5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

SHKAQET QË E LARGOJNË ANKTHIN E SHKAKTUAR NGA TENDOSJA NERVORE E PREOKUPIMI ZEMRËS ME GJËRA TË PAVLERA

Më të lexuarat

Ajo që ndihmon për të luftuar frikën dhe ankthin e shkaktuar nga tendosja nervore dhe angazhimi i zemrës me gjëra që nuk janë në interes të saj është edhe angazhimi me ndonjë vepër të mirë ose nxënia e ndonjë diturie të dobishme. Këto krijojnë mur të hekurt ndërmjet zemrës dhe gjërave që shkaktojnë frikën dhe trishtimin e saj, sikur që e bëjnë të harrojë brengat dhe pikëllimin, kështu që ndihet i lumtur, i gjallë dhe me vullnet. Ndonëse në këtë pikë është i njëjtë me të tjerët, besimtari, gjithnjë për shkak të besimit, sinqeritetit dhe llogaritjes në shpërblimin e Allahut, ka hise dhe përfitime mě shumë. Ndikimi i dijes që e mëson për veten apo ua mëson të tjerëve, veprimi sipas dijes së nxënë, adhurimit, kryerjes së veprave të tjera të cilat nijeti i shndërron në vepra të dobishme dhe dobiprurëse, synimit, që me këto vepra ta ndihmojë veten për të qenë sa më i fortë në adhurime dhe në rrugën e Allahut, është atillë që largon brengat, problemet, mërzitë dhe pikëllimin. Ndërkaq, për njeriun e sprovuar me ankth e probleme të tjera nervore dhe shpirtërore harresa është bërë ilaç i shërueshëm dhe efektiv!

Për të arritur qëllimin e dëshiruar duhet që vepra me të cilën merret të jetë e dashur për shpirtin dhe tërheqëse për të.

Gjë tjetër që ndikon në largimin e ankthit dhe frikës është edhe angazhimi me të tashmen, duke shmangur preokupimin për të ardhmen, por edhe pikëllimin për të kaluarën. Për këtë shkak Muhamedi عليه وسلم kërkonte mbrojtjen e Allahut kundrejt brengës dhe mërzisë( Kjo është vërtetuar në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi). Mërzia ndodh për shkak të gjërave të së kaluarës, që tashmë nuk mund të kthehen ose të zhbëhen, kurse brenga ndodh për shkak të frikës prej të ardhmes. Kështu, njeriu duhet të merret me të sotmen, të tanishmen, të angazhohet që të përfitojë nga e sotmja, sepse kjo e motivon shpirtin për t’i mbaruar punët, sikur që është një lloj ngushëllimi për brengën e mërzinë. Kur Muhamedi صلى الله. bën ndonjë lutje apo nxit umetin që të thotë atë, ai, krahas mbështetjes në Allahun dhe shpresës në mirësitë e Tij, kërkon që të jemi të vendosur në realizimin e kërkesës së parashtruar në lutje, duke u përpjekur për të siguruar ato që mundësojnë plotësimin e kërkesës dhe shmangien e të tjerave që pengojnë atë. Kjo, për shkak se duaja vjen paralel me veprën (angazhimin konkret për të). Besimtari angazhohet për atë që i bën dobi në fe dhe në dynja, ndaj e lut Allahun që qëllimi i tij të ketë sukses dhe Allahu ta ndihmojë në këtë drejtim. Kësisoj na mëson Muhamedi. Në hadithin e shënuar nga Muslimi qëndron: “Ji kureshtar në atë që të bën dobi dhe mbështetu në Allahun e mos ji i dobët. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj: “Sikur të veproja kështu, puna do të ishte ndryshe”, por thuaj: “Allahu e ka caktuar, Ai bën ç’të doje”, ngase (fjala) “sikur ia hap punën (rrugën) djallit.”

Pejgamberi në këtë hadith çështjen e ka përmbledhur ndërmjet kureshtjes në përvetësimin e gjërave të dobishme, mbështetjes në Allahun dhe në mosnënshtrimin ndaj dobësisë, imazhe të së cilës janë dembelia dhe përtacia e dëmshme, në njërën anë, dhe nënshtrimit ndaj të kaluarës dhe vëzhgimit të caktimit të Allahut, në anën tjetër.

Gjërat i ndau në dy pjesë:

1) Në pjesën e parë hyjnë gjërat për realizimin e të cilave, ose një pjese të tyre, qoftë si përvetësim, nëse janë të mira, qoftë si largim dhe lehtësim, nëse janë të liga dhe të dëmshme, mund të angazhohet njeriu. Për këto gjëra robi duhet angazhuar personalisht dhe duhet mbështetur edhe në Zotin e tij;

2) Pjesa tjetër ka të bëjë me gjërat, në përcaktimin e të cilave njeriu nuk ka asnjë ndikim. Këto janë gjëra në të cilat robi e gjen qetësinë, pajtohet me to eu nënshtrohet atyre dhe kjo sigurisht se është shkak për ta gjetur kënaqësinë e për t’i larguar brengat dhe pikëllimin.

“Mjete të përshtatshme për një jetë të rehatshme”
Abdurrahman es Sadi
Përktheu: Dr. Sedat Islami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit