0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Shkup, kërkohet arrestimi i Nikolla Gruevskit

Më të lexuarat

Prokuroria e posaçme e Maqedonisë ka bërë të ditur të enjten se do të ngrejë akuza kundër 94 personave fizikë dhe shtatë juridikë. Lëndët burojnë nga skandali i bisedave të përgjuara telefonike, për çka prokuroria tashmë ka proceduar një numër rastesh në gjykatë.

Në lidhje me akuzën e re Prokuroria e Posaçme do të kërkojë masa paraburgimi për tetëmbëdhjetë vetë, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-drejtori i Shërbimit të Sigurimit, Sasho Mijallkov, ish-sekretarët e përgjithshëm të qeverisë Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski, ish-ministrat e Transportit, Punëve të Brendshme dhe Kulturës, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska dhe Elizabeta Kançevska Milevska.

Kjo masë është kërkuar edhe për ish-zëvendës kryeministrit Vlladimir Peshevski dhe disa figura të tjera të njohura për opinionin publik maqedonas.

Rastet kanë të bëjnë me financimin e paligjshëm të partive, për manipulime të pronave, dëmtime të pronave të tjerëve, për shkatërrimin e paligjshëm të pajisjeve të përgjimit, për nxitje dhune dhe një sërë akuzash të tjera.

Por, ish-kryeministri Gruevski, i cili është kryetar i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, tha menjëherë më pas në një konferencë për gazetarët se Prokuroria e Posaçme është bërë një zyrë e Lidhjes Social Demokrate në pushtet dhe se akuzat paraqesin përndjekje të kundërshtarëve politikë.

Gruevski theksoi se synimi është “që të thyhet VMRO-DPMNE-ja me qëllim të dobësimit të Maqedonisë, por se kjo nuk do të kalojë”, u shpreh ai, duke shtuar se “konstruktiviteti i shfaqur deri më tash, përfundon sot”.

Prokurorja e posaçme, Katica Janeva u tha gazetarëve se edhe për tre vjet të ardhshme kjo prokurori do të punojë në hapjen e lëndëve të reja parahetimore dhe gjyqësore, ndërsa ajo shpreson se institucionet shtetërore do ta zgjasin mandatin e Prokurorisë së posaçme.

Kjo prokurori u themelua si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës të arritur verën e vitit 2015 ndërmjet katër partive më të mëdha politike dhe të ndihmuar nga SHBA dhe BE. Qëllimi i themelimit të saj ishte dhënia fund e krizës dy vjeçare që kishte përfshirë vendin pas skandalit të përgjimeve.

Dhe përqendrimi i veprimtarisë së prokurorisë është bërë pikërisht mbi mijëra bisedat e përgjuara telefonike që asaj ia ka dorëzuar Lidhja Social Demokrate, atëherë në opozitë. Zonja Janeva ka bërë të ditur se vetëm pak mbi gjysma e këtyre bisedave janë analizuar dhe përpunuar. /VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit