Dashnor Osmani 50-vjeç nga Pocesta e Korçës, është vrarë me sëpatë nga bashkëfshatari i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Pazarit të Korçës ku viktima punonte si shitës bananesh, ndërkohë që autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë Zamir Topi 42-vjeç,është arrestuar pak metra larg vendngjarjes dhe është shoqëruar në polici. Persona të rastësishëm të gjendur aty pranë kanë njoftuar ambulancën e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por viktima nuk ka arritur të mbijetojë.
Zamir Topi e ka goditur viktimën mbi 10 herë me sëpatë në kokë ndërkohë që të pranishëm ishin dhe gruaja me vajzën e këtij të fundit. Ka qenë ndërhyrja e vajzës që largoi autorin duke mos vijuar ta qëllonte Osmanin.
“Rastësisht kalova dhe e pashë që ishin mbledhur shumë njerëz. Mora 127 që të vinin ta ndihmonin por mbaroi ai. Kokën ia kishin mbuluar. Ishte mbuluar me gjak. Njerëzit thonin që e kishin goditur me sëpatë, por nuk e dimë çfarë ka ndodhur”, thotë një prej dëshmitarëve.
Zamir Topi ka deklaruar se shkak për ngjarjen e rëndë është bërë një sherr me Dashnor Osmanin për varrin e nënës. Autori pretendonte se Topi, i cili shiste banane në zonën e Pazarit të Korçës, i ka dëmtuar varrin e nënës.
Topi dhe Osmani kanë varrosur në 2014 në Korçë të afërmit pranë njëri-tjetrit, dhe autori i krimit kishte ngritur pretendimet se Dashnor Osmani i kishte dëmtuar rëndë varrin e nënës së tij. Zamir Topi ka pohuar se i kishte kërkuar Osmanit të hiqte varrin e të afërmit nga aty dhe t’i rregullonte varrin e nënës. Mes Osmanit dhe Topit, ka pasur konflikt të vazhdueshëm për këtë çështje.