3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shkolla, konsumizëm apo dije?

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Rënia e autoritetit të dijes në shoqëritë e sotme kërkon që ne t’i përgjigjemi një pyetjeje që, në një mënyrë apo në një tjetër, na lind si domosdoshmëri për ta shqyrtuar të gjithë: Sa na vlen arsimi sot në Shqipëri? Shpërfillja që ka bota e sotme moderne ndaj besimit dhe traditave i ka dhënë një dimension tjetër raportit me shkollën. Që në vitet ‘70, sociologu dhe filozofi Ivan Iliç kritikonte sistemin shkollor se po kalonte nga një vend edukimi në një vend gare dhe spektakli. Iliç shkruante në librin e tij, “Shoqëria pa shkollë”, se mësimi në shkolla është kthyer në një garë me pengesa, i mbështetur në një hierarki institucionale që, në vend të dijes, shpërndan kredenciale boshe, duke rrezikuar kështu t’i shërbejë vetëm gradimit të hapur të manipulimeve.

Por, a është diskutuar nga shoqëria shqiptare vlera reale që ka arsimi sot? A vijojmë ne si shoqëri të ndjekim prirjen që kishte shkollimi gjatë kohës së diktaturës, ku shkolla shihej si një rrugë për t’i shpëtuar një pune krahu apo vërtet kemi etje për dije? A pasqyrohen në tekstet shkollore ndryshimet shoqërore dhe a debatohet për një ndërthurje mes traditës sonë kombëtare dhe nevojave për t’u integruar në shoqërinë globale? A e kemi vlerësuar ne dijen apo e kemi parë si një formalitet për të ngjitur shkallët e karrierës, duke i shkaktuar një dëm shoqërisë përmes karakterit fiktiv të shkollimit, një hap që më pas bjerr jo vetëm dëshirën për shkollim, por edhe dinjitetin njerëzor?

Natyrisht, përgjigjet e këtyre pyetjeve kanë nevojë për një lexim të marrëdhënieve të sotme shoqërore, si brenda kulturës sonë, ashtu edhe përmes ballafaqimeve me kulturën botërore që ndërthuret tashmë në shumë rrugë me çdonjërin prej nesh. Më së pari, ne kemi nevojë të themi me zë të lartë përpara çdo nxënësi se ç’kuptojmë ne si shoqëri kur themi “ata” dhe “ne” apo “unë” dhe ti”. Ne duhet të ngremë pyetjet e duhura jo vetëm për të kuptuar atë që kemi mësuar deri më sot në shkolla, por edhe atë që është fshehur apo deformuar në emër të ideologjisë së shkuar në komunizëm. Përndryshe, nëse vijojmë të mos përballemi me pyetjet e duhura, nuk do mundet të ecim me identitetin tonë përkrah shoqërive të zhvilluara.

Por, këto hapa as nuk mund të nisin e aq më pak të kenë rezultat nëse vetë bota akademike nuk ka kurajën të ballafaqohet me vjedhjet e ideve që kanë qenë të përhapura rëndom mes shkencëtarëve të së shkuarës dhe një pjese që i ka pasuar ata. Plagjiati dhe mediokriteti kanë shkaktuar një elitë të gënjeshtërt, e cila deri më sot ka qenë e paaftë të ngrejë siç duhet problemet e arsimit dhe raportin e dijes dhe nxënësit në shkolla. Kërkesa e shumë pedagogëve dhe studiuesve të rinj që të verifikohen titujt shkencorë vijon të mbetet një ëndërr, duke lënë hijet e dyshimit për një pjesë të elitës.

Ndërkohë, është me rëndësi të rishihet edhe figura e mësuesit, e cila, në këto vite, është injoruar dhe keqpërdorur, teksa hartimi i teksteve është kthyer në një biznes fitimprurës, ku shihet shumë pak vlera e asaj që përcillet. Shumë tekste të lëndëve shoqërore përkthehen nga gjuhë të tjera pa iu nënshtruar aspak kushteve dhe traditës sonë, ndërkohë që historiografia vuan ende shenjat e ideologjisë së të shkuarës, qoftë për heronjtë, ashtu edhe për kundërshtarët e tyre.

Është koha që pyetjet për shkollën t’i bëjmë të gjithë pyetjet e duhura, pasi jo vetëm që aty përgatiten brezat që do drejtojnë nesër këtë vend, por edhe se një pjesë e mirë e buxhetit familjar ka pikërisht destinacion shkollimin e fëmijëve. Përndryshe, nëse nuk e diskutojmë siç duhet rëndësinë e shkollës, nëse vijojmë që në qendër të saj të vendoset nxënësi dhe jo dija, atëherë nuk kemi bërë asgjë më shumë sesa kemi shtuar konsumizmin në kurriz të krijimit të një shoqërie me dinjitet. Dhe një shoqëri pa dinjitet ka të hapur një derë për manipulimin e gjithanshëm, pasi në një shoqëri pa dinjitet shumëçka është formale dhe jothelbësore.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit