-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Shitjet globale të makinave elektrike do të rriten 35 për qind këtë vit duke arritur në 14 milionë

Më të lexuarat

Raporti vjetor i IEA-s ‘Perspektiva globale e automjeteve elektrike’ tregon se më shumë se 10 milionë makina elektrike u shitën në mbarë botën në vitin 2022, një rritje rekord prej 55 për qind krahasuar me vitin e kaluar

Sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), shitjet e makinave elektrike në mbarë botën do të rriten për 35 për qind këtë vit dhe do të zgjerojnë pjesën e tyre në tregun e përgjithshëm të makinave në 18 për qind, të drejtuara nga programet e fuqishme të mbështetjes në ekonomitë e mëdha, transmeton Anadolu.

Raporti vjetor i IEA-s i titulluar ‘Perspektiva globale e automjeteve elektrike’ tregon se më shumë se 10 milionë makina elektrike u shitën në mbarë botën në vitin 2022, një rritje rekord prej 55 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i përgjithshëm i makinave elektrike në rrugë arriti në 26 milionë pas rritjes rekord të vitit të kaluar.

“Makinat elektrike janë një ndër forcat lëvizëse në ekonominë e re globale të energjisë që po shfaqen me shpejtësi dhe ata po sjellin një transformim historik të industrisë së prodhimit të makinave në mbarë botën”, tha në raport Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA-s.

Sipas tij, trendet që po dëshmojnë kanë implikime të rëndësishme për kërkesën globale të naftës.

“Motori me djegie të brendshme ka mbetur i pakrahasueshëm për më shumë se një shekull, por makinat elektrike po ndryshojnë ‘status quo’-në. Deri në vitin 2030, ato do të shmangin nevojën për të paktën 5 milionë fuçi të naftës në ditë. Makinat janë vetëm vala e parë, autobusët dhe kamionët elektrik do të vijnë së shpejti”, tha Birol.

Të dhënat tregojnë se shumica e shitjeve të makinave elektrike deri më sot janë të përqendruara në Kinë, Evropë dhe SHBA.

Vitin e kaluar, Kina përbënte rreth 60 për qind të shitjeve globale të makinave elektrike dhe gjithashtu përbën mbi 50 për qind të të gjitha makinave elektrike në rrugët e botës, me një total prej 13,8 milionë makina elektrike.

“Kjo rritje e fortë rezulton nga më shumë se një dekadë e mbështetjes së qëndrueshme të politikave për adoptuesit e hershëm, duke përfshirë një zgjatje të stimujve të blerjeve të planifikuara fillimisht për t’u larguar në vitin 2020 deri në fund të 2022 për shkak të COVID-19, përveç mbështetjes jo financiare të tilla si hapja e shpejtë e infrastrukturës së karikimit dhe politikat e rrepta të regjistrimit për makinat jo elektrike”, tha IEA në raport.

Pjesa e shitjeve të makinave elektrike në totalin e shitjeve të makinave të Kinës arriti në 29 për qind vitin e kaluar, nga 16 për qind në vitin 2021.

– Evropa dhe SHBA-ja përbëjnë 35 për qind të shitjeve të makinave të reja elektrike

Evropa mbetet tregu i dytë më i madh në botë i makinave elektrike pas Kinës, duke përbërë 25 për qind të të gjitha shitjeve të makinave elektrike në vitin 2022 dhe 30 për qind të stokut global.

Vitin e kaluar, kontinenti evropian regjistroi një rritje prej 15 për qind në shitjen e makinave elektrike, duke arritur në 2,7 milionë. Pjesa e shitjeve të makinave elektrike u rrit në 21 për qind vitin e kaluar nga 18 për qind në vitin 2021.

Gjermania ishte tregu më i madh në Evropë me 830 mijë regjistrime të makinave të reja elektrike në vitin 2022, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 370 mijë dhe Franca me 330 mijë. Spanja regjistroi mbi 80 mijë makina të reja elektrike.

Megjithatë, shitjet e makinave elektrike në Itali ranë në 115 mijë vitin e kaluar, respektivisht nga 140 mijë të regjistruara në vitin 2021, përderisa ato gjithashtu shënuan ulje në Austri, Danimarkë dhe Finlandë.

Shitjet e makinave të reja elektrike në SHBA afruan në 1 milion, duke përbërë 10 për qind të rritjes globale të shitjeve të makinave elektrike.

Stoku i përgjithshëm i makinave elektrike në SHBA arriti në 3 milionë pasi pjesa e shitjeve të makinave elektrike në vitin 2022 ishte 8 për qind e shitjeve totale të makinave.

– Shitjet e makinave elektrike në Türkiye pothuajse dyfishohen

Türkiye regjistroi rreth 7.500 regjistrime të makinave të reja elektrike në vitin 2022, pothuajse duke dyfishuar shitjet krahasuar me vitin 2021.

Stoku i përgjithshëm i makinave elektrike në vend arriti në mbi 16 mijë pas rritjes së vitit të kaluar. Pjesa e makinave elektrike në tregun total të makinave të Türkiye-s ishte 1 për qind në vitin 2022.

Türkiye synon të prodhojë 1 milionë njësi të brendit të parë të makinave indigjene TOGG deri në vitin 2030. TOGG filloi me shitjen e modelit të saj të parë T10X në tregun vendas dhe planifikon të dorëzojë 20 mijë makina elektrike brenda këtij viti.

– Shitjet e tremujorit të parë të këtij viti u rritën me 25 për qind në mbarë botën

Në tremujorin e parë të këtij viti, shitjet globale të makinave elektrike u rritën me 25 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, duke arritur në 2,3 milionë. Ky numër parashikohet të arrijë në 14 milionë deri në fund të vitit.

“Programet ambicioze të politikave në ekonomitë kryesore si paketa ‘Fit for 55’ në Bashkimin Evropian (BE) dhe Akti i Reduktimit të Inflacionit në SHBA pritet të rrisin më tej pjesën e tregut për makinat elektrike këtë dekadë dhe më tej”, thuhet në raportin e IEA-s.

Paralelisht me politikat më të fortat, pjesa mesatare e makinave elektrike në shitjet totale në të gjithë Kinën, BE-në dhe SHBA-në do të rritet në rreth 60 për qind deri në vitin 2030.

Derisa tregu në rritje i makinave elektrike po rrit kërkesën për prodhimin e baterive, raporti i IEA-s thekson se projektet e shpallura të prodhimit të baterive do të ishin më se të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën për makina elektrike.

“Megjithatë, prodhimi mbetet shumë i përqendruar, me Kinën që dominon tregtinë e baterive dhe komponentëve dhe rrit pjesën e saj të eksporteve globale të makinave elektrike në mbi 35 për qind vitin e kaluar”, paralajmëroi IEA, duke theksuar nevojën për përmirësimin e konkurrencës në rajone të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit