0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Shkaqet e Lumturisë!

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Allahu im! Kërkoj mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!

Të nderuar besimtarë!

Pa dyshim që shkaqet për të pasur një jetë të mirë, me anën e të cilave plotësohet kënaqësia dhe gëzimi dhe largohet shqetësimi e pikëllimi, janë të shumta. Ndër më të rëndësishmet janë:

1. Besimi dhe vepra e mirë

Allahu i Lartësuar thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahël, 97)

Njerëzit e besimit janë në rrugë të drejtë dhe të pranuar e të mirënjohur, ata jnë në funksion të së dobishmes. Në anën tjetër përfitojnë gëzimin dhe kënaqësinë, kurse rreziqet, shqetsimet, të pakëndshmet, pikëllimet i pranojnë me durim duke shpresuar në shpërblim.

I Dërguari i Allahut thotë: “Sa e çuditshme është çështja e besimtarit, të gjitha punët e tij janë të mira. Kjo nuk vlen për këdo përveç për besimtarin. Kur ai është në mirëqenie është mirënjohës dhe kjo është gjë e hajrit për të. Por kur bie në fatkeqësi ai duron edhe kjo është gjë e hajrit për të.” (Transmeton Muslimi)

2. Mirësia ndaj krijesave me fjalë, vepër dhe me vlera

Allahu i Lartësuar e nxit si të mirin dhe të keqin për mirësi, por kur besimtarit i plotësohet fati dhe dëshira, atëherë mirësia e tij karakterizohet me sinqeritet dhe duke kërkuar shpërblim nga Allahu, atëherë Allahu ia lehtëson ushtrimin e mirësive dhe ia largon të këqiat. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Ennisa, 114)

3. Përmendja e shpeshtë e Allahut

Është njëra ndër arsyet më të mëdha për kënaqësinë dhe paqen e zemrës, për largimin e brengave dhe shqetësimeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Rad, 28)

4. Fokusimi i mendjes në punët e rëndësishme ditore, duke e lënë anash frikën për të ardhmen dhe keqardhjen për të kaluarën

Kështu e përmirëson personi të tashmen dhe vazhdimisht përpiqet dhe angazhohet për vlera. I Dërguari i Allahut thotë: “Përpiqu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut dhe mos u ligështo. Por nëse të godet ndonjë gjë, mos thuaj: “sikur të kisha veprua kështu do të ishtë kështu”, por thuaj “caktimi i Allahut dhe bën si të dojë”. Sepse “lev-sikur” hap veprimet e shejtanit.” (Transmeton Muslimi)

5. Angazhimi me vepra të mira ose me shkenca të dobishme, me të cilat qetëson veten
Këto e largojnë zemrën prej angazhimeve që sjellin shqetësim dhe nervozizëm.

Të nderuar besimtarë!

Këto pesë porosi të zgjedhura për ju ua bëjnë jetën të lumtur nëse dëshironi të jeni fatlum. E përmbyllim këtë hytbe me fjalët e Allahut të Lartësuar: “Kurse fatlumët, do të hyjnë në xhenet, ku do të qëndrojnë përherë, derisa të jenë qiejt dhe toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë.” (Hud, 108)


Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
6.12.200
9

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit