-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shkup, vazhdon edhe këtë vit tradita e leximit të mukabeles

Më të lexuarat

Xhamia Dyqanxhik në Shkup për vite të tëra e ka ruajtur traditën e mukabeles dhe edhe këtë vit me ardhjen e Ramazanit do ta vazhdojë

SHKUP (AA) – CÜNEYD DAVUT – Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, së bashku me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, nëpër xhami filloi leximi i mukabeles. Mukabeleja ka kuptimin e “leximit reciprok, dhënies reciproke” dhe ka filluar me leximin reciprok nga Muhamedi (a.s) dhe Xhibrili të ajeteve të Kur’anit që janë zbritur deri në atë kohë, ndërkohë që muslimanët e Shkupit atë e kanë vazhduar si një traditë.

Xhamia Dyqanxhik në Shkup për vite të tëra e ka ruajtur traditën e mukabeles dhe edhe këtë vit me ardhjen e Ramazanit do ta vazhdojë.

Imami i xhamisë, Abdulkerim Ebibi, duke folur për AA, tha se Ramazani është muaji i Kur’anit dhe se ai është libri i cili duhet lexuar dhe dëgjuar më së shumti në këtë muaj të bekuar.

Duke u shprehur se leximi i mukabeles nëpër xhami është traditë shumë e mirë e cila ka ngelur nga periudha Osmane, Ebibi tha se “Në vitet ’80-të, në të gjitha xhamitë e Maqedonisë, në krye me xhamitë e Shkupit, pas çdo namazi të drekës dhe ikindisë hafëzllarët lexonin mukabele.”

Imami i xhamisë Dyqanxhik vuri në pah se tradita e mukabeles në Maqedoni ishte ndërprerë për arsye të ditura, duke u shprehur se “Që nga vitet ’90-të e deri në përfundim të shekullit lindën debate serioze rreth asaj se tradita e mukabeles është risi fetare (bid’at). Ky ritual i mirë, mukabeleja, pësoi ndërprerje prej 20-25 vitesh për shkak të termit ‘bid’at’ dhe atë periudhë u bënë shumë përpjekje kundër kësaj.”

Ai theksoi se problem tjetër në periudhën e ndërprerjes së mukabeles ishte edhe numri i vogël i hafëzllarëve që erdhi si rezultat i ndërrimit jetë të shumë mësuesve që edukonin hafëzllarë në Shkup, qytet ky që është i njohur me hafëzllarët e tij. “E falënderoj Zotin që në pesë vitet e fundit është rritur interesimi për hafëzllëk, pra, të rinjtë që dëshirojnë të bëhen hafëz po shtohen”, tha Ebibi, duke uruar që mukabeleja asnjëherë më të mos pësojë ndërprerje të tillë.

Me theks të veçantë, Ebibi e shprehu lumturinë e tij që tradita e mukabeles në xhaminë Dyqanxhik vazhdon prej dhjetë vitesh pa ndërprerë që nga hapja e saj, duke theksuar më tej se këtë vit xhemati qysh një javë më parë ka shfaqur interesim të madh dhe se pjesëmarrja do të jetë shumë e lartë.

Në xhaminë Dyqanxhik, e cila është njëra nga xhamitë qendrore të Shkupit, gjatë Ramazanit të këtij viti do të lexohet mukabele para çdo namazi të drekës nga Imami Abdulkerim Ebibi së bashku me nëntë imamë të tjerë, duke filluar një ditë para muajit të bekuar të Ramazanit, ndërkohë që leximi do të përfundojë një ditë para festës së Bajramit të Madh.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit