe të trajtohen si për pneumoninë, ashtu siç ndodh edhe tek COVID-19 ose virusi i gripit”, përfundoi ai.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka publikuar një seri udhëzimesh dhe informacionesh mbi Metapneumovirusin Njerëzor (hMPV), pas një rritje të mundshme të rasteve në disa rajone.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet shëndetësore, HMPV është një virus respirator që shpesh përhapet gjatë periudhës së dimrit, dhe ka simptoma të ngjashme me ato të një të ftohti të zakonshëm.
“Përhapja e këtij virusi ndodh kryesisht përmes pikave të kollës dhe teshtitjes, si dhe kontaktit të ngushtë me individë të infektuar,” thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
IKShPK thekson tutje se MetaPneumovirusi është një patogjen respirator që mund të shkaktojë bronkit ose pneumoni, sidomos te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe ata që kanë imunitet të dobësuar. /Telegrafi/