Nexhmedin Spahiu
Në Drenicë tregohet një mesele kur janë takuar Cari e Sulltani e kanë diskutuar se çfarë kryen më shumë punë në politikë “e lemja” (talenti) apo “e blemja” (shkolla, trajnimi)?. Cari na paskësh thënë se është “e blemja”, kurse Sulltani na paskësh thënë se është “e lemja”.
Cari, për të argumentuar pohimin e vet, na paskësh urdhëruar majmunin e trajnuar që t’ju shërbejë me kafe. Sulltani, duke ditur dobësinë e majmunit, paskësh nxjerrë nga kutia një miush dhe majmuni paska hedhur për toke tabakanë me kafetë e Carit dhe Sulltanit dhe na qenka sulur pas miushit.
Kështu edhe mund të shpjegohet suksesi i Kryeministrit Thaçi për t’i vënë në kurth rivalët e vet politikë. Madje, mund të thuhet se atij më shumë i rregullojnë punë rivalët e vet sesa bashkëpartiakët e tij.
Për këtë dhunti ishte shquar një kushëri i largët i Hashim Thaçit, Ahmet Zogu, i cili duke përdorur po këto shkathtësi arriti të bëhet mbret i Shqipërisë.
Jo rrallë, Zogu, kur ndodhej në situata të vështira politike, ishin rivalët e tij ata që e nxirrnin nga kriza.
Hashim Thaçi u ndodh në një situatë të vështirë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Daçiqin. Ky i fundit çdo ditë e më shumë po i ngre pazarin duke i bërë me dije opinionit se nënshkrimi i marrëveshjes ishte vetëm një tallje me Thaçin.
Sikur mos të mjaftonte kjo, pikërisht në këtë kohë, Thaçin e gjet edhe telashi brenda partisë së tij: paralajmërimi i braktisjes nga ana e dyshit (Jakup Krasniqi) e treshit (Fatmir Limaj) të deridjeshëm në partinë e tij.
Kur pritej që rivalët më të thekët të Hashim Thaçit: Vetëvendosja, dhe intelektualët rreth Veton Surroit, t’i hidheshin në qafë, Thaçi përmes Vlora Çitakut u “hodhi miushin” dhe këta e harruan Hashim Thaçin dhe u morën me hoxhën e Prizrenit, Irfan Salihu.
Kësisoj, Vlora Çitaku prodhoi temë përmes së cilës i futi në sherr shumicën e deputeteve femra nga radhët e opozitës.
Derisa po zhvillohet ky debat, Hashim Thaçi ka komoditetin t’i paraqes të dy palët si ekstremistë me të cilët “është në hall qeverisja e tij demokratike”. Njërën palë si fundamentalistë fetarë dhe palën tjetër si fundamentalistë politikë. Derisa këta shkëmbejnë sharje, fyerje e kërcënime mes veti, Thaçi takohet me zëvendëspresidentin amerikan Biden dhe me shefin e CIA-s.
Fjalimi i hoxhës Irfan Salihu në fakt ishte një predikim që zakonisht e bëjnë edhe hoxhallarët tjerë, edhe priftërinjtë, edhe rabinët.
Në fakt, në çështjen për të cilën predikonte hoxha i Prizrenit, islami është më liberal se krishterimi e judaizmi. Te katolikët, ta zëmë, jo vetëm që nuk lejohet jeta seksuale para martese, por nuk lejohet as edhe shkurorëzimi. Në islam nuk lejohet kurvëria, por lejohet shkurorëzimi. Lejohet edhe dalja nga kurvëria, kthimi në rrugën e Zotit. Vetë profeti Muhamed ishte i martuar me grua të vejë.
E vërtetë se hoxha i Prizrenit duke tentuar t’i tregonte gjërat sa më thjeshtë, kishte sharruar në shkarje. Thoshte se femrat e shthurura duhet të hidhen si meçkat. Hoxha harronte se islami është fe që nuk lejon keqtrajtimin e kafshëve. Kjo ishte një shkarje e hoxhës, por këso shkarje bëjmë shpesh të gjithë ne. Edhe hoxha është njeri dhe gabon. Në fund secili paguan çmimin për gabimet e veta. Vetëm gabimet e politikanëve i paguajnë edhe ata që kanë votuar për ta.
Kur isha në Izrael, takova një rabin, të cilin ma prezantuan si njeri të moderuar. Pretendimi i tij ishte se femrat arabe janë më të shthurura se femrat hebrenje dhe këtë e argumentonte me frekuencën e predikimeve lidhur me këtë çështje. Po më thoshte se imami në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem u flet shumë rrallë xhematit për atë se është mëkat jeta seksuale para martesës, krahasuar me predikimet e tij në sinagogën e tij.
I pata pyetur disa nxënës serbë se çfarë u mësojnë priftërinjtë ortodoksë serbë që paguhen nga Qeveria e Republikës së Kosovës kur ua mësojnë edukatën fetare në shkollat serbe në Kosovë. E dini se cila ishte përgjigja? Na thonë që të mos hamë shumë, që ta ndërpremë ushqimin para se të ngopemi dhe se vajzat e krishtera janë më të ndershme se ato myslimane.
Si duket, Vlora Çitaku, as edhe deputetet tjera, nuk çajnë kokën pse fyhen femrat myslimane nga priftërinjtë që marrin rrogë nga buxheti i Kosovës.
Sidoqoftë, fjalimi i hoxhës së Prizrenit nuk meritonte më shumë se ndonjë reagim të shoqatave për mbrojtjen e kafshëve apo edhe ndonjë qortim prej ndonjë kolegu të tij që do t’i përkujtonte se feja islame ndalon keqtrajtimin e kafshëve, përshirë këtu edhe meçkat.
Në gjithë këtë mesele ajo që u godit në mënyrën më të vrazhdë qe deputetja Alma Lama. Reagimi i saj u përcoll me fyerje jo vetëm për të, por edhe për vendin e saj të origjinës, gjëra këto që nuk duhet t’i lejojmë si shoqëri.
Dikush mund të pajtohet me të, e dikush mund të mos pajtohet me të, por ajo nuk guxon të fyhet. Ajo përfaqëson mijëra qytetarë, sepse nuk është zgjedhur me vota të vjedhura si shumë deputetë tjerë. Shumë nga këto vota ajo mund të mos t’i ketë më në zgjedhjet e ardhshme, pikërisht për shkak se ra në grackën e Vlora Çitakut, apo edhe për shkak se tregoi një antipati për predikuesit e fesë, por edhe mund të marrë vota nga ata që nuk e kanë votuar herën e parë pikërisht për këtë paraqitje të saj. Kjo mbetet të shihet.
Secili politikan e paguan çmimin për atë që bënë. Duhet të pranojmë se edhe të pafetë janë pjesë e shoqërisë sonë, edhe pse Neni 9 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë se “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”.
Përfundimi i kësaj meseleje është se derisa intelektualët rreth Veton Surroit kanë kryer shkolla dhe shesin imazhin e Perëndimit, derisa shumë hoxhallarët kanë bërë shkolla me famë në Lindje, krejt këto dalin të “bleme” përballë të “lemes” (talentit të lindur) të Hashim Thaçit, i cili ua hedhë miushin sa herë rrezikohen interesat e tij./N.S./kohaislame