Më në fund, pas shumë vitesh me një shkollë të rrënuar, edhe vogëlushët e Tujanit do të mund të ndjekin ëndrrat e tyre. Dje në Ditën e Mësuesit, Shoqata Kulturore “Gruaja” u ka dhuruar këtyre fëmijëve një shkollë të re, tërësisht të rikonstruktuar.
Në fshatin Tujan të Njësisë Administrative Dajt, në Bashkinë e Tiranës, është inaguruar shkolla e rikonstruktuar e këtij fshati, bashkë me kopshtin dhe ambulancën, ku mund të marrin ndihmën e parë mjekësore i gjithë komuniteti.
Dita e Mësuesit mblodhi në mjediset e reja të kësaj shkolle nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues të Shoqatës Kulturore “Gruaja”.
Me kërkesë të autoriteteve të Njësisë Administrative Dajt, me një fond të veçantë nga Shoqata Kulturore “Gruaja” u bë e mundur kjo ndërhyrje në këtë godinë, pasi ambientet e saj ishin tejet të amortizuara dhe të papërshtatshme që mësimi të zhvillohej normalisht. Punimet për këtë rikonstruksion u kryen në kohë rekord brenda gjithë parametrave bashkëkohore.
Në inagurimin e mbajtur me këtë rast, të pranishmit i përshëndeti administratori i Njësisë Administrative Dajt, z. Kujtim Qefalia, i cili i uroi nxënësit dhe mësuesit për shkollën e re dhe e falënderoi Shoqatën Kulturore “Gruaja” për mbështetjen e saj në përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
Përshëndeti të pranishmit gjithashtu edhe drejtori i shkollës 9-vjeçare Tufinë dhe njëkohësisht i shkollës fillore Tujan, z. Dilaver Cani. Ai falënderoi dhe përgëzoi SHKG për punën e saj dhe e ftoi në bashkëpunime të tjera të frytshme.
Deputeti i zonës, z. Xhemal Qefalia, në fjalën e tij vlerësoi investimin e Shoqatës Kulturore “Gruaja” dhe shprehu gadishmërinë për të qenë së bashku me administratorin e njësisë Dajt, por edhe me drejtues të tjerë të qeverisjes vendore, për më shumë investime në arsim.
Për znj. Arjeta Pelinku, nëndrejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”, ky investim është jo vetëm serioz, por edhe dëshmi e vendosmërisë për t’i kushtuar rëndësi edhe më të madhe arsimit dhe edukimit të brezave. “Ne zgjodhëm të bëhet ky inaugurim Ditën e Mësuesit, pasi ata mbjellin filizat e së nesërmes! Ngase kërkimi i diturisë së dobishme është i shenjtë, atëherë mësimi i të tjerëve është edhe më i shenjtë. Gjendja e arsimit tek një popull reflekton pasqyrën më reale të suksesit të tij. Një popull është i shëndoshë, kur edhe arsimi është i shëndoshë.”
Pas prerjes së shiritit të inaugurimit, të pranishmit vizituan ambientet e reja të shkollës që tashmë kanë një pamje të re dhe të gjitha kushtet për zhvillimin e mësimit. Të pranishmit u përshëndetën nga afër me nxënësit dhe mësuesit dhe iu uruan atyre suksese në misionin e tyre fisnik.
Për të gjithë nxënësit dhe fëmijët e kopshtit u dhuruan mjete mësimore e didaktike si dhe u shtrua një drekë e përbashkët.
Gëzimi i 7 Marsit sot u kthye në një gëzim për të gjithë njësinë administrative Dajt, pasi nxënësit e shkollës së Tujanit tashmë do të kenë një godinë të re dhe me të gjitha kushtet bashkëkohore dhe optimale për zhvillimin e mësimit.
Shkolla e Tujanit nuk është i pari objekt që restaurohet nga Shoqata Kulturore “Gruaja”, por është vazhdimësi e projekteve të saj sociale që u mundësuan nga donatorët fisnik, me qëllim ardhjen në ndihmë dhe zhvillimin pozitiv të komunitetit.
SHKOLLA PARA RIKONSTRUKSIONI:
SHKOLLA GJATË PUNIMEVE:
PAMJE NGA DITA E INAGURIMIT: